Mali i Zi është i njohur si shtet policor, ku policisë i janë dhënë kompetenca të posaçme. Në vend që policia të jetë instrument për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit, ajo është keqpërdorur në të kaluarën dhe vazhdon të keqpërdoret edhe sot nga pushteti për të arritur qëllimet e tij për të ruajtur me çdo kusht pushtetin. Ndërsa vetë policia ka ndërtuar imazhin e të gjithëpushtetshmit, duke e konsideruar veten mbi shtetin dhe që nuk ka kush çfarë t’i bëjë.
Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, në kohën e luftës ndëretnike dhe çmendurisë kolektive, policia malazeze ka ushtruar dhunë, terror, frikë etj. ndaj shqiptarëve dhe pakicave të tjera në Mal të Zi. Kjo është arsyeja që te pjesa më e madhe e shqiptarëve në Mal të Zi, figura e policit është e urryer, ngjall neveri, vetëm një numër i vogël i shqiptarëve punojnë në polici etj. Prandaj edhe çdo aksion policor, pavarësisht qëllimit të tij, shikohet me dyshim nga shqiptarët.
Pavarësisht faktit se që nga ajo kohë kanë kaluar mbi njëzet vjet dhe rrethanat politike-shoqërore kanë ndryshuar ndjeshëm, ku Mali i Zi ka shpallur pavarësinë dhe është bërë anëtar i NATO-s, një pjesë e pjesëtarëve të policisë së asaj kohe vazhdojnë të jenë të angazhuar në polici, ndërsa metodat që përdor policia në veprimtarinë e saj kanë mbetur të njëjta. Kohë pas kohe, policia ndërmerr aksione duke përdoruar forcat e ndërhyrjes së shpejtë, siç ishte edhe aksioni të shtunën mbrëma në Ulqin, që të kujton vitet e errëta ’90 të shekullit të kaluar, kur policia malazeze dhe njësitë paramilitare, në luftën e shtrigave ushtronin dhunë dhe terror ndaj popullsisë shqiptare në Ulqin dhe qytetarëve të zhvendosur nga zonat e luftës në ish-Jugosllavi. Ky nuk është rasti i parë që policia ndërmerr aksione të tilla në Ulqin, sidomos gjatë sezonit turistik, kur numri i banorëve rritet ndjeshëm. Në parim, aksionet e tilla duhet përshëndetur sepse dihet që rritja e numrit të banorëve, si rezultat i turistëve, bart me vete edhe rrezikun e rritjes së shkallës së krimit. Por metodat e përdorura nga policia në luftë kundër krimit nuk mund të arsyetohen. Arsyetimi me justifikimin se aksioni është ndërmarrë për shkak të keqtrajtimit të një polici, jo vetëm që nuk është bindës, por është edhe amator sepse ka shumë gjëra që nuk shkojnë dhe që nuk mund të arsyetohen.
Askush nuk duhet t’i mbrojë sulmuesit e policisë, por a duhet të hakmerret policia ndaj të gjithë qytetarëve, pavarësisht moshës, dhe ndaj një qyteti të tërë? Cili është faji i atyre klientëve që në natën e aksionit policor ndodheshin në njërin prej lokaleve ku është ushtruar kontroll? Si mund të arsyetohet demonstrimi i forcës ndaj popullsisë civile, duke i poshtëruar banorët dhe turistët që në fundjavë, në fillim të sezonit turistik kishin ardhur në Ulqin? Përpos kësaj, policia nuk ka bërë as përzgjedhjen e orarit të përshtatshëm e as të lokaleve që mund të konsiderohen problematikë në aspektin e sigurisë.
Që prej shumë vitesh, Ulqini mban epitetin e qytetit më të qetë në Mal të Zi, jo për shkak të rolit dhe kontributit të policisë, sepse ajo është njëlloj si në qytetet tjera, por para së gjithash për shkak të qytetarëve të tij. Prandaj edhe demonstrimi i forcës dhe i dhunës ndaj popullsisë civile në Ulqin, e cila mund të trajtohet edhe si përpjekje e disiplinimit të popullsisë dhe qytetarëve të tij, është e pakuptueshme dhe e papërgjegjshme.
E nëse aksioni i dhunshëm i policisë përbën gabimin e parë, atëherë reagimi i Drejtorisë së Policisë lidhur me aksionin policor në Ulqin përbën gabimin e dytë sepse në vend që të kërkojë falje, policia mbron aksionin e dhunshëm të policisë duke u përpjekur që ta paraqesë policinë si viktimë.
Në vendet perëndimore dhe demokratike, policia përdor forcën vetëm në rastet ekstreme të mosbindjes apo kur ndaj saj ushtrohet dhunë. Prandaj rasti i fundit i aksionit të policisë në Ulqin dëshmon se Mali i Zi nuk i plotëson standardet evropiane sa i përket policisë, rrjedhimisht nuk është i përgatitur për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.