Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi shënoi 7 Marsin – Ditën e Mësuesit me një manifestim në Qendrën e Kulturës – Ulqin, ku morën pjesë mësimdhënës në pension dhe aktivë, nxënës, prindër, përfaqësues të arsimit, kulturës, pushtetit vendor, anëtarë të KKSH-së etj.
Për pak më shumë se një orë, ata kanë ndjekur programin e larmishëm, të përgatitur enkas për Ditën e Mësuesit, ku kanë marrë pjesë aktorë dhe këngëtarë vendas, grupe të vallëzimit, pedagogë të Shkollës së Muzikës në Ulqin dhe kori i fëmijëve i kësaj shkolle etj. Pjesë e programit kanë qenë edhe disa inserte filmike arkivore të dokumentarëve mbi të kaluarën e shkollave të Ulqinit.
Programi e ka arritur kulmin, me paraqitjen në skenë të aktorit Mirush Kabashi, Mjeshtër i Madh i Skenës dhe Nderi i Kombit, i cili me recitimin e tij ka fituar ovacione nga i gjithë publiku i pranishëm.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Genci Nimanbegu, ka thënë se ky institucion i kushton rëndësi të posaçme arsimit, duke e parë atë si shtyllë të qëndresës së shqiptarëve në këto treva dhe të ruajtjes së identitetit kombëtar.
Ai ka thënë se ky vit është i veçantë sepse shënon 130-vjetorin e shkollës së parë shqipe, Mësonjëtores së Korçës, ndërsa për shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit amë, sidomos për shqiptarët që jetojnë në trevat shqiptare në Mal të Zi, 7 Marsi ka rëndësi edhe më të madhe.
“Kjo është dita kur kujtojmë sakrificat dhe kontributin e brezave të tërë të mësuesve arsimdashës e patriotë, të cilët kanë dhënë çdo gjë nga vetja për të arsimuar dhe edukuar të rinjtë. Po të mos kishte qenë arsimi në gjuhën amtare, ndoshta sot nuk ishte folur shqip në këto treva”, është shprehur ai.
Duke folur për arsimin shqip në Mal të Zi, Nimanbegu ka thënë se ai vazhdon të përballet me probleme dhe sfida të shumta.
“Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka ndërmarrë nisma dhe veprime konkrete për zgjidhjen e problemeve ekzistuese. Shqetësimet e ngritura nga KKSH-ja janë bërë pjesë e diskutimeve të vazhdueshme në takimet e ndryshme për arsimin në Mal të Zi, disa prej të cilëve tashmë kanë gjetur zgjidhje apo janë drejt rrugës së zgjidhjes. KKSH ka vendosur bashkëpunim institucional me Ministrinë e Arsimit, duke u pranuar si partner, si dhe me shkollat shqipe në Mal të Zi”, ka thënë kryetari i KKSH-së.
Nimanbegu ka nënvizuar se gjatë vitit të kaluar, përfaqësuesit e Komisionit për Arsim të KKSH-së dhe ai kanë vizituar të 12 shkollat fillore në gjuhën shqipe në Mal të Zi, ku kanë dhuruar libra për bibliotekat e këtyre shkollave, duke kontribuar në pasurimin e fondit të tyre libror, sidomos me lektyra shkollore.
Ai ka theksuar se ky projekt i KKSH-së do të vazhdojë edhe këtë vit me shkollat e mesme në gjuhën shqipe në Mal të Zi, ndërkaq ka thënë se puna kryesore sivjet “do të përqendrohet në ndryshimin e ligjeve të arsimit, në të gjitha nivelet, me qëllim të avancimit të statusit juridik të arsimit në gjuhën shqipe dhe përmirësimit të cilësisë së mësimit.”
Të pranishëm në manifestim ishin edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Ernal Filo, Ambasadori i Republikës së Kosovës, Skender Durmishi, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmet Zenka, dhe shumë personalitete të tjera.
Manifestimi me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit u organizua në kuadër të projektit të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Ismet Kallaba