Sot është dita e fundit e vitit 2017, ndërkaq disa nga ngjarjet që do të veçohen gjatë vitit 2017 në Malësi janë këto:
Ngrirja e lumit Cem nga temperaturat e ulëta
Gjatë muajit janar në Malësi mbizotëroi mot shumë i ftohtë, që sipas meteorologëve ishin temperaturat më të ulëta që një gjysmë shekulli.
Temperaturat e ulëta kishin bërë që një pjesë e lumit Cem në Dinoshë të ngrihet akull, nga bregu në breg. Banorët e kësaj zonë nuk mbajnë mënd të ketë ndodhë ndonjëherë ngrirje e Cemit në këto përmasa.
Aprovohet Ligji me të cilin Tuzi-Malësia do të merr statusin e Komunës
Më 27 prill Parlamenti i Malit të Zi ka votuar Ligjin me të cilin Tuzi-Malësia fiton statusin e Komunës së plotë, status i cili pritet që 27 vite. Ndërkaq implementimi i këtij ligji duhet të pritet deri më 1 shtator 2018.
Zgjedhjet lokale në Malësi, partitë shqiptare humbin keq
Në zgjedhjet lokale të zhvilluara më 26 nëntor në Malësi, partitë shqiptare humbën zgjedhjet.
Tri partitë shqiptare fituan vetëm 12 mandate nga 32 të mundshme, ndërsa DPS-ja e vetme mori 14 mandate. Alternativa Shqiptare fitoi 7 mandate, Lidhja Demokratike Shqiptare 3 mandate dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve 2 mandate.
Ngjarjet më të rëndësishme në botë gjatë vitit 2017
Lista e mëposhtme e ngjarjeve më të rëndësishme në botë gjatë vitit 2017, është përpiluar nga “Council on Foreign Relations”. Shumë prej këtyre ngjarjeve kanë tronditur mbarë botën dhe sigurisht do të kenë efektet e tyre edhe gjatë vitit 2018.
10. Largimi i Robert Mugabes (diktatori i Zimbabwes)
A mundet që një person të jetë edhe hero, edhe personazh negativ? Karriera e Robert Mugabes na tregon se një gjë e tillë është plotësisht e mundur. Njësoj si Nelson Mandela, në Afrikën e Jugut, Mugabe qëndroi për shumë vite në burg. Por ndryshe nga Mandela, Mugabe nuk e kuptoi asnjëherë se demokracia, do të thotë se pushteti nuk është i përjetshëm. Ai e sundoi Zimbabwen për 37 vjet. Pushteti i tij përfundoi vetëm kur tanket u shfaqën në rrugë gjatë këtij Nëntori.
9. Britania aktivizon Artikullin 50, për të dalë nga BE-ja
Gjatë këtij viti, Mbretëria e Bashkuar, aktivizoi artikullin 50, i cili zyrtarisht fillon procesin e daljes nga Bashkimi Europian. Kjo lëvizje, e cila nuk mund të anullohet, do ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja jo më larg se viti 2020. Në Dhjetor të ketij viti, Britania dhe Bashkimi Europian, kanë arritur marrëveshjen në pikat më kryesore të divorcit. Viti 2018 do të jetë përcaktues sa i përket finalizimit të termave të kësaj marrëveshjeje.
8. Kriza e refugjatëve Rohingya
Rohingyat janë minoriteti më i persekutuar në mbarë botën. Ata jetuan në Mianmar për shekujt të tërë. Shumica prej tyre janë muslimanë. Rohingyat janë diskriminuar maksimalisht dhe qeveria e Myanmarit refuzon t’i njohë ata si qytetarë të këtij vendi. Dhuna më ekstreme ndaj këtij minoriteti filloi në Gusht të këtij viti, duke detyruar rreth 400,000 persona nga ky minoritet të largohen për në Bangladesh. Shumë prej personave të këtij minoriteti janë torturuar, përdhunuar dhe vrarë gjatë këtij vit.
