Tuz- Këshilltarët e KU të Tuzit kanë mbajtur seancën e gjashtëmbëdhjetë të rregullt në të cilën kanë aprovuar propozimin e programit të punës së kryetarit të KU për vitin 2016, Raportin e punës së kryetarit të KU për vitin 2016, propozimin e programit zhvillimor të KU për vitin 2017, raportin mbi zgjedhjen e çështjeve administrative tek organi i administratës së KU për vitin 2016, propozimin e vendimit mbi inicimin e procedurës për nxjerrjen e statutit të komunës në kuadër të kryeqytetit dhe financimi i OJQ-ve në vend, jashtë konkursit.
Raporti i punës së kryetarit të komunës për vitin 2016 të cilin para këshilltarëve e shpalosi kryetari Abedin Axhoviq, ka qenë pika e cila ka ngjallur me tepër debat nga këshilltarët gjatë kësaj seance që ka zgjatur mbi pesë orë, duke qenë se pozita mburrej me investimet në tërësi që janë kryer në zonën e Malësisë, ndërkohë këshilltarët opozitarë nga partitë politike shqiptare demantonin këtë raport, duke thënë se situata në terren qëndron ndryshe dhe në mospërputhje me atë çfarë është pasqyruar në dokument, duke potencuar se projektet më jetike kapitale për trevën e Malësisë, janë ende larg realizimit si dhe shumë projekte që figurojnë të realizuara në planin financiar nuk ekzistojnë në realitet.
“Plani financiar i KU të Tuzit, është realizuar në masën 96.4 përqind me shumën e përgjithshme prej 2 milonë e 97 mijë e 500 euro dhe për shpenzime kapitale 1 milion e 385 mije euro si dhe për transferime të partive politike në shumën 70 mijë euro. Mes shumë projekteve kemi realizuar punët në ujësjellsin në Hot dhe Karabushko Pole. Gjatë 2016-tës kemi hartuar planin dokumentues për Planin e detajuar urbanistik për Rakiq, PHU për qender të Tuzit.Kemi përfunduar PHU për vendin Mali I Shipshanikut 1 dhe për Karabushko Pole. Gjatë 2017-tës do të vijojmë me projekte të tjera në interest ë përgjithshem të kësaj treve”, tha mes tjerash Axhoviq.
Ndërkaq , këshilltari i LDnëMZ, Nikollë Camaj, është shprehur se kjo administrate po merret me korrupsion politik dhe po keqpërdor mjetet financiare të qytetarëve të Malësisë.
“Mënyra se si punon kjo komunë dhe se si na parashtron llogaritë e parave të qytetarëve të Malësisë, lë hapësirë të shihet se këtu kemi korupsion dhe keqpërdorim të mjeteve të qytetarëve edhe sa I përket asfaltimit rrugëve, ndriçimit publik, e shumë sferave tjera. Zoti kryetar, përveç faktit që kemi nj[ monopol në ndërtim kemi edhe korrupsion. E mira do të ishte që ato mjete që janë shpenzuar, të shkojnë në favor të jetës publike dhe jo vetem të disa përsonave. Kur kemi të bëjmë me sportin, 93 mijë euro i keni ndarë klubit të “Deçiqit”, kurse vetem 7 mijë klubeve të tjera sportive në vend, mjete këto që nuk arsyetohen assesi tha Camaj”.
Smail Çunmulaj nga IQ-vuri në dukje se për sa kohë kjo administrate të mos realizojë çështjet më jetike për banorët e Malësisë, nuk mund të lavdërohet me punët që ka kryer deri me tani.
“Ne ende kemi një lokalitet të madh me ndërtimeve private të shumta, mirëpo asnjë germë në planimetrinë urbanistike nuk kemi. Si mund të mburreni se po punoni në planet urbanistike të mëdha e të shumta, kur qendra e Tuzit është ajo që është më e dobët se ç’ishte para një shekulli. Më kot mburreni për listen “Për Tuzin Europian” para zgjedhjeve, pasi europen nuk do ta shikoni në qoftë se qendrat e banuara nuk e kanë të rregulluar PHU e sidomos instalimet nëntokësore, ndërsa ju mburreni se po kryeni PHU me rëndësi nëpër disa lokalitete dytësore. Ju po zhvilloni një korrupsion të paparë politik, duke u fokusuar kryesisht në dy çështje, në asfaltime dhe ndriçime, locale e duke anashkaluar investimet publike me rëndësi jetike për trevën e Malësisë në shumë sfera”, tha mes tjerash Çunmulaj.
