Anembanë Malësisë, në Tuz, Hot, Grudë, Triesh e Kojë gjenden disa lokacione të varrezave katolike dhe myslimane. Varrezat e besimtarëve myslimanë janë më pak të mirëmbajtura derisa besimtarët katolikë janë më të organizuar në aspektin e mirëmbajtjes së lokacionit ku varrosin të vdekurit. Për mirëmbajtjen e tyre institucionale është dashur të kujdeset Komuna e Podgoricës, e cila këtë obligim nuk e ka kryer si duhet, për fat të keq. As Komuna Urbane e Tuzit për më shumë se një dekadë nuk është treguar aspak e përkushtuar për mirëmbajtjen e tyre. Domethënë kujdesi i atyre që janë kompetent për t’i mirëmbajtur ato gjithnjë ka munguar dhe vazhdon të mungojë. Në këtë situatë të moskujdesjes isntitucionale të kësaj pjese të trashëgimisë sonë materiale domosdo vjen deri tek devastimi i saj.
Sikur të kishte munguar dhe të mungonte përkujdesja e vazhdueshme dhe kontributi financiar i fshatarëve ( familjarëve) të gjitha varrezat në Malësi do të ishin shumë më pak të rregulluara dhe në gjendje edhe më të mjerushme seç janë. Nuk mbaj mend, qofsha i gabuar, se zyrtarë vendorë të kenë organizuar ndonjeherë në Malësi ndonjë kompani komunale që të pastrojnë hapësirat publike ku ndodhen varrezat. Po ashtu nuk jam në diejni të ndonjë ekspedite hulumtuese të eskpertëve të kësaj fushë në identifikimin dhe mbrojtjen e varrezave të veçanta, siç janë për shembull varrezat katolike në Vuksanlekaj , të cilat vlerësohen si një pasuri e jashtëzakonshme dhe, siç duket unikale, e artit popullor shqiptar në zonat Veriore. Për mungesë mjeteve buxhetore, apo moskujdesi, pak rëndësi ka. E rëndësishme është që këto varreza duhet të trajtohen ndryshe nga institucionet përkatëse komunale dhe shtetërore.
Zyrtarët komunalë të Tuzit dhe të Podgoricës do të ishte mirë të ndërmarrin ndonjë veprim konkret dhe serioz në lidhje me këtë çështje. Kjo në radhë të parë është obligim qytetar dhe kombëtar. Me ruajten dhe mirëmbajtjen e varrezave ne ruajmë traditën tonë, historinë e civilizimin tonë si popull me vjetërsi mijëvjeçare evropiane.
Varrezat janë identiteti ynë, prandaj gjithësesi duhet t’i ruajmë, t’i mbrojmë dhe të përkujdesemi për to në mënyrë instituciomnale edhe më shumë e më fortë se deri më sot. Nëse veprojmë kështu do të tregojmë një nivel qytetërimi më të lartë.
Edhe nëse institucionet vendore nuk ndërmarrin një veprim konkret dhe serioz në lidhje me këtë çështje, sigurisht se do të ketë persona të vullnetit të mirë, sikurse në të kaluarën, që të bëjnë sadopak në mënyrë që varrezat e shqiptarëve në Malësi të mos mbeten krejtesisht jetim dhe të lihen në gjendje të keqe.