OJQ Labeatët zhvilloi një ekspeditë drejt Koshticës dhe liqenit të Rikavecit. Qëllimi i ekspeditës është realizimi i planit të paraparë vjetorë si dhe njoftimi i opinionit me këtë pjesë jo mjaft të njohur për Malësinë dhe malësorët. Pjesmarrës në ekspeditë ishin: Luigj Camaj, Anton Pllumaj, Petrit Gjokaj, Marjan Lajçaj, Bernard Hasanaj, Edmond Gojçaj dhe Aleks Pllumaj. Udhërrëfyesi i ekspeditës ishte Gjokë Ndue Dedivanaj.
Petriti, Marjani dhe Edmondi u vendosën në brigjet e liqenit të Rikavecit një ditë më parë, duke ngrehur çadrat dhe duke e kaluar natën e të së shtunes në të dielen në ambientin ekzotik që e ofron natyra e virgjër e pellgut të liqenit të Rikavecit. Pjesa tjetër e ekspeditës u nis drejt Koshticës dhe Rikavecit në mëngjesin e të së dieles duke arritur në Rikavec rreth orës 09.30.
Rruga makadam shpie nga Korita drejt Kroit të Radeqit të Madh, majtas dhe djathtas shtrihen kreshtat e maleve tona legjendare që u qendruan furtunave të ndryshme gjatë historisë dhe qendrojnë krenarë si dëshmitaret e kohës duke na e rrëfyer historinë tonë të lavdishme. Dhëmbi i kohës e ka bërë të vetën duke krijuar një gjeodiversitet të pasur ( forma të ndryshme gjeomorfologjike karstike ), forma hidrologjike, biodiversitet të jashtzakonshëm të pasur me specie bimore të ndryshme siç janë ato endemike, të rralla, relikte, aromatike, shëruese, mjaltore, dekoruese etj.
Peizazhi është i jashtëzakonshëm, duket sikurë natyra e ka luajtur rolin e një piktori duke luajtur lojën e ngjyrave dhe duke na krijuar pamje të pa përsëritëshme. Erozioni ka gërryer rrugën nëpër të cilën mund të lëvizet vetëm me automjete enkas për terrene të vështira. Nga Radeqi i Madh e deri në Koshtica të Kojës na u desht një gjysëm ore ecje me automobil. Pamje magjepse të natyrës paraqiten në të majtë dhe në të djathtë të rrugës, por dukshëm vërehet mungesa e bjeshkatarëve nomadë malësorë të cilët me grigjet e veta qendronin deri në vjeshtë.
Sot në Koshticë gjallëronin veç katër t`bana. Nomadët blegtorë dhe grigjet shkojnë çdo vjet duke u pakësuar. Nga Koshtica e Kojës rruga vazhdon drejt Qafës së Madhe të Koshticës ( 1853 mlm ), e cila e ndanë koshticën nga pellgu i Liqenit të Rikavecit. Nga qafa vazhdon rruga gjarpëruese teposhtë drejt luginës së Rikavecit. Zbritja me makinë kërkon shkathtësi dhe mjeshtëri të veçantë sepse rënia është tepër e shprehur me bazament zallorë jostabilë të cilin erozioni e ka gërryer aq shumë saqë rruga është e shkallëzuar dhe rreziku potencial paraqitet në çdo hap të lëvizjes. Me kujdes të madh të shoferit dhe udhërrëfyesit tonë Gjokës zbritëm drejt katunit të sipërm të Rikavecit i cili shtrihet në pllajën me rreth 1475 mlm. Katuni i Poshtëm shtrihet në anën perëndimore të liqenit nga rreth 1350 e deri 1400 mlm.
Pamjet impozante të këtijë depresioni në fundin e të cilit shtrihet njëri nga liqenet më të mëdhenjë e më të bukur akullnajorë të shtetit të Malit të Zi. Mrekullitë e natyrës paraqiten që nga Qafa e Madhe e Koshticës. Mbas plot dy orë vozitje nga Korita nën kujdesin e shoferit dhe udhërrëfyesit tonë Gjokës, arritëm mu në brigjet e liqenit, margaritarit i cili fshehet në brendinë e gropën me formë guacke mes Bjeshkëve të Nëmuna. Kështu iu bashkangjitëm pjesës së ekspeditës e cila një ditë më parë ka arritur në destinacion duke e ngritur kampin me dy çadra në të cilat e kaluan natën e të së shtundes në të dielë. Petriti, Marjani dhe Edmondi kishin kaluar një natë të pa harruar në këtë ambient edhe pse temperaturat ishin mjaft të ulëta për kohën. Temperaturat e ditës silleshin nga 5 – 10⁰C dhe me erë të veriut. Aktivitetet tona ishin të lidhura me fotografimin dhe filmimin e përmbajtjes tepër të pasut gjeografike. Dita kaloi sikurë të ishim në ëndërr, e vërtetë se bukuri të tilla paraqiten vetëm në ëndërra dhe rrallë përsëriten.
