Magjia 130 vjeçare e cila ndriçoi Trieshin

Mendoj se bashkëvendasit e mi në Amerikë, të cilët deri më tani kanë investuar në vendlindje mbi 2 milionë dollarë, do të ishte mirë sikur vitin e ardhshëm të financojnë ngritjen e bustit apo përmendores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në oborrin e kësaj shkollë. Kjo për faktin se me datë 11 mars 2018 do të mbushen 50 vjet që kjo shkollë mban me krenari emrin e prijësit tonë legjendar.

Nga Gjekë Gjonaj

Treshianët këtë vit ndjehen më shumë se krenarë. Dhe kanë arsye. Sepse sivjet mbushen 130 vjet në rrugën e dijes për të gjithë bijtë e bijat trieshiane dhe shkollarët e tjerë që u shkolluan këtu. Trieshi , pra, ka madhështinë të përkujtojë se nuk njihet vetëm për historinë e tij në luftë por edhe në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, në përhapjen e arsimit shqip, pavarsisht veshtirësive te asaj kohë dhe problematikave të shoqëruara gjatë viteve. Shkolla e këtushme, e cila mban emrin e heroit tonë kombëtar „ Gjergj Kastsrioti- Skënderbeu“, bashkë me të edhe shkrimi i gjuhës shqipe, si pjesë përbërëse e çështjes së lëvizjes kombëtare kanë historinë e tyre. Hapja e shkollës në gjuhën shqipe në Triesh, në kushtet e atëhershme, përbënte aktin më të madh kulturor dhe patriotik. Ajo për këtë trevë ishte “mësonjëtorja” e parë në gjuhën shqipe.

Rrugëtimi i trieshianëve për të dalë nga errësira shekulllore në dritën e diturisë ishte i gjatë, i mundimshëm e i vështirë, por i lavdishëm dhe i suksesshëm. Ata u përballën me rryma nga më të mprehtat, shumë prirje e pikëpamje, mjaft dukuri politike të kundërta, kurthe e pengesa të panumërta, shtigje të rrezikshme, me forca të errëta në shumë drejtime. Dhe përherë dolën fitimtarë. Puna vetëmohuese e trieshianëve të penës të brumosur dhe të ushqyer me „armën“ më të fortë interesin kombëtar ka shkëlyer dhe i ka mundur të gjitha rrebeshet dhe stuhitë e kohës.

Historia e këtij tempulli të djes, edukimit dhe atdhedashurisë është si një romancë plot aventura, që pati arritje të rëndësishme dhe me vlerë. Ishte sikur një re pluhuri e krijuar prej erës që u hoq nga shkretëtira ku kshte lindur dhe u shndërrua si një magji në një shtyllë të bukur e të fortë, për të ndriçuar e stolisur Trieshin e trieshianët.

Në këtë përvjetor kujtoj atë pafundësi mësuesish ( mësimdhënësish) vendas dhe të huaj, të gjallë e të vdekur, që kanë dhënë apo japin mësim në këtë çerdhe shqiptarësh. Këta veprimtarë të arsimit shqip vendosën themelet e shkollës, thesarin më të çmuar, librat dhe shkronjat shqipe. Ata ishin në ballë të luftës për arsim kombëtar e në krye të ngjarjeve të atyre viteve Me punën e tyre, pasionin, edukimin dhe arsimimin e mijëra nxënësve skalitën pavdekshmërinë tyre ndër breza. Punuan me vullnet. Pa zhurmë e bujë. Pa lavdi. Të heshtur. Por të vendosur dhe të ndërgjegjshëm për atë që bënin. Dashuria e tyre për gjuhën amtare nuk u zbeh para asgjëje. Nëse do të marrim parasysh madhështinë e qëllimit të tyre, mjetet e pakta që patën në dispozicion, si dhe rezultatet fantastike që arritën, ata me të drejtë e meritojnë emërimin „ gjenialë“.

Në këta 130 vjet janë me mijëra nxënës që janë shkolluar dhe me qindra intelektualë që kanë dalë prej kësaj vatre të dijes dhe kulturës. Brezat përulen me respekt para këtij obelisku të ABC-së në përvjetorin e saj.

Ky tempull i ndritur i gjuhës shqipe, i dijes, i edukimit dhe i atdhedashurisë, përmes skrificave, vuajtjes dhe mundimit, përmes punës, qëndresës, dashurisë dhe frymëzimit, arriti të përballojë sfidat e kohës dhe vendosi baza të forta drejt qëllimit të përbashkët dhe fisnik, për një arsimim dhe edukim të vazhdueshëm ndër breza. Rëndësia e kësaj shkolle i kalon kufijtë e Trieshit –Malësisë dhe bëhet pjesë e kulturës kombëtare.

Unë si bir i kësaj trevë, si ish – nxënës dhe ish- mësimdhënës i kësaj shkollë përulem, vlerësoj dhe çmoj gjthë kontributin e vyer që mësuesit e këtij institucioni publik arsimor dhanë dhe po japin për brezat e ri.

Dhe në fund një propozim. Mendoj se bashkëvendasit e mi në Amerikë, të cilët deri më tani kanë investuar në vendlindje mbi 2 milionë dollarë, do të ishte mirë sikur vitin e ardhshëm të financojnë ngritjen e bustit apo përmendores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në oborrin e kësaj shkollë.

Kjo për faktin se me datë 11 mars 2018 do të mbushen 50 vjet që kjo shkollë mban me krenari emrin e prijësit tonë legjendar.