Çështjet e identitetit kombëtar kanë qenë shqetësimi kryesor i shtypit shqiptar, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në periudha të ndryshme, sidomos në kohën kur rrezikohej kombi shqiptar dhe tërësia e tij territoriale.
Edhe media shqiptare në ish-Jugosllavi, ku shqiptarët ndonëse përbënin popullsinë e tretë në numër gëzonin vetëm statusin e kombësisë, mund të cilësohet si një shtyp në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar.
Në krahasim me mediet e pakicave të tjera, media në gjuhën shqipe në Mal të Zi ka veçoritë e saj, në radhë të parë për shkak të gjuhës që ndryshon rrënjësisht nga gjuhët e pakicave tjera.
Mediet e pakicave dhe kultura kombëtare
Mediet e pakicave kanë rol të shumëfishtë pasi që nuk kanë qëllim vetëm të informojnë, edukojnë, argëtojnë etj., por ato janë mjet i rëndësishëm për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar të pakicës përkatëse. Në këtë kontekst, kultura kombëtare është vetëm njëri prej elementeve të formësimit të identitetit kombëtar.
Zhvillimi dhe roli i medias në gjuhën shqipe në Mal të Zi mund të krahasohet me shtypin shqiptar të periudhës së Rilindjes Kombëtare, edhe pse në një kontekst krejt tjetër kohor.
Mediet në gjuhën shqipe në Mal të Zi janë të lidhura ngusht me të drejtat e shqiptarëve në këtë vend dhe identifikohen me problemet e tyre. Politika e tyre redaktuese përcaktohet a priori nga qenia e shqiptarëve pakicë kombëtare në këtë vend.
Kultura shqiptare zë hapësirën kryesore në këto media duke qenë se ajo shikohet si element i rëndësishëm i ruajtjes dhe i zhvillimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Njëri prej shkaqeve kryesore është se mediet e shumicës, jo vetëm ato private por edhe ato publike, nuk i kushtojnë vëmendjen dhe hapësirën e duhur kulturës shqiptare. Për rrjedhojë, mediet në gjuhën shqipe në Mal të Zi janë i vetmi vend për promovimin e kulturës që krijohet nga shqiptarët në Mal të Zi.
Sa i përket formave të shfaqjes së kulturës, në kohën kur ka një sulm të kulturave të tjera të mëdha që përmes medias të ndikojnë tek opinioni, qoftë nëpërmjet telenovelave, importimit të modeleve të gatshme kulturore etj., media në gjuhën shqipe në Mal të Zi mundohet t’u bëjë ballë këtyre tendencave të sotme globale.
“Koha javore” në mbrojtje të kulturës kombëtare
Gazeta “Koha javore”, e përjavshmja e vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi, është shembulli më tipik i përfaqësimit të kulturës kombëtare në median shqipe në Mal të Zi. Përkundër faktit se “Koha javore” që nga fillimi i saj në vitin 2002 është financuar nga buxheti shtetëror, politika e saj redaksionale ka pasur gjithnjë synim mbrojtjen e vlerave kulturore dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Sipas redaktorit përgjegjës Ali Salaj, kjo gazetë i kushton një hapësirë të konsiderueshme kulturës kombëtare duke e parë atë “si pjesën më të rëndësishme dhe shtyllën mbështetëse në ruajtjen e identitetit kombëtar”, por sidomos “e mbështet kulturën e shqiptarëve në Mal të Zi, e cila me veçantitë e veta po mbijeton fuqishëm në mozaikun e kulturës mbarëkombëtare.”
Ai thotë se “duke marrë parasysh se kultura e shqiptarëve në Mal të Zi fare pak ose aspak nuk pasqyrohet në mediet shqipe në rajon, atëherë roli i gazetës ‘Koha javore’ është edhe më i rëndësishëm, pasi ajo shndërrohet në një arkivë të ruajtjes dhe sistemimit të kulturës së një komuniteti”.
Edhe pse në këtë gazetë vetëkuptohet që dominon pasqyrimi i kulturës që krijohet nga shqiptarët në Mal të Zi, ajo shikohet si pjesë e pandarë e mozaikut kulturor mbarëkombëtar. Njëra prej veçorive të saj është krijimi i hapësirës së përbashkët kulturore shqiptare.
Përkundër prirjeve edhe të medieve më prestigjioze për t’u afruar sa më shumë publikut të gjerë, “Koha javore” vazhdon të jetë konservatore në rubrikat e saj të kulturës. Kultura që ofrohet në këtë gazetë i ofrohet më tepër shtresës intelektuale sesa masës. Kjo bëhet me qëllim sepse roli i kësaj gazete të vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi është para së gjithash edukimi i lexuesit shqiptar me kulturë kombëtare elitare.
(Ky artikull, i cili botohet me rastin e 15-vjetorit të daljes së numrit të parë të gazetës „Koha javore“, është shkëputur nga një studim më i gjatë mbi raportin e medieve të pakicave dhe kulturës kombëtare)