Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani është pritur në mënyrë madhështore nga shqiptarët e Bujanocit. Për nder të vizitës së Nishanit, shqiptarët atje, të rritur e fëmijë kanë mbajtur në duar flamurin shqiptar dhe kanë veshur tërë Bujanocin kuq e zi.
Nishani është presidenti i parë shqiptar që viziton këtë vend, pas Enver Hoxhës në vitin 1948. Ai arriti në qytetin e Bujanocit për të komunikuar me shqiptarët për arsimin, kulturën dhe zhvillimin ekonomik.
Në Luginën e Preshevës e pritën si Presidentin e tyre. Në Bashkinë e Bujanocit, Nishani takoi liderët politikë shqiptarë të këtyre qyteteve dhe u thye edhe agjenda që ishte paraparë të jetë më e shkurtër.
“Unë mendoj se nëse bisedojmë për bashkëjetesën, për respektin reciprok, nuk ka kurrfarë provokimi. Nëse bisedojmë për kulturën, arsimin, përparimin, zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qytetarëve shqiptarë apo serbë, nuk besoj se është çështje konflikti, por çështje e mirëkuptimit”, tha Nishani.
Shqiptarët e Luginës ishin të lumtur që Presidenti po vazhdon vizitat nga Tirana, që për ta janë një mbështetje e madhe. Shaip Kamberi, kryetar i Bujanocit, deklaroi: “Biseduam për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, mundësitë e bashkëpunimit të komunave tona me institucionet në Shqipëri”.
Një pjesë e mediave në Serbi e konsideruan si të çuditshme dhe provokuese vizitën e kreut të Shqipërisë.