Natë e skuadrave shqiptare, pas Shkëndijës, kualifikohet edhe Skënderbeu

Pas Shkëndijës së Tetovës, është edhe Skënderbeu i Korçës skuadra që do të luaj në fazën “Play-Off” të Liga Evropa, pasi sonte në “Elbasan Arena” arriti që të eliminojë skuadrën çeke të Mlada Boleslav, të cilën skuadër po në këtë fazë, edicionin e kaluar e kishte eliminuar Shkëndija.

Pas disfatës në ndeshjen e parë në Çeki (2:1), Skënderbeu arriti që me po të njëjtin rezultat ta mund Mlada Boleslavin sonte në “Elbasan Arena”, duke bërë që ndeshja të shkojë në vazhdime dy herë nga 15 minuta.

Ndryshe pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Mlada Boleslav, pas golit të realizuar nga ana e Janosh në minutën e 18-të, mirëpo edhe përkundër këtij avantazhi, djemtë e Ilir Dajës nuk u dorëzuan dhe zhvilluan një pjesë të dytë të shkëlqyeshme, duke përmbysur rezultatin falë golave të shënuar nga ana e Sabien Lilajt (55’) dhe Sebino Plakut (83’), i cili edhe njëherë tjetër dëshmoi cilësitë e tij të larta prej një sulmuesi të spikatur.

Dhe kur gjithçka shkonte mirë për Skënderbeun, ashtu ndodhi edhe në fund në ruletin e penaltive, ku spikati portieri veteran, Orges Shehi, i cili pasi shënoi golin e parë, arriti që të pritë goditjen e australianit, Gol-Gol Mebrahtu, duke bërë që i gjithë stadiumi të shpërthejë në festë.

Shkëndija shkatërron lituanezët, kualifikohet në Europa League

Humbja në transfertë një javë më parë me rezultatin 2-1 ndaj lituanezve të Trakai, ndeshje të cilën kuqezinjtë e Shkëndijës të Tetovës e mbyllën me 9 lojtarë, u duk sikur e komplikoi kualifikimin për tetovarët.

Por në ndeshjen e kthimit ekipi i drejtuar nga Qatip Osmani ka treguar se vlen shumë më tepër se sa lituanezët duke i mposhtur ata me 3-0.

Dy golat e shënuar në pjesën e parë të ndeshjes nga Ibraimi në të 29 dhe Hasani në të 42 ka kthyer qetësinë tek  kuqezinjtë e tetovës, të cilët kanë menaxhuar pjesën më të madhe të ndeshjes.

E ndërsa ndeshja po i shkonte fundit, në të 88 Hasani ka shënuar golin e tij të dytë personal në këtë sfidë e të tretin për ndeshjen duke i dhënë fund çdo shpresë për kualifikim rivalëve të Trakai, të cilët e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë pas daljes me të kuqe të  Klimavicius në të 72.