Liqeni i Rikavecit ka një pozitë në rraport me hapësirën ku gjendet : në jug të liqenit sikurë një roje solemne qendron masivi Vila ( 2093 mlm ) dhe Shtrungëza vetëm disa metra më e ulët se Vila. Këto maja shtrihen përgjatë kufirit me Republikën e Shqiperisë. Liqenin e Rikavecit nga Akulli i Ledinës e ndanë masivi Prasica. Mes Prasicës dhe masivit të Vilës shtrihet Shkalla, pllajë mbi të cilën dikurë shtrihej tbanishta Studenica. Studenica sot përkujton një t
banishtë me pamje sikurë në filmat horror, me t`bana dhe vathna plotësisht të rrënuara sikurë ta kishte goditur ndonjë tornado. Në jug të Studenicës gjendet kroi së cilit edhe uji i është pakësuar, i cili duket se e ka kuptuar që nuk e ka funksionin e dikurshëm. Nga ana e Studenicës është më së lehti të ngjitemi drejt majes së Vilës dhe drejt qiellit ( 2093 mlm ) në majen e së cilës gjendet pika e orjentimit dhe guri kufitarë. Vila është një nga majat më impozante e Bjeshkëve të Nëmuna nga e cila paraqiten mundësi të shijimit të peizazheve fantastike e Bjeshkëve të Nëmuna, kanionit të Cemit, Selcës, Luginës së Vermoshit madje mund të shifet edhe Qafa e Përdelecit. Duke u gjendur mes Vilës, Shtrungëzës, Prasicës e Karimanit gropa në të cilën gjendet liqeni i Rikavecit ngjason në një guackë të hapur në brendinë e së cilës gjendet margaritari. Ky margaritarë është liqeni i Rikavecit i cili shkëlqen mesë bjeshkëve me ujin e kristaltë më ngjyrë të gjelbërt në të mbyllur. Peizazh i cili bën që për një çast edhe zemra të ndalë.
Për liqenin e Rikavecit ekzistojnë shumë legjenda dhe tregime të cilat u rrëfenin nga bjeshkatarët malësorë. Nga një legjendë mësojmë se në ujërat e liqenit jetonte një kuçedër apo djallë i cili rregullisht rrëmbente nga një vajzë bareshë. Bjeshkatarët nuk kishin mundësi ta luftonin atë dhe i drejtohen perëndisë për ndihëm. Perëndia dërgon një shkëmb të zjarrtë dhe e hull në liqe duke e detyruar kuçedrën të iki nga liqeni i cili vlonte nga shkembi i zjarrtë. Për shkak sigurie perëndia vendos edhe një shkemb rezervë në bjeshkën përmbi liqe nëse kuçedra apo djalli kthehet përsëri. Kështu bjeshkatarët me ndihmën e perëndisë zgjodhën problemin.
Do u mbeteshim borxh lexuesëve tonë dhe opinionit malësorë dhe më gjerë nëse nuk do e ceknim çështjen territoriale të Komunës Urbane të Tuzit apo të Malësisë. Në përgjithësi sipërfaqja e Malësisë është e cënuar që nga brigjet e liqenit të Shkodrës ( Pylla e Madhe ), zona e Dheut të Zi, Fusha e Cemit, Mali i Kakarriqit, Fundnat dhe Luhari, Koja, Korita, Koshtica e Kojës, Akulli i Ledins, Studenica dhe me në fund zona e pellgut të liqenit të Rikavecit. Të theksoj se në këtë aspekt pjesët më të goditura të Malësisë janë pjesët veriperëndimore, veriore dhe verilindore. Pra pothuaj se gjithkund përgjat kufirit me Komunën e qytetit të Podgoricës, Malësisë i është amputuar një pjesë e mirë e sipërfaqes. Përveç zvogëlimit të sipërfaqes, cungimi i territorit ka shaktuar pasoja në aspektin demografik. Në këtë mënyrë përveç zvogëlimit të numrit të popullësisë ka ardhur edhe deri tek prishja e shumë strukturave demografike të Komunës Urbane të Tuzit. Në këtë mënyrë strukturat demografike më te goditura janë: struktura etnike (nacionale), struktura gjuhësore dhe struktura fetare. Sikurë pushteti administrativo politikë i KU të Tuzit është verbuar por edhe shurdhuar, pasi që deri më tani nuk është ndjerë as një reakcion publik së paku sa për sy dhe faqe.
Fatkeqësisht as partite politike “malësore” e as të tjerat nuk reagojnë sepse. “u ka ra sopata në mjaltë” dhe më tepër merren me sigurimin e ndonji poltroni në pushtet si ndonji zëvëndës ministri, zëvëndës drejtori apo edhe ndonji këshilltari, rojtari, derëtari etj. Deri sa sipërfaqe jo të vogla po mbeten jasht kufive adminostrativ të Malësisë. Opinion i nderuar gjykoni vetë punën e atyre që gjenden në pozita, sa bëjnë dhe a mund të bëjnë diçka për vendlindjen. Të dashur adhurues të OJQ “LABEATËT” por edhe të natyrës shpresojmë se përmesë këtijë teksti modest dhe fotove si ilustrim u sollëm pak bjeshkë dhe freski në vërri. Faleminderit atyre që shpenzuan kohën duke e lexuar këtë tekst dhe duke shiquar këto fotografi.
Teksti: Luigj Camaj Foto & Video: Bernard Hasanaj dhe Anton Pllumaj.