Këshilltari I PDS-së, Halil Dukoviq, ka thënë se plani i realizuar në masën mbi 96 përqind, nuk është për t’u nënvlerësuar edhe pse siç tha ka shumë për të punuar në përmirsimin dhe avancimin e përgjithshëm të jetës së banorëve të Malësisë.
“Të flitet se asfaltimet dhe ndriçimet janë punë korruptive me anë të të cilave blejmë votat është dipka diskutabile. Unë nuk besoj se në Malësi ka të tillë që mund të shiten për një poç elektrik ose për një meter asphalt, siç ju shpreheni. Ne mbase nuk kemi punuar proporcionalisht por kemi investuar në tërësi ku kapasur më shumë nevojë. Ndërsa realizimi I planit financiar në masën mbi 96 përqind, është për t’u vlerësuar”, shprehet mes tjerash këshilltari I PDS-së, Halil Dukoviq.
Nikollë Gegaj, po nga PDS-ja I cili e quajti raportin e punës së kryetarit si real dhe objektiv.
Në të njajtën kohë, këshilltari I IQ-së Vasel Sinishtaj ka potencuar se përsa kohë të mos punohet në hartimin e planeve hapësinore urbanistike ashtu siç duhet të ketë çdo vend I cili aspiron të zhvillohet në çdo sferë, nuk mund të flitet për progres drejt përmirësimit të jetës së banorëve të trevës së Malësisë.
“Në Malësi nuk ka prona publike, pra 100 përqind janë private. Pra duhet të bëhet një Plan Hapësinor Urbanistik I detajuar për këtë trevë, pasi pa pasur një të tillë, nuk mund të flasim për një zhvillim të përgjithshëm legal”, tha Sinishtaj. Për ndryshimin eventual të statutit të komunës ka folur këshilltari i PDS-së, Halil Dukoviq I cili është kryetar I komisionit për hartimin e statutit të komunës në kuadër të kryeqytetit.
“Është obligim yni që të fillojmë me hartimin e statutit të komunës së Tuzit në përputhje me ndryshimet e katër ligjeve që janë aprovuar në kuvendin e Malit të Zi. Hapi i pare drejt kësaj është formimi i komisionit I cili do të punojë në propozimin e hartimit të akteve gjegjëse që çon drejt asaj që kjo komunë të transferohet si komunë në kuadër të kryeqytetit”, theksoi Dukoviq.
Nga ana tjeter këshilltari Nikollë Camaj, ndryshimin e statusit dhe hartimin e statutit e quajti edhe një trik politik të shumiëcës, për të fituar zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen në vitin 2018.
“Me këtë propozim që bëni ju , të kyçni grupin që të punojë statutin e komunës së kryeqytetit dhe të provoni të implementoni pa zgjedhje të reja, është e pamundur dhe e papranuashme. Dy vjet pasi janë aprovuar ligjet, ju përgatisni implementimin e tyre dhe pa zgjedhje. Kush jemi ne të implementojmë ligje të reja pa pasur kuvendin e plotë me aq sa parasheh ligji i ri? Kush jemi ne të inicojmë procedure për ndërrim statute kur kemi të dhëna se deri me 31 maj do behemi komunë e plotë: Besoj që do jemi vendi i parë në botë që do ketë statut të zgjedhur me dy sete ligjesh që përjashtojnë njera-tjetrën. Njëra vlen për vitin 2017/2018 e tjetra pas vitit 2018. Pra qytetarë të dashur, ta dini se po përgatitet edhe një hile politike që të fiojnë zgjedhjet e 2018-tës sikurse këto të fundit”, tha Camaj.
Në fund të seancës u aprovuan dhe propozimet e këshilltarëve për emrat konkret që do ta përbëjnë komisionin për hartimin e statutit. Në krye të këtij komisioni u emërua Halil Dukoviq, ndërsa anëtar të tij, Sellman Axhoviq, Amra Turuskoviq, Beqir Gjokaj, Vasel Sinishtaj, Gjergj Camaj, Elvisa Rexhematoviq dhe Emin Axhoviq.
/Koha Javore/