Partitë janë grupime politike të organizuara me qëllim të arritjes së një objektivi të përbashkët me interes të përgjithshëm publik. Ato kanë një program ku janë përcaktuar qëndrimet e forcës politike përkatëse në fusha të ndryshme. Synimi i çdo partie është lufta për pushtet me qëllim të zbatimit të programit të saj.
Partitë politike nënkuptojnë pasjen e strukturave të mirorganizuara, të cilat mblidhen rregullisht, për të diskutuar e debatuar dhe marrë vendime kolegjiale për çështje aktuale që e shqetësojnë popullin dhe komunitetin. Vendimi përfaqëson mendimin e shumicës së anëtarëve të një grupimi politik.
Por përvoja e pluralizmit politik ndër shqiptarë, sidomos te shqiptarët në Mal të Zi, dëshmon të kundërtën. Pjesa më e madhe e partive politike janë formuar jo duke u bashkuar rreth një ideje dhe programi të caktuar, por si pasojë e inateve dhe prishjes së marrëdhënieve të drejtuesve partiakë për shkak të mosrealizimit të ambicieve personale politike. Ajo që i përbashkon thuajse të gjithë është synimi për të qenë në pushtet me çdo kusht, pa ofruar ndonjë alternativë tjetër apo model më të mirë qeverisjeje. Vendimet nuk merren në mënyrë demokratike, duke respektuar mendimin e shumicës, por është kryetari i partisë dhe një grup i ngushtë rreth tij që vendos për çdo gjë. Kjo mbase edhe është e vetëkuptueshme nëse kemi parasysh mënyrën e formimit të partive shqiptare.
Partitë politike shqiptare janë themeluar mbi kultin e individit, i cili rëndom është mbi partinë dhe pa të cilin partia nuk mund të ekzistojë. Ky fenomen, për të cilin nuk mund të thuhet se ekziston vetëm te shqiptarët, por sidoqoftë është më i theksuar tek ata, rrënjët mund të kërkohen te bajraktarizmi që ka ekzistuar ndër shqiptarë. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e personifikuar me kryetarin e saj historik, dr. Ibrahim Rugova, apo të Partisë Demokratike të Shqipërisë, e personifikuar po ashtu me liderin e saj historik, dr. Sali Berisha, janë dëshmia më e mirë për këtë. Apo, a mund ta paramendoni Lëvizjen Socialiste për Integrim pa themeluesin e saj Ilir Meta?
Mënyra e funksionimit të partive politike shqiptare në Mal të Zi është pothuajse primitive dhe në kundërshtim me parimet demokratike. Demokracia brendapartiake është zhvlerësuar aq sa sot njerëzit janë zhgënjyer dhe tëhuajësuar nga politika. Shpesh dëgjon zëra nga njerëzit që i kanë përjetuar të dy sistemet, se më mirë apo më demokratik ka qenë sistemi monist sesa ky i sotmi sa i përket mënyrës së funksionimit të demokracisë, sidomos asaj partiake. Kryetarët e partive i kanë shndërruar partitë politike në një qark të mbyllur, në grupe interesi ku pozitat drejtuese janë të rezervuara për një apo disa persona rreth kryetarit. Pjesa më e madhe e liderëve politikë shqiptarë qëndrojnë në krye të partive që nga themelimi i tyre. Kuvendet partiake nuk mbahen fare ose edhe nëse mbahen janë vetëm farsë, ku kryetari është paracaktuar dhe kuvendi mbahet sa për sy e faqe. Thjesht, zgjedhjet brendapartiake e kanë humbur kuptimin. Shumica e partive politike shqiptare në Mal të Zi veprojnë nën nivelin e organizatave joqeveritare lokale, nuk kanë as program, as veprimtari, por zgjohen vetëm në kohë fushatash zgjedhore.
Si model i keq përmendet shpeshherë, nga partitë tjera dhe udhëheqësit e tyre, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, kryetari i së cilës, edhe përkundër rrudhjes dhe dështimeve politike të kësaj force politike, vazhdon të qëndrojë në krye të saj që nga themelimi në vitin 1990. Por këta politikanë harrojnë se edhe ata vetë janë bërë kopje e keqe e kësaj partie dhe po ecin dalëngadalë rrugës së saj.
Si përfundim, me mënyrën autoritare të funksionimit të tyre, luftën brenda llojit, brenda vetë faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, subjektet politike shqiptare janë nisur pashmangshëm dhe sigurt drejt theqafjes politike dhe kombëtare.