Nxënësit që ecin 18 kilometra në ditë për të shkuar në shkollë

Nxënësit nga fshati Kshevë ecin 18 kilometra për të shkuar dhe kthyer nga shkolla në Tuz.

Në mungesë të transportit, Marku, Liza, Shtjefni dhe Marieta, nxënës nga fshati Kshevë, për të shkuar dhe kthyer nga shkolla në Tuz, çdo ditë ecin 18 kilometra, shkruan gazeta Vijesti.

Shtjefen Kalaj, i cili shkollën e ka më së largëti, rreth nëntë kilometra, është nxënës i klasës së gjashtë.
Ai sqaron se zgjohet në ora pesë e gjysmë çdo mëngjes, për tu nisur në shkollë në ora gjashtë.

Babai i tij, Sokol Kalaj thotë se ai gjithashtu ecë me Shtjefnin një ose dy kilometra çdo mëngjes, për arsye se është ende pa dalë drita, ndërsa Shtjefni është vetëm 11 vjeç dhe ka frikë.

Ndërsa orët e mësimit mbarojnë në ora 14, dhe kthimi është edhe më i vështirë për këta nxënës sepse duhet ngjitur rrugës malore.

Shtjefni tregon se më së vështiri e kanë kur bie shi, borë, ose fryn era, ndërsa në çantë mbanë 11-12 libra, por që shkollën e ka obligim. Ata ecin bashkë, sepse e kanë më lehtë kur kanë me kë të bisedojnë.

Ai thotë se shkollën e do shumë, ndërsa lëndët e preferuara janë gjuha amtare dhe ajo italiane.

Babai i Shtjefnit sqaron se ai nuk ka kushte, as makinë për ta dërguar në shkollë, andaj apelon tek autoritetet përkatëse që të sigurojnë ndonjë lloj transporti për këta nxënës.

Në prag të festave të fundvitit edhe Shtjefni ka një dëshirë, e dëshira e tij e parë, siç shprehet ai është, “të kemi një makinë, apo diçka që të na çonte në shkollë”.

Për nxënës të kësaj zonë kjo nuk është diçka e re, në fakt ata asnjëherë nuk kishin transport shkollor të organizuar. /MALESIA.ORG/