Shqipëria dhe Kosova në stërvitje të përbashkëta ushtarake

Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Haki Demolli, u prit sot me nderime të larta ushtarake në vizitë zyrtare në Tiranë, nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Të dy ministrat fillimisht, diskutuan për çështje të interesit të përbashkët dhe për Planin e Bashkëpunimit Dypalësh në mes të Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, ministri Demolli dhe ministrja Kodheli, biseduan edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe në veçanti për situatën e krijuar në kufijtë veriorë të saj.

Në takim u fol gjithashtu edhe për dyfishimin e numrit të ushtarakëve shqiptarë që janë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Po ashtu, në takim u bisedua edhe për vizitën e fundit të sekretarit të NATO-s që i bëri Kosovës, ditët e kaluara, ku u theksua nga ana e Jens Stoltenberg përkrahja e vazhdueshme, të cilën po jep NATO në sigurimin e paqes në Kosovë dhe u theksua se edhe në të ardhmen trupat e KFOR-it do të qëndrojnë dhe do t’i ofrojnë një siguri të plotë Republikës së Kosovës.

Pas takimit mes dy ministrive u firmos edhe Plani i Bashkëpunimit Dypalësh për vitin 2017, i cili fokusohet në stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta. /Telegrafi/MALESIA.ORG/