Aksion humanitarë me rastin e Ditës së Flamurit

Të martën e kaluar, më 28.11.2017, me rastin e 28.Nëntorit – Ditës së Flamurit, Tifozat Kuq e Zi, tifogrupi më i madh i Kombëtares shqiptare, si gjithnjë i prirë nga ideja për solidarizim dhe bashkim ndërshqiptarë, në nderë të kësaj dite realizuan një aksion humanitarë, me ç’rast u shpërndanë mjete financiare për disa familje në nevojë nga të gjitha trojet shqiptare.

Këtij aksioni me kënaqësi iu bashkangjitën edhe Tifozat Kuq e Zi nga Malësia, të cilët për një afat kohor relativisht të shkurtë arritën të grumbullojnë shumën prej 910 eurosh dhe 100 dollarësh, e që iu shpërndanë tri familjeve në Malësi.

Edhe pse aksioni kishte për qellim grumbullimin e mjeteve nga vetë antarët e TKZ-së, dhe si i tillë nuk u bë publik, disa vullnetarë dhe dashamirës që nuk janë antarë të tifogrupit tonë, me të dëgjuar për këtë aksion, paraqitën gadishmërinë për ta përkrahur atë. Ne normalisht që pranuam kontributin e tyre, dhe kësaj radhe ne shfrytëzojmë rastin të shprehim mirënjohje dhe falenderim të veçantë për ta! Ky gjest i tyre tregon se TKZ-ja gëzon mbështetjen e krejt shqiptarëve në iniciativa dhe aksione që kultivojnë dhe rrisin vlerat tona të shenjta kombëtare.

Gjatë përzgjedhjes së familjeve marrëse të këtij donacioni, përpos gjendjes së vështirë ekonomiko-sociale të familjes, TKZ-ja një vëmëndje të veçantë u kushton edhe vlerave kombëtare që ajo familje reflekton në rrethin ku jeton – ruajtjes së identitetit shqiptar dhe të frymës shqipe, e që nuk është aspak e lehtë në një kohë kur presionet vijnë nga shumë drejtime.

Tifozat Kuq e Zi, si grupacion unik, këtë aksion e zhvilluan nëpër të gjitha trojet shqiptare, ku përpos tri familjeve në Malësi, u ndihmuan nga një familje në Kosovë, Dibër dhe Shqipëri, si dhe dy familje nga Presheva.

Duke respektuar vendimin e TKZ-së që ky aksion të mos përcillej mediatikisht e as të mos publikohej ndonjë fotografi apo videoinçizim, nuk po bëjmë publik emrat e familjeve që u ndihmuan.

Vlen të ceket se ky është viti i dytë radhazi që në nderë të 28.Nëntorit TKZ-ja ndërmerr një aksion të tillë, pasi edhe vitin e kaluar u ndihmuan nga dy familje në Malësi dhe në Preshevë. Shpresojmë se ky aksion do ta ruajë vazhdimësinë dhe si i tillë do të bëhet tradicional, për ta bërë edhe më të gëzueshme Festën e Flamurit për shumë familje shqiptare.

Gjatë këtyre 14 viteve veprimtarie, Tifozat Kuq e Zi, tifogrupi i parë dhe më i madh në mbështetje të Kombëtares, jo vetëm se i qëndroi besnik Kombëtares sonë nëpër stadiume brenda dhe jasht Shqipërisë, por pa rreshtur së vepruari në asnjë moment, u bënë promovuesit më të mirë të mirë të bashkimit ndërshqiptarë.

Jemi krenarë që ishim pjesë e këtij aksioni, i cili tetë familje shqiptare i bëri edhe më të lumtur në ditën më të rëndësishme të Kombit tonë.

Të gjithë atyre që ndihmuan, faleminderit pamasë!

Tifozat Kuq e Zi – Tuz, Malësi