Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në profilin e tij zyrtarë në Facebook ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili vendosi të mos e ndajë mandatin për kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev, me pretendim se platforma e partive shqiptare është përgatitur nga një vënd tjetër.
Rama shkruan se gjuha shqipe s’është e armikut, por e një populli shtetformues.
Përgjigja e tij vjen pas akuzave që kanë ardhur kohët e fundit nga Shkupi zyrtar, se platforma e paraqitur nga shqiptarët në Maqedoni është fryt i ndërhyrjeve të Tiranës.
Kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në konferencë për shtyp me gazetarët ka bërë të ditur vendimin e tij për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re. “As Kushtetuta dhe as vetëdija ime nuk më lejojnë që të jap mandatimin për dikë që minon pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë. Sa të jem unë President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandat askujt që angazhohet, ose që në program të tij ka rrënimin e pavarësisë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, deklaroi Ivanov.