Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Shqipërinë

Parlamenti Evropian,  ka miratuar sot rezolutën për Shqipërinë, me 546 vota pro, 85  kundër dhe 62 abstenime, ku vihet në dukje zbatimi i reformës në drejtësi, progresi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Në rezolutë theksohet se zgjedhjet e lira dhe të ndershme në qershor të vitit 2017, janë kyçe për avancimin proceseve të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Raportuesi Knut Fleckenstein është shprehur se Shqipëria ka bërë progres të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit. Sipas tij, miratimi i reformës për sistemin gjyqësor është një moment historik në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kryefjalë mbetet realizimi i shpejtë i “vetting”-ut, duke rivlerësuar të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët aktualë shqiptarë.

Nga institucionet europiane kërkohet zbatimi i plotë i ligjit të Dekriminalizimit, duke përjashtuar nga listat e kandidatëve për deputetë të inkriminuarit, kërkohet transparenca dhe auditi për financimin e partive politike.Theksohet gjithashtu se dialogu mes mazhorancës dhe opozitës është thelbësor. Në referencë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, inkurajohen autoritetet shqiptare të marrin masa për të lehtësuar votimin e emigrantëve.

Përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE nisën në vitin 2000. Në vitin 2009 Shqipëria u bë pjesë e NATO-s. Vendi i cili ndërmori reforma për procesin e anëtarësimit me të drejta të plota në BE, në qershor të vitit 2014 mori statusin e vendit kandidat. /VOAL/MALESIA.ORG/