IDENTITETI I RREZIKUAR APO ASIMILIMI POLITIK
Në sajë të rezultatëve të zgjedhjeve lokale për komunën e Tuzit që u mbajtën javën e fundit të nëntorit, del qartë se subjektet politike nacionale shqiptare nuk janë duke u mbeshtetur nga votuesit shqiptar, nga del se kemi të bëjmë me një çështje komplekse, ku përveç presionit permanent nga ana e pushtetit, përkatësisht nga partitë të ashtuquajtura qytetare, kemi të bëjmë me një proces i cili është duke ndikuar në zbehjen e identitetit të subjekteve politike shqiptare me pasoja asimilimin politik të këtij mjedisi
Dr.Nail Draga
Ne prag të zgjedhjeve lokale në Tuz(26 nëntor 2017), mediat njoftuan se në mes subjekteve nacionale të shqiptarëve në Malësi(ASH,UDSH dhe LDSH), u arrit një marrëveshje e cila obligonte nënshkruesit për të qenë unik në zgjedhje pra te dalin me një listë të përbashkët. Por, duke ditur rrethanat për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tilëë si dhe animozitetet në mes subjekteve shqiptare nuk ishin të pakët ata qe dyshuan për një marrëveshtje në mes paleve nënshkruese. Dhe, ashtu si u dyshua, dy-tre ditë më pas, opinioni u informu se nuk kemi të bëjmë me listë të përbashkët zgjedhore, por ajo mundësi ekziston pas zgjedhjeve. Marrëveshja filloi të mohohej pikërisht nga ata te cilët e kishin nënshkruar, nga del se kishim të benim me një akt jo të vullnetshëm, por ma tepër si akt mediatik se sa me seriozitetin politik. Duke marrë parasysh përvojën e kaluar por edhe gjendjen aktuale del se ishin të kota përpjekjet e Tiranës për unifikim të spektrit politik shqiptar në Malësi. Nga një qendrim i tillë ne lidhje me ketë marrëveshje me drejt do të ishte të thuhet se janë marrë vesh për mos me u marrë vesh(!).
Mbeshtetje nga diaspora
Edhe pse ishte një mbeshtetje aktive nga ana e diasporës shqiptare me banim në SHBA me origjinë nga Malësia që votuesit shqiptarë në Malësi të votojnë subjektet politike shqiptare rezultati i zgjedhjeve nuk ishte i favorshëm, sepse partia me e votuar doli ajo joshqiptare(DPS), e cila njëherit fitoi edhe numrin më të madh te mandatëve të këshiltarëve(15) për Komunën e Tuzit.Nga ana tjetër subjektët politike shqiptare(ASH,UDSH,LDSH) të cilat morën pjesë në zgjedhje veç e veç, fituan 12 mandate apo 37.5%, duke i mundësuar të tjerëve të formojnë pushtetin lokal. Është çështje tjetër se a do të jetë pjesë e pushtetit lokal ndonjë subjekt nacional shqiptar, sepse shumica parlamentare lokale mund të formohet pa subjektet shqiptare.
Mundësi korigjimi për malësorët në vitin 2018
Duke marrë parasysh se ne vitin 2018, qytetarët e Malësisë do të votojnë edhe dy herë tjera, votimi i 26 nëntorit 2017, ishte testi i parë i votuesve të Malësisë, andaj ekziston mundësi reale për korigjimin e gjendjes ekzistuese.
Nuk ka dilemë se kjo çështje do të jetë në agjenden e analizave të subjekteve përkatëse, për të analizuar çdo vendvotim, duke sjellur përfundime të qendrueshme për veprim të metutjeshëm. Votimet ishin ata qe ishin, dhe duhet qenë realist e pranuar së qytetarët votuan ashtu si kanë dëshiruar me vullnet të lirë apo presion, duke anashkaluar subjektet nacionale dhe votuar ato të ashtuquajtura qytetare në përqindje më të madhe. Për njohësit e rrethanave shoqërore dhe sociale në Malësi një votim i tillë nuk ishte befasi sepse pak kush ka shpresuar se do të ndodhte ndonjë mrekulli. Një konstatim i tillë mbeshtetet në faktin se partia e pushtetit(DPS) në Malësi ka mbeshtetësit e vet tradicional vite më radhë, e trashëguar nga koha e monizmit.
