Art Club boton romanin “Nusja e detar Agronit” të shkrimtarit Asllan Bisha

Në edicionin botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“ këto ditë ka dalë nga shtypi romani më i ri i shkrimtarit Asllan Bisha „Nusja e detar Agronit“. Siç sqaron edhe vetë autori në shënimin e tij, libri është zgjerim i përmbledhjes me tregime „Nusja e detarit“, të botuar në vitin 1994 e më pas ribotuar në vitin 2000 nga Shtëpia Botuese „Toena“ në Tiranë, për të cilin ai ka fituar Çmimin e „Art Club“-it.

Redaktor letrar i librit është Haxhi Shabani, recensent Basri Çapriqi, kopertina është punuar nga piktori Marxhan Lamoja, kurse redaktor teknik është Gazmend Çitaku.

Libri është shtypur në Shtypshkronjën „Fiorentia“ në Shkodër, ndërsa botimin e tij e ka mbështetur Ministria e Kulturës.

Romani „Nusja e detar Agronit“ është libri i 16-të i shkrimtarit Asllan Bisha, i cili shkruan kryesisht prozë për fëmijë dhe të rritur. Ka qenë korrespondent i gazetës “Rilindja” dhe i RTV të Kosovës, bashkëpunëtor i Radio Titogradit dhe i revistës “Koha”, ndërsa tani bashkëpunon me gazetën “Koha javore”. Po ashtu ka qenë kryeredaktor i revistës për fëmijë “Zana”. Ai është mbledhës folklori, autor punimesh nga ihtologjia (peshkimi) dhe i teksteve të këngëve për fëmijë dhe të rritur. Është njëri ndër përpiluesit e antologjisë “Dritaren lëre hapur”, si dhe është përfshirë në antologjinë “Putnici na putu” dhe përmbledhjen “Pet albanskih književnika u Crnoj Gori“. Disa nga krijimet e tij letrare janë përfshirë edhe në tekstet shkollore për shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 110 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

Ulqin, më 08. 06. 2017 SHAI “Art Club”