Nga Toni Ujkaj
E drejta e arsimimit në gjuhën amtare është një e drejtë themelore e garantuar si me Kushtetutën e Malit të Zi ashtu edhe me konventat ndërkombëtare, e drejtë kjo që do të duhej ta gëzonte çdo fëmijë i cili pa dyshim se më mirë sesa gjuhën e nënës, nuk mund ta zotojë gjuhën e tjetrit.
Një problem i cili duhet konsideruar madhor dhe kërkon vëmendje dhe angazhim maksimal, është çështja e bojkotit të mësimit të mbi 100 nxënësve në SHF “Mahmut Lekiq” në Tuz, të cilët qe nga fillimi i vitit shkollor janë detyruar të braktisin mësimin në lëndën e italishtes si pasojë e neglizhencës totale ndaj kërkesave të tyre të cilët vazhdimisht dhe me të drejtë po kërkojnë mësimdhënës shqipfolës për këtë lëndë.
Ky problem është identifikuar nga Këshilli i prindërve i SHF “Mahmut Lekiq” të cilët ende po luftonë me shumë këmbëngulje për ta zgjidhur problemin e të cilët që para tre muajsh e kanë bërë publike këtë situatë të krijuar jo ditëve as mujave të fundit, por siç kanë thënë ata, një situatë e cila ka qenë prezente vite me radhë në këtë institucion, por që si duket deri më tani ka kaluar në heshtje duke u neglizhuar nga hierarkia drejtuese e këtij institucioni edukativo-arsimor.
Në të gjitha deklaratat e deritanishme të cilat Këshilli i prindërve i ka lëshuar për opinion të gjerë, qëndron vetëm një kërkesë e tyre legjitime, mësimdhënës shqipfolës për gjuhën italiane pasi logjikisht nxënësit shqiptarë e kanë shumë më të lehtë që procesin mësimor qoftë në këtë lendë ose ciladoqoftë ajo, ta ndjekin në gjuhën amtare dhe jo në atë të huaj.
Që nga muaji shtator kur Këshilli i prindërve reagoi për herë të parë për këtë situatë, ky këshill u shpreh se gjuha shqipe në këtë institucion po nëpërkëmbet dhe se nxënësit shqiptarë këtu po diskriminohen vite me radhë duke jua mohuar dhe cënuar të drejtën për t’u arsimuar në gjuhën e tyre të nënës.
Ky këshill para tre muajsh kishte sqaruar opinionin se edhe pse përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë përkatëse kanë dalë me deklarata se problemi është zgjidhur plotësisht, e vërteta sipas këtij këshilli qëndron ndryshe dhe se problemi vijon të jetë ende aktual, pavarësisht kërkesave të tyre të adresuara herë pas here në drejtorinë e shkollës, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.
Në deklartën e fundit që ky këshill e ka lëshuar për opinion para dy javësh, përsëri thuhet se problemi vijon të mbetet i pandryshuar, duke bërë të ditur se institucionet kompetente dhe përfaqësuesit politikë kanë rënë në gjumë të thellë, duke mos bërë asnjë përpjekje për t’u ardhur në ndihmë nxënësve në bojkot të mësimit.
Vërtetë është për të ardhur keq dhe për t’u brengosur se pse askush nuk po zgjon interesim për ta zgjidhur këtë situatë të pakëndshme të krijuar në këtë shkollë. Nëse dikujt prej drejtuesve të kësaj shkolle i shkon në favor që këtë problematikë ende ta heshtin, është e pafalshme që të mos angazhohen persona të tjerë të cilët kanë influence dhe pozita vendimmarrëse e që mbi të gjitha ua duan të mirën fëmijëve të tyre dhe vendit ku jetojnë.
Vlen për t’u theksur se deri më tani në bazë të kërkesave të vazhdueshme disamujore të Këshillit të prindërve për këtë çështje, ka reaguar pozitivisht Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi i cili përmes një deklarate për opionin ka sqaruar se ata e kanë përcjellur me shumë vëmendje situatën e krijuar prej disa muajsh në këtë institucion, duke shprehur shqetësimin e tyre për bojkotin e mësimit nga një pjesë e nxënësve shqiptarë, një situatë kjo që sipas tyre vjen si pasojë e politizimit të sistemit arsimor dhe e mosgarantimit të së drejtës së arsimimit të plotë në gjuhën shqipe duke bërë me dije se ky këshill ka kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit që të zgjidhet ky problem.
Në këtë kuadër, KKSH ka ftuar Ministrinë e Arsimit dhe drejtorin e SHF “Mahmut Lekiq” që të ndërmarrin veprimet e nevoshjme për zgidhjen e situatës së krijuar, duke sqaruar se KKSH-ja do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për garantimin e së drejtës së arsimimit në gjuhën amtare shqipe dhe se nuk do të lejojë dhe do të denoncojë shkeljen e të drejtave në dëm të arsimit shqip të fëmijëve shqiptarë në Mal të Zi.
Në një prenoncim për “Koha Javore”, njëri nga anëtarët e Këshillit të prindërve të SHF “Mahmut Lekiq” javë më parë ishte shprehur se ata ndër vite përballën me problemin e mosligjërimit të gjuhëve të huaja nga mësimdhënës në gjuhën shqipe, duke vënë në dukje se drejtori i kësaj shkolle edhe këtë vit kishte tentuar të punësojë një arsimtare të pakualifikuar, madje në kundërshtim edhe të kolektivit të shkollës.
Nisur nga kjo situatë e krijuar do të ishte më tepër se e domosdoshme që kësaj problematike jo të vogël t’i jepet fund njëherë e mirë në mënyrë që këta nxënës t’i gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj dhe t’i rikthehen normalitetit të procesit mësimor.
“Edhe përkundër kërcënimeve dhe etiketimeve poshtëruese që po na bëhen, nuk do të ndalemi në kërkesat tona të drejta për fëmijët tanë. Ne si prindër edhe pse pa mbështetje të askujt, nuk do të zbrapsemi por dita ditës do të bëhemi edhe më të fortë dhe më këmbëngulës për të drejtat tona të ligjshme, duke mos lënë asnjë gur pa lëvizur në çdo adresë, vetëm e vetëm që të ndalojmë këtë praktikë diskriminuese për arsimin shqip”, thuhet në mes tjerash në reagimin e fundit të Këshillit të prindërve të cilët kanë njoftuar se këtë shqetësim të përveçse mbi 100 nxënësve, po e vuajnë dhe mbi 200 prindër.
Ndërkaq në këtë kuadër do të duhej që në mënyrë të menjëhershme kreu i këtij institucioni si dhe Ministria e Arsimit të ndërmarrin masa konkrete deri në zgjidhjen e plotë të kësaj situate të rënduar në këtë shkollë, pasi fëmijët janë ata të cilët janë krejtësisht të pafajshëm në këtë aspekt, duke pësuar për shkak të papërgjegjësive dhe indiferencës së të tjerëve ndaj tyre.