Politika e pushtetit dhe identiteti i zbehur
Trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me elektoratin votues në Malësi, nuk dallon shumë nga viset tjera shqiptare, por duhet thënë se ky mjedis në aspektin politik është shumë heterogjen, ku subjektet politike shqiptare e kanë të vështirë të jenë superiore ndaj subjekteve të tjera të ashtuquajtura qytetare. Ndërsa politika perfide e pushtetit me metoda të ndryshme ka ndikuar në zbehjen e subjekteve politike shqiptare, nga del se subjektet malazeze apo si thuhet gjoja qytetare, kanë arritur këtu të kenë votues të tyre, duke dobësuar unitetin e elektoratit votues shqiptar. Po ashtu nuk përjashtohet mundësia qe mos koordinimi për gjetjen e një modusi për unifikimin e subjektëve politike shqiptare në një fletë të përbashkët zgjedhore ka dekurajuar votuesit shqiptarë, duke vlerësuar situatën se kemi të bëjmë për interesa personale e grupimeve të ndryshme e jo ato kombëtare. Ndërsa, nuk duhet përjashtuar as listat me kandidatët e propozuar për këshilltarë, që nuk ka dilemë se kanë mundur të jenë më të pranueshme për votuesit. Në këtë gamë nuk duhet përjashtuar edhe qasjën lideriste e ataviste te disa përfaqësuesve të subjekteve politike, që ka ndikuar në dekurajimin e elektoratit votues shqiptar.
Partitë qytetare dhe asimilimi politik i Malësisë
Duke i cilësuar këto zgjedhje lokale si historike, kemi pasur angazhimin permanent të pushtetit(DPS) përmes premtimeve të ndryshme dhe formave të tjera të presionit, duke ndikuar në elektoratin e Malësisë, në mënyrë identike si ne zgjedhjet e kaluara.Ishte ky një veprim perfid i tyre si duket për të përgatitur strukturën e re kadrovike për komunën e pavarur, për ta udhëhequr ne mandatin e ardhshëm.
Po ashtu ka vijuar propaganda e pushtetit duke favorizuar konceptin qytetar të subjektëve politike si me e pranueshme në nivel shtetëror e menjanuar ate nacional. Një veprim i tillë demagogjik i pushtetit nuk është i panjohur tek shqiptarët sepse kemi të bëjmë me një qasje te kordinuar me pasoja për këtë mjedis. Është pikërisht kjo qasje e pushtetit qe ka ndikuar në zbehjën e identitetit politik të Malësisë, çështje kjo e cila ka filluar të marrë përmasa shqetësuese. Nëse nuk do të kemi ndryshim sasior në të ardhmën, komunën e pavarur të Tuzit ka gjasa maksimale ta udhëheqin partitë nga korpusi qytetar, duke u menjanuar ata nacionale shqiptare. Nëse partive qytetare malazeze iu shtojmë edhe ate boshnjake e cila këtu ka elektorat të konsiderueshëm është e qartë se malësorët do të jenë të huaj në shtëpi të tyre. Janë këto plane të pushetit me strategji perfide që quhet asimilim politik i Malësisë, duke rrezikuar identitetin kombëtar shqiptar në Malësisë.
Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me manipulim ordiner, sepse përfaqësuesit e subjekteve politike qytetare malazeze, nuk mund të jenë përfaqësuesit autentik të Malësisë, sepse të tillë mund të jenë vetëm te zgjedhurit nga partitë nacionale shqiptare.
Nail Draga
Dhjetor 2017