Shqipëria iu bashkua shumicës së vendeve anëtare të OKB-së, të cilat votuan pro rezolutës për shpalljen “nul” të vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.
Rezoluta e iniciuar nga Egjipti mori 128 vota pro dhe 9 vota kundër, mes të cilave ishin edhe ajo e Izraelit dhe SHBA-ve.
Pas këtij vendimi ka ardhur edhe reagimi i ashpër i SHBA-ve ndaj OKB-së.
“Do ta mbajmë mend kur do të kërkohet nga ne të japim kontributin më të madh për OKB dhe do ta kujtojmë kur shumë shtete do të presin nga ne të paguajmë më shumë dhe të përdorin ndikimin tonë për përfitimin e tyre”, tha ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley.
Haley shtoi se pavarësisht vendimit, Ambasada amerikane në Izrael do të zhvendoset në Jerusalem.
“Asnjë votë në OKB nuk do të ndryshojë këtë”, shtoi ajo. “Por, kjo votë do të ketë ndikim se si amerikanët e shohin OKB-në dhe shtetet që nuk na respektojnë në OKB. Kjo votë do të mbahet mend”.