Hamiti: Sprovë e vlertë për rrjedhat e gazetarisë shqiptare në Malin e Zi

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Nga Prof. dr. Hamit Boriçi

Kolegu Ali Salaj, gazetar, publicist, redaktor përgjegjës i gazetës “Koha javore”, që nga numri i parë i saj e deri sot, del këto ditë para audiencës së gjerë, politike, kulturore e profesionale në Malin e Zi dhe kudo në botën shqiptare me një libër të ri dinjitoz.

Që në krye të herës shfaq mendimin se kemi të bëjmë me një libër, sprovë, kontribut në dituritë për realitetet historike e bashkëkohëse të medias shqiptare në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Arritjet në këtë tekst shihen:

Së pari, në strukturën e mirëkonceptuar, në përshtatje me kohështrirjen e mediave në gjuhën shqipe në këtë rajon, organizuar me dy kapituj madhorë. Kjo i ka dhënë dorë autorit për të shqyrtuar, përshkruar e trajtuar çështjet më themelore të ecurisë dhe të problematikës së mediave. Në kreun e parë, krahas të dhënave e njohurive historike, marrim dituri për sfida e përjetime që lidhen me brendinë ideo-politike, misionin dhe rolin e gazetarisë shqiptare. Ndërsa në kreun e dytë, të titulluar “Kroki” (shprehje kjo e huazuar nga arti figurativ që nënkupton “vizatimin e shpejtë dhe të lehtë me vija të thjeshta dhe me pak detaje) janë përmbledhur disa skicë-ese të shkurtra, që, siç i karakterizon autori, janë “shkrime me tone kritike për dukuri të ndryshme shoqërore, por edhe të natyrës politike”. Enkas u referohemi disa prej këtyre shkrimeve me elementë editorialë të natyrës teorike dhe të praktikës profesionale. Në to parashtrohen ide e probleme që motivojnë titullin e librit “Mediat dhe kriza e identitetit”.

Së dyti, metoda e praktikuar në përshkrimin, analizën e përgjithësimin e fakteve e dukurive mishëruar në mediat objekt shqyrtimi nga kolegu ynë, Ali Salaj, i ka dhënë frytet e veta. Në ndihmë të hulumtimeve dhe argumenteve, autori “ka ftuar” edhe studiues të ndryshëm, brenda e jashtë sferës shqiptare e malazeze.

Së treti, ky punim karakterizohet nga stil: i shtruar, fjalëkursyer, i shtruar por edhe dinamik, me ide e mendime përgjithësuese. 

Këto tipare, lehtësisht të lexueshme, fryt i formimit kulturor e profesional dhe i përvojës shumëvjeçare në drejtim të së përjavshmes “Koha javore”, kanë bërë të mundur që të nxirren në pah dukuri e faktorë më qenësorë të krizës që kanë ndikuar në tjetërsimin e përmbajtjes së mediave, misionin dhe rolin e tyre në shoqëri.

Në rend të parë vihet theksi në dukurinë, që, në zhargonin profesional, shënohet me togfjalëshin partishmëri në shtyp. Bëhet fjalë për aktorët politikë, që në këtë libër krahasohen me “komisarët politikë” të mediave në sistemin e diktaturës. Këtej është arritur në përfundimin se “Mediat u

bënë magnet për aktorët politikë, të cilët pushtetin e tyre donin ta praktikonin në kuadër të pushtetit absolut mbi media”. Për rrjedhojë, kontrolli politik mbi mediat krijoi “mosbesim të thellë tek publiku, i cili çdo informacion e cilësonte si një “gënjeshtër të ngjyrosur””.

Në rend të dytë sillet termi “Faktori treg”. Ndonëse ky faktor nuk ka parametrat e shtypit si në Shqipëri, ku “Ngjizja e mediave me politikën dhe biznesin” është tipar mbizotërues, elementë të një ngjizjeje të tillë gjallojnë edhe në mediat shqiptare në Malin e Zi. Në libër paraqitet si fenomen i pamundur vetëfinancimi i mediave jo shtetërore, “bazuar në sistemin komercial, fondi i reklamës”. Kjo pamundësi ka cenuar pavarësinë e mediave, duke e kushtëzuar politikën editoriale të mediave nga interesat e atyre që financojnë.      

Faktori i tretë lidhet me statusin e gazetarit, lirinë e shprehjes dhe profesionalizmin e tyre. Nën titullin “Gazetarët dhe pronarët e mediave” thuhet shprehimisht se edhe “…në disa mjete ‘të pavarura’ të informacionit, gazetari, qoftë ai edhe me një përvojë dhjetëvjeçare, trajtohet si një skllav karshi pronarit të pangopur”.

Prania e këtyre faktorëve motivon arsyetimin e kolegut tonë në këtë libër për ekzistencën e censurës në mediat e sistemit pluralist, po ashtu si në atë diktatorial; po ashtu edhe praninë e vetëcensurës, “agjentit hipotetik të brendshëm” në gazetari.

Krizë në tërësi në të gjitha rrafshet e dukuritë e gazetarisë!

Prandaj Ali Salaj me zë të lartë njofton: “… mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi aktualisht po shënojnë një ngecje, por edhe një kthim prapa…“ dhe shpreh shqetësimin se “Reduktimi dhe shuarja e mediave në gjuhën shqipe do të rrezikonte qenien kombëtare, pasi është e ditur se komuniteti pa media është i predestinuar të humbasë identitetin kombëtar, gjuhësor dhe kulturor”.

Libri “Mediat dhe kriza e identitetit” të mbetet një tekst përshkrues publicistik për ngjarje e zhvillime në jetën politike, shoqërore, kulturore të komunitetit shqiptar dhe të Malit të Zi në përgjithësi. Një nga tiparet dhe veçoritë më karakterstike të kësaj vepre është tematika dhe problematika. Ajo është e gjerë, e larmishme, gjithëpërfshirëse, sa interesante, aq edhe shoqërisht e dobishme.