Gjeloshaj: Të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë!

Alternativa Shqiptare pret që në bazë të marrëveshjes për bashkëveprim paszgjedhor me UDSH-në dhe LDSH-në të jenë pjesë e pushtetit të ri në Tuz-Malësi, pasi që bashkë i kanë 12 mandate.

Bartësi i listës i ASH-së, Nik Gjeloshaj, për Antena M tha se janë në pritje të përgjigjes nga UDSH-ja dhe LDSH-ja, por që nuk do të presin pafundësisht.

I pyetur nëse e konsideron bashkëpunimin me DPS-në, Gjeloshaj tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë.

“ASH dëshiron bashkëveprim me UDSH dhe LDSH, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha partitë që kanë këshilltarë në Kuvendin komunal të Tuzit”, tha Gjeloshaj për Antena M.

Në zgjedhjet e 26 nëntorit, nga 32 mandate sa ka Kuvendi i Tuzit, DPS-ja ka fituar 15 mandate, ndërsa tre subjektet shqiptare së bashku kanë vetëm 12 mandate (ASH 7, LDSH3, UDSH 2). DPS-së i duhen vetëm 2 mandate, që do ti mundësojnë formimin e pushtetit.

Në anën tjetër, nga Partia boshnjake, e cila ka fituar 3 mandate, kanë paralajmëruar se do të fillojnë bisedimet për formimin e pushtetit me DPS-në. Edhe bartësi i listës i DPS-së, Halil Dukoviq, duke mos dhënë detaje, ka veçuar partnerët e koalicionit tradicional, UDSH-në dhe Partinë boshnjake.  /MALESIA.ORG/