Gjergj Gjokaj, figurë e pakontestueshme e arsimit shqip

Nga Gjekë Gjonaj

Plejadës së mësuesve pishtarë e veteranë trieshianë të gjysmës së shekullit të kaluar, të cilët mbi dyzet vite punuan pa u lodhur dhe me entuziazëm e dashuri në arsimin e gjeneratave të tëra shkollarësh, i përket edhe mësuesi Gjergj Gjokaj, siç e thirrnim ne të gjithë pa përjashtim, ish-nxënësit, intelektualët dhe miqtë e tij.

Epitetin “Mësues” e fitoi në shtator të vitit 1957 , kur u diplomua në Shkollën Normale të Prishtinës dhe e mbajti me nder deri më 22 prill 2006, kur mbylli sytë përgjithmonë, duke kultivuar te brezat tanë, ndjenjën arsimdashëse, kulturë dhe vetëdije kombëtare. Kjo figurë e pakontestueshme e arsimit shqip, cili pesë vite punoi në fshatin Golesh ( Lipjanë) në Kosovë e më pastaj deri në pension në vendlindjen e tij në Triesh – Malësi do të mbetet udhërrëfyes dhe frymëzues i brezave tanë për përparimin dhe zhvillim shoqëror për mes dijes, kulturës dhe arsimit.

Mësuesi Gjergj, gjatë tërë jetës zhvilloi betejë të pa kompromis për shpërndarjen e rrezeve të dijes dhe të diturisë kombëtare shumë brezave shqiptarë. Pra, në historinë e lavdishme të arsimit shqiptar, të përpjekjeve për t’i dhënë dije dhe mësim kombëtar popullit tonë të shumëvuajtur.

Emri i tij dhe i pishtarëve të tjerë veteranë të arsimit shqip nuk do të harrohet kurrë. Por gjithmonë do të mbeten në zemrat e gjirit të popullit që lindi. Ata janë meteorët që prijnë si fanari, duke ndriçuar rrugën që e trasuan me dekada. Andaj ne edhe pas njëmbëdhjetë vitesh që nuk është më në mesin tonë, e përkujtojmë me respekt emrin dhe veprimtarinë e tij arsimore-edukative.

Jeta, veprat, virtytet, karakteri, sinqeriteti, humanizmi, mirëkuptimi, toleranca, shpirti i madh i tij, janë një grusht i vogël epitetesh që mund të thuhen për të.

Mësuesin tim të parë Gjergjin e kujtoj gjithmnonë me shumë respekt e admirim për punën e tij dyzetvjeçare në fushën e arsimit. E adhuroj me po aq dashuri e mirësjellje që na jepte ai në procesin arsimor, duke u përpjekur që tek ne të zgjojë dashurinë për gjuhën shqipe dhe për popullin shqiptar.

Më kujtohet si sot takimi me mësuesin tim tek dera e shkollës. Sa të bukur më dukeshin sytë e tij të bukur dhe buzëqeshja e tij e ëmbël. Sa të bukura më dukeshin rrobet e tij të pastra dhe këpucët e tij të ilustruara. Edhe këmisha e tij e bardhë e hekurosur ishte në qendër të vëmendjes sime. Atëherë më e kisha të qartë. Ky do të jetë mësuesi im i parë, me të cilin do t’i kaloja ditët e vitit të parë të shkollimit tim. Dhe ashtu ishte. Na përqafoi të gjithëve me radhë. Kurrë nuk do t’i harroj ata gishtërinj, të cilët lehtë -lehtë e ledhatuan fytyrën time të njomë që ishte e përshkuar nga të dridhurat. E kisha të qartë se do ta kem një mësues të dashur, i cili do të na dojë dhe ne do ta donim edhe më shumë. Nga ai do të mësonim shkronjat e para. Dhe me kënaqësi të madhe filluam me tingullin dhe shkronjën A.

“ A e madhe e dorës. A e vogël e dorës. A e madhe e shtypit, A e vogël e shtypit” , tingëllonin fjalët e ëmbla të mësuesit. E unë isha i habitur. Mendoja se është vetëm një A, e jo katër sosh, aq sa dëgjoja nga goja e ëmbël e mësuesit tim të parë, i cili shpejtë me hyri në zemër, nga e cila nuk doli kurrë më. Nga ai nuk mësuam vetëm të shkruajmë e të lexojmë. Po edhe shumë gjëra të reja, pa të cilat nuk mund të bëhesha ai që jam sot.

Edhe tani e kujtoj shpesh fytyrën e tij të bukur e fisnike. Është kjo një dashuri e veçantë, e pashpjeguar. Dashuri e pashuar. Tiparet e fizionomisë së tij kurrë nuk do të hiqen nga kujtimet e mia.

Gjatë viteve në vazhdim kam pasur shumë mësues të tjerë, arsimtarë e profesorë. I kam dashur edhe ata, por kurrë sa mësuesin tim të parë, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time, në jetën time..

Edhe kolegët, të gjithë nxënësit, kushdo e takoi atë në jetë, të gjithë e kujtojnë me mallëngjim e dashuri këtë mësimëdhës të dashur e të urtë, këtë njeri të qetë, zemërgjërë, bujar… Mirëpo, mirënjohja më e mirë janë vet gjeneratat e nxënësëve të cilët u edukuan, të cilët morën mësimet e para të gjuhës shqipe, të atdhedashurisë e mësimet jetësore nga mësuesi Gjergj, i cili i deshti ata të rinjë e të reja sikur fëmijët e vet , sikur jetën e tij.

Tags: ,
  • Curani

    Kenaqesi eshte te rikujtosh nje mesues te tille- pata fat te isha nxenesi i tij- i nje njeriu te dijes dhe i nje atdhetari te larte-Njerzit si Gjergji nuk vdesin kurr- pushosh ne paqe….

  • Suka

    Pergezoj Zotri Gjeken per kete shkrim kaq mbreselenes- Vertete i ndjeri Gjergj ka meritua nje shkrim te tille- dhe me shume se kaq nga Trieshjanet- krenar duhet te jete familja dhe farefisi per nje bir te tille- qe i dha Trieshit e Malesise- Gjergji asnjehere nuk iu dorezua sistemit te kohes- me dinjitet dhe me dashuri punoi me nxenesit- duke i mesuar dije- edukate dhe dashurine e madhe per vendlindjen dhe per atdhetari….
    Njerzit qe sakrifikojne si i ndjeri ne fjale nuk vdesin kurr- se nuk e kishte te lehte udhetimin neper male per te vijuar mesimin- nje shembull per ju intelektual te ardhshem qe asnjehere nuk duhet shitur dinjiteti – se si po shkruhet per kete njeri me virtyte me te larta njerzore- ( per disa udheheqesa shkollor do te shkruhet nje histori e erret qe dikur do te trypnohen pasardhesit )…
    Prinderit te paten pagzuar me njerin nder emrat me te bukur shqiptar- Gjergj- dhe emrin e mbajte me dinjitet te larte…. Pushofshe i qete ne malin e Trieshit- qe aq shume e deshte…

  • M ja

    Njeriu me vlera sic ishte mesiesi im i ndjere GJERGJ, nuk vdes kurr, kishte vlera njerzore,morale dhe atdhetare. Pergezoj shokun tim Gjeken per kete shkrim kaq ne nivel, te medhenjt nuk vdesin kurr, Gjergji do te rroje sa Trieshi e Malesia.
    Pushofte ne paqe