Kaosi urbanistik, apo dalldia e ndërtimeve pa leje

Shkruan Gjekë Gjonaj

Çdo qytetar  i  Ulqinit, njëlloj si çdo qytetar i botës,   dëshiron të ketë një  mjedis të pastër. Hapësira të gjelbëruara. Të  planifikuara.  Parqe të bukura. Infrastrukutrë  adekuate.Të nevojshme. Funksionale. Plane të aprovuara urbane. Lagje më urbane. Ndërtime me infrastrukutrë përkatëse. Thënë shkurt një mjedis të mbrojtur dhe të menaxhuar me më shumë kujdes. E me përgjegjësi më të lartë qytetare. Praktika e deritashme  e zhvillimit stihik të qytetit të Ulqinit, në mungesë të Planit Hapësinor Urbanistik,  ka krijuar një kaos urbanistik.  Një situatë krejtësisht konfuze ose e parregullt, urbane. Për pasojë të  kësaj  mungese  totale e organizimit urban në Ulqin  kemi telashe e halle të mëdha të zhvillimit urban dhe ndërtimit.

Në çdo bisedë apo  diskutim për zhvillimin e këtij qyteti, pothuaj është e pashmangshme  shprehja “ kaos urban” dhe përpjekja për të gjetur fajtorët. Në një situatë të këtillë nuk mendoj se është e rëndësishme të merremi vetëm me  definimin e  shkaktarëve dhe  fajtorëve, pasi të gjithë e kemi hisen e përgjegjësisë. Kush më pak e kush më shumë.  Më të rëndësishme e vlerësoj vullnetin dhe përjekjet e fundit  të pushtetarëve vendorë dhe qëndrorë për të ndryshuar sjelljen  ndaj këtij problemi ( lexo ndërtimi pa leje) , me ndikim të madh në jetën  dhe cilësinë e jetës  së qytetarëve të këtushëm  në përgjithësi.   Në këtë kontekst e lexoj  vizitën e fundit që i bënë Ulqinit   delegacioni qeveritar prej  katër ministraash, ministri i Drejtësisë dhe nënkryetari i Qeverisë Zoran Pazhin, ministri  i Turizmit dhe Zhvillimit të Qënndrueshëm Pavle Radulloviq,  ministri i Punëve të Brendshme Mevludin Nuhoxhiq, minsitri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmet Zenka. Bashkë me ta  edhe  sekretarja  e Ministrisë së Drejtësisë Nada Stanishiq, drejtoresha e Drejtorisë për Planifikim  të Hapësirës Dragana Çeniq, drejtori i Drejtorisë për Ndërtimtari Danilo Gvozdenoviq dhe shefi i Kabinetit  të ministrit për të turizmit Mileva Lukiq.   Kjo,  nëse nuk jam gabuar,  është hera e parë  në periudhën e pluralizmit politik që  brenda një dite  të kenë vizituar Ulqinin kaq funksionarë të lartë të shtetit. Dhe është mirë që kanë ardhur. Le të vijnë përsëri, në të mirën e qytetarëve të këtij qyteti. Pa një partneritet,  bashkëpunim dhe korodinim të pergjegjshëm,  serioz   të veprimeve të përbashkëta të zyrtarëve komunalë dhe atyre   qendrorë  nuk mund të ndalohet me sukses kjo dalldi e ndërtimeve pa leje në  këtë qytet. Pa këtë bashkëpunim  të fortë të vetëqeverisjes vendore me atë qendrore nuk është i mundur as zhvillim ekonomik  as valorizimi i potencialeve të Ulqinit.

Ministri i Drejtësisë dhe nënkryetari i Qeverisë  Pazhin theskoi vendosmërinë e qeverisë  se do  të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ndalimin e ndërtimeve pa leje  sepse kjo dukuri, siç tha, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërcënon interesin publik dhe sfidon rendin juridik të shtetit.

Edhe kryetari i Komunës së Ulqinit  Nazif Cungu  paralajmëroi  procesin e legalizimit të ndërtimeve informale.  “Qytetarët  të cilët kanë ndërtuar për nevoja ekzistenciale dhe ata të cilët në mënyrë brutale kanë shkelur ligjin duke ndërtuar objekte për përfitime materiale nuk do të kenë të njëjtin trajtim gjatë procesit të legalizimit”, është shprehur Cungu.

Tani qytetarët e Ulqinit presin rezultate konkrete, të menjëhershme, efikase   nga  institucionet lokale, qendrore dhe nga gjykatat.  Mosveprimi i tyre i shpejt dhe i duhur  në  pajtim me  ligjin dhe anashkalimi i rregullave  në rrethanat tona do të kenë ndikim serioz në vazhdimin e   një kasoi të krijuar të situatave urbane, me pasoja shumë më  të mëdha.