Gjeloshaj ka deklaruar se Tuzi do të fitojë statusin e Komunës me ingerenca të plota pa referendum, por përmes Parlamentit.
Zëvendës-Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, në një postim në faqen e tij të facebooku-ut, ka deklaruar se statusi i Komunës do të arrihet përmes projektligjit të cilin do ta aprovojnë komisionet gjegjëse në Qeveri dhe pastaj do të votohet në Parlament.
Gjeloshaj shkruan se projektligji i cili parasheh ndryshimin e statusit të Tuzit është gati dhe se atë formalisht do ta propozojë ministrja e Administrimit Publik, Pribilovic, për aprovim nga komisionet gjegjëse të Qeverisë, e pastaj do të dorëzohet për votim në Parlament.
DPS-ja për më shumë se dy dekada ka premtuar Komunën e Malësisë, por të cilën nuk e ka përkrahur.
Herën e fundit deputetët e DPS-së e kundërshtuan statusit e Komunës, vitin e kaluar kur Gjeloshaj kishte propozuar ndryshimin e ligjit në Parlamentin e Malit të Zi.
“Nuk jam i befasuar në strukturat në pushtet, pra DPS-in, ata edhe këtë radhë, si shumë herë më parë gjendën mënyrën për të mashtruar edhe zyrtarë të lartë shqiptarë në vend e diasporë, si dhe kongresmen amerikan…”, kishte deklaruar Gjeloshaj mbas votimit të dështuar në Parlament.
Se a ka ndryshuar diçka në politikën e DPS-së, do të shohim deri në fund të muajit.
Deklarata e plotë e Gjeloshaj:
Ju e dini se unë kam ndarë me Ju çdo ngjarje të rëndesishme për shqiptarët në Mal të Zi.
Kjo që po ndaj me ju sot, padyshim është një nga çështjet më të rëndesishme dhe më jetike, sidomos për zonën e Malësisë. Fjala është për Komunën e Pavarur te Tuzit me ingerenca të plota sikur të gjitha Komunat tjera në Mal te Zi.
Ju e dini shumë mirë se unë dhe Genci Nimanbegu, në kohën kur isha deputet në Parlament, kisha votuar kundër ligjit i cili definon Tuzin e Malësinë si Komunë Jo të plotë. Poashtu, me ndihmën e kolegut Nimanbegu për herë të parë arrita që në procedurë parlamentare të procesoj Ligjin, që definon Tuzin e Malësinë, Komunë të plotë, JO me Referendum, por në Parlament pëmres ndryshimit të ligjit.
Poashtu ju jeni të informuar, që një nga kërkesat primare të Koalicionit “Shqiptarët e Vëndosur” ishte që Tuzi të bëhet Komunë e plotë, pikërisht përmes ndryshimit të Ligjit pa referendum.
Alternativa Shqiptare, si dhe Koalicioni “Shqiptarët e Vëndosur”, sidomos koheve të fundit kemi punuar shumë për Ligjin në fjalë, dhe përfundimisht mund të pohojmë që Ligji përgjithësisht është gati.
Unë personalisht, në emër të “Shqiptarëve të Vëndosur” , kohëve të fundit kam qenë në takime të shumta me ministrën e Administrimit Publik, znj.Pribilloviq, e cila edhe do te jetë propozuese formale e ligjit ne fjalë, për të cilin në thelb jemi dakorduar si projekt propozim.
Shumë të nderuar shpejt pritet që ligji në fjalë të kaloj Komisionet gjegjëse në Qeveri dhe deri në fund të muajit, Qeveria do t’a aprovoj si projektligj, të njëjtin do t’a dërgoj në Parlament për verifikim.
Opinioni i gjerë e din shumë mirë që Alternativa Shqiptare, për here të parë ka nënshkruar një Marreveshje me partin në pushtet, dhe si rezultat i saj jemi shumë optimist për faktin që Malësia po behet Komunë e plotë, shkaku kryesor për të cilën vetë Alternative Shqiptare është themeluar si subjekt.
Pa hyrë në detaje tjera, mua sinqerisht me vjen shumë mirë që popullata shqiptare në Mal të Zi çdo ditë e më shumë po e ka të qart se çfare na ka sjellë politika e vjetër e politikaneve të deshtuar gati tre dekada me radhë…
Ne si subjekt jemi shumë të vendosur që edhe në të ardhmen të marrim pergjegjësitë për të përmirsuar situatën e popullit shqiptar, jo me fjalë boshe e populizëm, por me punë konkrete. Mendojmë se edhe pas angazhimit tonë të deritanishëm, ekzistojnë rezultate konkrete, natyrisht që ato nuk janë të mjaftueshme, por premtojmë që edhe në të ardhmen do të kemi pune konkrete me rezultate pozitve për integrimin e plotë të shqiptarëve, si popull autokton në trojet e veta në Mal te Zi.
Sinqerisht,
Nik Gjeloshaj