7. Çlirimi i Mosulit nga ISIS
ISIS shokoi botën në vitin 2014, kur pushtoi Mosulin, një prej qyteteve kryesore të Irakut. Brenda një muaji ISIS deklaroi kalifatin. Forcat e armatosura nga Britania, Franca, SHBA-ja dhe Iraku, nisën një ofensivë për të çliruar Mosulin. Në Qershor të vitit 2017, pas 3 viteve nën pushtim, ky qytet u çlirua, por kostot ishin të mëdha. Rreth 40,000 civilë vdiqën dhe miliona persona u shpërngulën.
6. Mohammad bin Salman “transformon” Arabinë Saudite
Princi i Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman, është një djalë i ri por mjaft i vendosur. Në qershor të këtij viti, babai i tij, mbreti Salman, vendosi që ai të ishte trashëgimtari i tij, pasi përjashtoi nipin e tij, të caktuar më parë për këtë rol. Mohammad bin Salman, kërkon të transformojë Arabinë Saudite, duke modernizuar ekonominë, dhe shoqërinë. Ideja e tij është të përgatisë shtetin, për një epokë post-naftë, që nënkupton një ekonomi e cila nuk varet vetëm nga nafta që në një moment do të mbarojë.
5. Ekonomia botërore fillon të përmirësohet
Dhjetë vjet nga recesioni i madh qe pushtoi mbarë globin, po vihet re një përmirësim i ekonomisë dhe tregjet në mbarë botën po arrijnë rekorde . Sipas FMN-së, në mbarë globin ka patur rritje investimesh, shkëmbimesh tregëtare dhe rritje të prodhimit industrial.
4. Toka vazhdon të bëhet më e nxehtë
Toka po ngrohet me ritme të shpejta. Në shtator të vitit 2017, Agjensia Amerikane e Oqeaneve dhe Atmosferës, njoftoi se viti 2017, ishte viti i dytë më i nxehtë i matur ndonjëherë në tokë. Shkrirja dramatike e akullnajave, është një fenomen të cilin shkencëtarët e kanë parashikuar prej dekadash. Por pavarësisht provave të shumta se klima po ndryshon me ritme alarmante, qeveritë në mbarë botën kanë bërë pak për të ulur ndotjen e mjedisit dhe çlirimin e dioksidit të karbonit. Presidenti Trump, lajmëroi në qershor të këtij viti, se SHBA do të tërhiqet nga Marrëveshja e Klimës së Parisit.
3. Koreja e Veriut sfidoi botën
Shumë prej Presidentëve të SHBA-së, janë zotuar se nuk do të lejojnë që Koreja e Veriut të posedojë armë bërthamore. Por Koreja e Veriut nuk është bindur. Në Shtator të ketij viti, Koreja e Veriut, testoi rraketën e gjashtë bërthamore. Tre muaj më pas, ajo testoi një rraketë balistike, e cila ka kapacitetin të godasë SHBA-në. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Lideri Suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, janë përfshrë gjatë këtij viti në replika të ashpra, të cilat kanë tronditur mbarë botën. Në vitin 2018, konflikti mes të dy vendeve do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes.
2. Ngritja e fuqishme e Xi Jinping në Kinë
As këngëtarja Adele, me 5 çmime Grammy të fituara, nuk pati një vit më të mirë se Xi Jinping. Xi, u duartrokit për fjalimin e tij në Davos, në Janar të këtij viti, për përqafimin e globalizimit. Në Prill, Presidenti Trump u tregua mjaft miqësor me të në një samit ne Mar-a-Lago, duke larguar retorikën e tij të përhershme dhe të vrazhdë për Kinën. Në qershor, Xi, u duartrokit për mbashtetjen që i dha marrëveshjes për klimën në Paris. Por suksesi i tij më i madh, ishte në Kongresin e Partisë Komuniste në tetor, ku ai u caktua sërish për pësë vite në krye të partisë.
1. Donald Trump mban fjalën për premtimin “Amerika e Para”
Premtimi i fushatës së Donald Trump, se ai do t’i bëjë gjërat ndryshe, sidosmos në politikën ndërkombëtare, po materializohet. Ai ka anulluar pjesëmarrjen e SHBA-së, në marrëveshjen e klimës në Paris, ka refuzuar të deklarojë se Irani u është përmbajtur kushteve të marrëveshjes bërthamore, ka njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, ka shtuar përdorimin e dronëve dhe ka neglizhuar tërësisht të drejtat e njeriut.