KF Deçiqi, vitin e kaluar në prag te shuarjes, sot lider në superiore

Klubi ishte para shuarjes. Ngarkuar me barrën e këtyre problemeve objektivi kryesore ishte mbijetesa në kategorinë e dytë. Klubi i hapi dyert të gjithë futbollisteve nga Malësia. Synojmë kreun e futbollit në Mal te Zi. Ashtu siç është Shkëndija në Maqedoni.

Intervistë me Presidentin e KF Deçiqi, Pal Dreshaj:

MALESIA.ORG – KF Deçiqi vitin e kaluar ishte në rrezik rënien edhe nga Liga e Dytë e Malit të Zi, megjithatë me kalimin e pronësisë së klubit nga Komuna e Podgoricës në Komunën e Tuzit dhe reformave të ndërmarra, Deçiqi jo vetëm se siguroi “mbijetesën” por edhe arriti të fitoj ligen e dytë dhe kaloi në ligen superiore.

Pal Dreshaj – Në fillimpranveren e vitit të kaluar Komuna i mori të drejtat e themeluesit të KF Deçiqi, klub afro 100 vjeçar. Paralel me të drejtat e pronësisë mori dhe obligimet ndaj tij.
Me ardhje në klub gjetëm një situatë të palakmueshme, mos të them katastrofale. Një “grusht” lojtaresh në grevë. Klubi pa personel, pa staf trajnerësh, në borxhe… Objekti dhe terrenet sportive të dëmtuara.
Dokumentacioni dhe arkiva pothuajse 100 vjeçare e zhdukur.
Klubi ishte para shuarjes. Ngarkuar me barrën e këtyre problemeve objektivi kryesore ishte mbijetesa në kategorinë e dytë. Dhe me shumë mund ia dolëm.
U desh punë dhe përkushtim si dhe mjete materiale të konsolidojmë klubin.
Hartuam planin dhe strategjinë për veprim.  Gjithashtu krijuam edhe stafin teknik. Dhe u futem në garë të rikthehemi në Kategorinë superiore. Këtë qellim e arritëm bindshëm, prej gjiros së parë, pa konkurencë.

MALESIA.ORG – Me reformat që janë bërë në klub, për herë të parë në ekip kemi një dominim të lojtarëve vendas, pra iu është dhenë më shumë hapsi futbollisteve tonë të luajnë për ekipin tonë.

Pal Dreshaj – Veprimi i parë ishte të grumbullojmë dhe tu hapim dyert të gjithë futbollistëve nga Malësia. Ftesës sonë iu përgjigjen gati të gjithë.


MALESIA.ORG – Në ligen superiore Deçiqi filloi mjaft mirë, momentalisht gjendet në vendin e parë, me 4 fitore, 4 barazime dhe asnjë humbje.

Pal Dreshaj – Menjëherë mbas fitimit të statusit të Superiores ne nuk jemi deh me sukses dhe nuk jemi vetëkënaq por filluam përgatitje cilësore për startin e kampionatit. Bëmë përzgjedhjen e trajnerit dhe bëmë përforcimet e nevojshme. Strategjia jonë është të bazohemi në lojtaret vendas dhe siç jeni duke vërejte edhe ju, pothuajse 80% e lojtarëve janë vendas. Fatkeqësisht kjo nuk ishte më parë.
Rezultatet e arritura deri tani është fryt i punës cilësore dhe të palodhshme të stafit teknik në krye me Edis Mullalic si dhe përkushtimit maksimal të futbollisteve.
Fillimisht synimi unë për këtë vit është mesi i tabelës. Por nëse jepet rasti për diçka më mirë ne do ta shfrytëzojmë.
Ne në një të ardhme jo të largët synojmë kreun e futbollit në Mal te Zi. Ashtu siç është Shkëndija në Maqedoni.

MALESIA.ORG – Sa të kënaqshme janë kushtet e përgjithshme në klub?

Pal Dreshaj – Paralel me ngritjen e skuadrës punuam në ndërtimin e infrastrukturës.
Për një kohë të shkurtër vendosem prezhektorat dhe dukshëm u përmirësuan kushtet për zhvillimin e ndeshjeve.
Gjithashtu për një kohë të shkurtër arritëm të krijojmë akademinë e futbollit në të cilën gratis ushtrojnë mbi 200 të rinj nga Malësia. Kujdes të veçantë i kushtojmë edhe shkollimit të trajnerëve të cilëve edhe u paguajmë shkollimin.
Është përfunduar projekt dokumentacioni për tribuna moderne dhe për fusha ndihmese për të cilat edhe i kemi sigurua 80% të mjeteve. Shpresojmë se për një kohë jo të gjatë do të krijohen kushtet ideale për punë të një klubi futbolli.

MALESIA.ORG – Deri me tani nuk është respektuar dygjuhësia në klub. Në stadium, emri i klubit nuk është i shkruar në gjuhen shqipe, në fanellat e lojtarëve poashtu mungon emri i klubit në gjuhen shqipe, ashtu si edhe në emblemën e klubit. Kur mund të pritet që të kryhen këto korrigjime?

Pal Dreshaj – Sa i përket çështjes së dygjuhësisë edhe në këtë drejtim jemi duke punuar. Së shpejti do të bëhen ndryshime edhe në stemën e klubit. Jemi duke punuar në krijimin e web faqes, Instagramit, dhe TV kanalit tonë. Por për të gjitha këto duhet punë, kohë, personel dhe mjete.

Nuk mund të përfundoj këtë intervistë e mos të falënderoj vëllezërit e mi Dreshaj si dhe donatorët që pa kursyer po investojnë në krijimin e kushteve ideale për të realizuar ëndrrat e shumë gjeneratave.
Shpresoj se edhe shumë bashkatdhetarë nga diaspora do të njohin benefitet që ky klub mund ti sjellë Malësisë dhe do të kontribuoje me donacione. /MALESIA.ORG/