Dekadat e kaluara kanë treguar se politika dhe politikëbërja këtu në Mal të Zi, është në krizë të thellë. Centralizimi dhe autoritarizmi brenda partive politike ka prodhuar politikanë diletant dhe të pa ditur për t’i qeverisur interesat e popullit. Politikanët e këtillë jo vetëm që nuk janë të denjë për t’i mbrojtur interesat e elektoratit të cilit e “përfaqësojnë”, por shumica nga ata edhe moralisht, politikisht dhe ekonomisht i kanë nëpërkëmbur interesat e tyre. Këta politikan duke mos bërë detyrën për të cilën janë zgjedhur ato, interes parësor kanë interesin personal dhe abuzimin me detyrat zyrtare gjatë ushtrimit të pushtetit. Këta lloje të politikanëve tani më shquhen si politikan të korruptuar dhe plaçkitës, pasi nuk përfaqësojnë të drejtat e popullit, por përfaqësojnë interesat e tyre të ngushta klanore.
Ky administratim dilitant përmes politikanëve të këtillë i merr në qafë shumë nënpunës dhe administrator (zyrtarë) publik dhe shtetëror. Administratimi me politikan të këtillë e degradon dhe nëpërkëmb juristin e shkolluar, ekonomistin e denjë dhe të zotin, mësuesin e zellshëm, profesorin dhe pedagogun e mirëfilltë, mjekun human dhe çdo administrator shtetëror dhe lokal të vyeshëm dhe me përvojë profesionale.
Eshtë e pakuptueshme fakti se si mundet të lejojë një shoqëri që të vjen deri në atë pikë të dëshprimit sa që të votoj dhe të zgjedh që ta udhëheqin njerëz të këtij kalibri që nga niveli intelektual që janë shumë më poshtë se mesatarja. Persona që pasurimin e tyre po e bëjnë mbi supet e këtij populli të stërlodhur, persona të cilët përveç pasurisë personale nuk ju intereson asgjë tjetër.
Ka një thënje popullore ku thuhet “Varfëria e ulë peshën e fjalës së intelektualit”. Kjo shprehje ka shumë vite që e prek shtresat intelektuale në shoqërinë tonë dhe në këtë vend. Fatkeqësishtë, deri aty ka ardhur puna, saqë një individi me nivelin më të ulët të kapacitetit intelektual dhe dinjitet kombëtar i bëhet më tepër respekt (se është pushtetar) sesa profesorëve univerzitarë, akademikëve, doktorave, mësuesve, edukatorëve, shkencëtarëve, e intelektualëve të fushave të ndryshme.
Gjatë udhëheqjes së pushtetit të deritanishëm, ky popull ka përjetuar vetëm vuajtje dhe padrejtësi të skajshme. Shembujt janë të panumërta, e të gjitha mbahen mend. Kur them se këto pushtete ngjajnë më shumë me pushtime, jam i mendimit se intelektualët në përgjithësi e veçmas intelektuali shqiptar ndajnë vetëm një fat. Varfëria në të cilin i kanë përplasur qeveritë të udhëhequr nga një përfaqësim politik manipulues dhe kriminel, nuk u jep mundësinë as të ankohen, e lere më të flasin apo të shprehin mendimin e tyre.
Mahatma Gandi dikur pat thënë se : “Varfëria është forma më e keqe e dhunës”. Kjo formë e dhunës ka disa dekada që aplikohet në shoqërinë dhe në vendin tonë. Paga qesharake dhe presione e kushtëzime të pafund. Nuk ka institucion shtetëror apo institucion edukativo-arsimor ku punëtorët të mos e ndjejnë presionin që u krijojnë vasalët e tyre, duke i kushtëzuar me numrin e votave që duhet t’i sigurojë çdo nënpunës. A thue se ato paga që punëtori i thjeshtë i merr në atë instuticion janë paratë e Partisë, të cilës ai duhet ti përulet jo vetëm personalisht por edhe familjarisht ?
Të gjith na jemi dëshimtar të një gjendje alarmante e cila duhet ndryshuar, të paktën për të mirën e fëmijve-gjeneratave të reja, sepse po vazhdoi kështu, ka vetëm dy opsione: që rrinia jonë të trashigojë barrën e rëndë të feudalëve dhe kërbaçin e tyre duke u shndërruar ata në “armatën e të papunëve”, ose të ikin e të braktisin përgjithmon vendëlindjen e tyre dhe këtë vend.
Në shtetet me një demokraci pak më të zhvilluar epitetin e “Liderit” mund ta mbajë vetëm një personalitet i kompletuar, një person me moral, një njeri i guximshëm që e lufton korrupcionin, një person besatar, një njeri që bashkëvuan me popullin e tij dhe që siguria e mirëqenia e popullit të tij ka më shumë vlerë sesa kolltuku i ofruar dhe mirëqenia personale.
Kam bindjen se ky popull siç ka ditur t’ju vlerësoj duke dhënë votën e tyre, do të dijë edhe t’ju dënojë. Ndërsa na që besojmë në vetëdijen tonë, i kemi shumë të qarta porositë e Gandit ku thotë se : “Në fillim do t’ju injorojnë, pastaj do t’ju qeshin, pastaj do t’ju luftojnë, por në fund do të fitoni”. E kjo fitore nuk është aq e rëndë dhe e largët kur përballë kemi njerëz të korruptuar dhe me moral të nëpërkëmbur, që janë dëshmuar në tradhtitë kundrejt popullit të tyre dhe që kanë dështuar ta mbrojnë atë në të gjitha format.
Eshtë koha e fundit për angazhimin e intelektualëve që ta marrin guximin ta sfidojnë pushtetin dhe jo të qëndrojnë indifirent ndaj rrënimit shoqëror dhe ekonomik të vendbanimeve shqiptare në vend, dhe nëpërmjet angazhimit politik opozitar të kërkojnë autorizimin e votuesve për ta përmisuar këtë gjendje.
Njeriu i emancipuar dhe arsimuar gjithmonë duhet të besojë në obligimet e tij prej intelektuali që të mos heshti dhe mbylli sytë, duke shikuar vetëm avancimin e vet profesional dhe vetëm interesat e sigurimit të mirëqenies së familjes më të ngushtë, sepse ai nuk duhet të jetë plotësishtë i lumtur dhe i përbushur në rrethin e vet të punës dhe të bëjë karrierë personale akademike, kur sheh shumë të tjerë, si luftojnë për të siguruar një kafshatë buke për fëmijët e tyre, dhe mezi e përmbyllin muajin, edhe kur kanë të ardhura minimale për mbijetesë.