Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar të premten marrëveshjen për partneritet dhe bashkëpunim ndërkufitar mes dy shteteve në kuadër të projektit “IPA 2014-2020, në baza të të cilit 18 komunave që ndodhen në zonën kufitare do tu ndahen mjete në vlerë prej 8.4 milionë euro.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri malazez për Çështje Evropiane, Aleksandar Andrija Pejoviq dhe ambasadori i Kosovës në Podgoricë, z.Skender Durmishi.
Siç thuhet, sipas kësaj marrëveshje fondet e akorduara do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të komunave që janë në zonën kufitare, si dhe shfrytëzim më të mirë të burimeve të tyre natyrore.
Projekti parasheh përmirësimin e menaxhimit të resurseve ujore në Bijello Pole dhe Gjakovë, veprim të përbashkët për punësim të qëndrueshëm, promovimin e turizmit rural në zonën kufitare, etj.
Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi, falënderoi Malin e Zi për përkrahjen që ia jep Kosovës. “Jam i sigurt se do të punojmë me projekte tjera, për të vazhduar bashkëpunimin dhe në të ardhmen”, deklaroi Durmishi.
Albert Camaj