Festivali Mbarkombëtar “RAPSHA 2017”, nata e tretë

Nata e tretë e Festivalit Mbarkombëtar “RAPSHA 2017”, ashtu si edhe netet e mëparëshme, filloi me parakalimin e grupeve pjesëmarrëse nëpër qendër të Tuzit, ku grupe nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora përformuan së bashku me valle dhe këngë shqiptare, të cilat krijuan një atmosferë të zjarrtë në sheshin e qytezës së Tuzit.

Në këtë natë skena verore në Vitojë ishte e mbushur përplot me mijëra qytetarë, si asnjëherë më parë. Padyshim se kësaj atmosfere të këndshme dhe jehonës festive të festivalit, kontribut i dha me këngët e veta edhe këngëtari i njohur nga Malësia, Lekë Dedvukaj, me këngët e të cilit rinia e Malësisë u argëtua deri në orët e vona të natës.

Në natën e tretë të Festivalit morën pjesë: Shoqëria Kulturore Artsitike “Besa” nga Trieshi , Ansambli “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu” nga Detroiti, Ansambli “Mati” -Mat, Shoqëria Kulturore Artsitike “Malësori” – Prizren, Grupi Polifonik “Kolonija” – Gjirokaster, Shoqëria Kulturore Artsitike “Jahi Hasani” – Çergan, Gostivar, Ansambli “Rugova” – Rrugovë, Pejë, Ansambli “Bashkimi Kombëtar “ – New York”.

Fryma e atdhetarizmit shqiptar mbretëroi edhe këtë natë. Publiku prezent dëshmoi se këso aktivitetesh dëshiron të ketë edhe më shumë, edhe në të ardhmen. Festivali i solli gjallëri jo vetem Vitojes por krejt Malësisë, e sidomos qëndrës së Tuzit.

Përfaqësuesit e grupeve, nga e gjithë bota shqiptare, me prezencen e vet nëpër lokalet e Tuzit dhe plazhat e Cemit ishin freski në këtë gusht vape në Malësi.

Jurija profesionale në përbërje të: Prof.Dr Zymer Neziri – Kryetar, Pr.Dr Ramazan Bogdani –Etnograf, Prof Zeqirije Neziri, Prof Esat Ruka – Kantautor dhe Prof Dr. Albin Sadiku edhe pse siç u shprehen nuk e kishin të lehtë përzgjidhjen e grupeve më të mira pjesmarrëse, vëndosi që: rituali më i mirë t’i takojë Shoqërisë Kulturore Artsitike “Besa” nga Trieshi; rapsodi më i mire i këtij Festivali, lahutari Jonuz Delaj; veshja më tradicionale i takoi Shoqërisë Kulturore Artsitike “Dedë Gjo Luli” nga Traboini – Hot.

Vendin e parë e fitoi “Ansambli “Rugova” – Rugovë, nga Peja – Kosovë;

Vendin e dytë “Grupi polifonik”Lunxheria” nga Lunxheria;

Vendin e tretë “Grupet Arbëreshe “ Shkëmbi dhe Shkëndija” nga Kalabria – Itali.

Përshendetjen dhe mbylljen e këtij Festivali e bëri Kryetari i SH.K.A “Rapsha” dhe drejtori  I këtij Fetsivali Lucë Junçaj, i cili falëndëroi përzemersisht të gjithë që dhanë kontribut për këtë festival dhe premtoi se në këtë vend ku është qendra e kultures së Malësisë së Madhe do të takohen përsëri, me aktivitet të këtilla dhe me aktivitete mbarëkombëtare.

Me kaq përfundoi edicioni i pestë i këtij Festivali padyshim i organizuar në rangun më të lartë duke sjellur në Malësinë tonë të dashur mbi 600 artist nga mbarë trevat shqiptare.

Albert Camaj