Opozita shqiptare proteston sot në Shqipëri

Partia Demokratike ka nisur protestën e lajmëruar në ditën e sotme përballë Kryeministrisë.

Protestues dhe anëtarë të Partisë Demokratike nga e gjithë Shqipëria janë nisur drejt Tiranës që herët në mëngjes. Nga Gjirokastra, Berati, Fieri, Kukësi, Korça dhe Elbasani, i janë përgjigjur thirrjes së kreut të Partisë Demorkatike mijëra qytetarë, të cilët janë nisur drejt kryeqytetit me dhjetëra furgona e autobusa.

Protesta e opozitës zhvillohet kundër qeverisë, e cila sipas Partisë Demokratike, është pozicionuar kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme. Fillimi i protestës së sotme të opozitës, sipas policisë është programuar të zgjasë deri në orën 16.00, por në kërkesën e saj, Partia Demokratike, nuk e ka vendosur përfundimin e saj.

Demokratët gjatë gjithë kësaj kohe kanë bërë disa protesta kundër kryeministrit Rama, por asnjëherë ato nuk janë veshur me kaq mister sa kjo e 18 shkurtit.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka bërë me dije se janë qytetarët ata të cilët do të vendosin kohëzgjatjen dhe mbarimin e protestës.

Protesta do të jetë paqësore, pavarësisht nëse vendimi i madh do të jetë për një qëndrim të gjatë përpara Kryeministrisë, apo për zgjerim të protestës në të gjithë vendin.

Nuk dihet se cilin skenar do të vendosë kreu i PD-së, Basha, ngujim në shesh, apo protestat e vazhdueshme.

Një ditë para protestës, në adresë të Partisë Demokratike ka mbërritur një mesazh mbështetës nga Kongresi amerikan.
Sipas një njoftimi për shtyp, mesazhi ka ardhur nga kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme për Europën, kongresmeni Dana Rohrabacher, i cili i ka shkruar kryetarit Basha.

“I dashur Lulzim, ne mbështesim fuqishëm përpjekjet e qytetarëve shqiptarë dhe betejën e tyre të drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se do të ketë gjithmonë mbështetjen tonë në kauzën e tij për liri dhe demokraci, shtet të së drejtës dhe liri njerëzore. Përzemërsisht, Dana Rohrabacher”, thuhet në mesazhin e kongresmenit.l

/TOP CHANNEL/MALESIA.ORG/