Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme e ka thirrur ambasadorin serb në Tiranë për t’i përcjellë Serbisë një notë verbale, pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vullin.
Rama ka thënë se “nuk do të tolerohet asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe”.
“Ministria për Punët e Jashtme të Shqipërisë ka vazhduar më tutje me procesin, ambasadori i Serbisë është thirrur apo do të thirret, për t’i bërë me notë verbale vënien në dijeni të shtetit serb se asnjë gojë e shthurur në qeverinë e Serbisë nuk mund të lëndojë qeverinë e Shqipërisë, apo figurën e një ministri apo kryeministrit të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Ministri serb pak ditë më parë komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama në konferencën e përbashkët të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri shqiptar tha në konferencë që Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës. Ministri Vulin, pas kësaj deklarate kishte thënë se që Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
“Duke deklaruar se Porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdon të punojë për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’”, kishte thënë Vulin duke i bërë thirrje BE-së që të reagonte pasi një gjë e tillë është kërcënim për paqen.
Përmes një deklarate të dytë, ministri serb i Mbrojtjes u shpreh se kryeministri i Shqipërisë do të mbahet mend më shumë për “çorapet e grisura” se sa për zhvillimin e ideve të ndritura dhe se Rama nuk ka “tru mjaftueshëm”.
“Nëse Edi Rama do të kishte tru, nuk do të përpiqej të bënte ‘Shqipërinë e Madhe’. Nëse do të kishte mend, nuk do të bënte fotografi me sfond nga flamuri i ‘Shqipërisë së Madhe’. Nëse kujdesej për paqen në rajon, nuk do të lavdëronte vrasësit e UÇK-së”, kishte thënë Vulin.Kryeministri i vendit, Edi Rama duke iu përgjigjur këtyre deklaratave, tha se pret që president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të kërkojë ndjesë në emër të shtetit të Serbisë. /REL