Pas zgjedhjeve lokale të zhvilluara në Malësi, më 26 nëntor, Alternativa Shqiptare ka ftuar UDSH-në dhe LDSH-në për respektimin e Marrëveshjes që kishin nënshkruar këto subjekte për bashkëveprim pas-zgjedhor.
Edhe pse tre subjektet shqiptare nuk fituan shumicën, ASH-ja i ftoi që të fillojnë negociatat për formimin e pushtetit lokal në Tuz, por me bashkëveprim dhe jo të ndara.
Megjithatë, UDSH-ja tashmë ka paralajmëruar pjesëmarrjen në pushtet, ndërkohë që fajëson ASH-në për mos-jetësimin e Marrëveshjes.
Në përgjigjen e UDSH-së drejtuar ASH-së shkruan:
“– Unioni Demorkatik i Shqiptarëve si gjithmonë ishte i gatshëm për bashkëpunim, edhe përkundër gjoja kalkulimeve matematikore që sipas Partisë tuaj do të çonin në disfavor të votuesve tuaj dhe humbjes së votave nëse do të bëni koalicion me UDSH-në. Kjo dëshmoi se interesat kombëtare dhe bashkëjetesa në Malësi, nga ana Juaj dhe ASH-së u lanë qëllimisht anash për interesa partiake, prandaj UDSH shpreh indinjatën më të thellë për mosrealizimin e koalicionit parazgjedhor;
– Reagimi i anëtarit tuaj, Z. Nikë Gjeloshaj se UDSH tradhëtoi Tiranën dhe se lista e UDSH-së lirisht mund ti bashangjitet listës së PDS-së dhe të shkrihet sepse as që do të kaloi cenzusin nuk lënë hapësirë bashkëpunimi në nivel lokal, sa i takon Degës së UDSH-së në Tuz, dhe se nuk mund të flitet për një veprim të përbashkët në këtë moment. “
Tashmë është edhe definitivisht e qartë se Marrëveshja e subjekteve shqiptare e nënshkrua në Tiranë, nuk do të jetësohet.
Siç mëson CDM, këto ditë do të fillojnë bisedimet për formimin e pushtetit lokal në Tuz, në mes të DPS-së, Partisë boshnjake dhe UDSH-së, të cilat e kishin pushtetin edhe në përbërjen e kaluar.
Sipas CDM gjithashtu mësohet se në koalicion do të përfshihen edhe Socialdemokratët (SD), por me mundësi që në të të hyjë edhe ndonjë parti tjetër shqiptare.
Bartësi i listës së DPS-së Halil Dukoviq u shprehë se nuk është befasuar me rrjedhjen e ngjarjeve.
”Së shpejti do të ulemi e bisedojmë më Partinë boshnjake dhe UDSH-në, dhe besoj që shumë shpejt do të merremi vesh për formimin e qeverisë në Tuz. Besoj që në biseda do të fusim edhe SD-në, por edhe parti tjera shqiptare përveç UDSH-së. Dëshirojmë koalicion të gjërë, që edhe e kemi thënë”, shprehet Dukoviq për CDM. /MALESIA.ORG/