Ata diskutuan për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi por edhe të pakicës malazeze në Shqipëri.
Drejtori gjeneral në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Leon Gjokaj dhe Drejtori gjeneral në drejtorinë për arsimin e popujve pakicë pranë Ministrisë së Arsimit, Marash Dukaj u takuan sot me Zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Odeta Barballushi.
“Sot, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, znj. Odeta Barbullushi, mirëpriti dy kolegë nga Mali i Zi, Zëvendësministrin e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Leon Gjokajn dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Marash Dukajn, për një bisedë të hapur mbi bashkëpunimin mes dy vendeve tona fqinje, e tashmë aleate të NATO-s, mbi problematikën dhe arritjet në fushën e respektimit të të drejtave të komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe të pakicës malazeze në Shqipëri, si dhe mbi axhendën e mbledhjes së parë të përbashkët mes dy qeverive tona në tetor të këtij viti në Shkodër”, shkruan Ambasada Shqiptare në Mal të Zi.
“Gjatë takimit u diskutua konkretisht mbi projekte të zhvillimit ndërkufitar e që kanë ndikim të shumëfishtë jo vetëm në ndërlidhjen mes vendeve tona dhe në ekonominë dhe turizmin e zonave ndërkufitare, por dhe në zhvillimin kulturor e kohezionin social në këto zona”, njofton Ambasada shqiptare. /MALESIA.ORG/