E mrekullueshme ajo që ka bërë skuadra shqiptare, Skënderbeu nga Korça.
Ish-kampionët e Shqipërisë kanë barazuar pa gola në shtëpi 0-0 ndaj Dinamo Zagreb dhe falë barazimit në ndeshjen e parë 1-1 në Kroaci kanë arritur kualifikimin historik.
Skënderbeu ia doli të kualifikohet në fazën e grupeve të Europa League për herë të dytë në historinë e tij, një arritje fantastike e cila i garanton gjithashtu një cek të majmë nga ana e UEFA-s.
Kësisoj djelmoshat e Ilir Dajës do të jenë përsëri klubi i vetëm shqiptarë në grupet e një gare evropiane pas suksesit në vitin 2014.
90 minutëshi i kthimit në stadiumin Elbasan Arena u mbyll me shifrat 0-0, rezultat që lë jashtë kroatët.
Latifi ishte autor i një prove fantastike pasi me lojën e tij futi jo pak në panik prapavijën e Dinamos ndërsa Soue dhe Radas kishin shanset e tyre për t’i dhënë epërsinë Skënderbeut.
Në fraksionin e dytë korçarët u tërhoqën disi dhe rrezikuan ta pësonin me Sudanin. Kartoni i dytë i verdhë për Nimagan në të 78’ e komplikoi akoma edhe më tepër situatën për “Ujqërit e Dëborës”, por fatmirësisht kroatët dështuan në përpjekjet e tyre ndërsa e gjithë ndeshja u mbyll në barazim, duke kualifikuar Skënderbeun.
Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani që luan për Dinamon e Zagrebit u vërshëllye gjatë gjithë kohës nga tifozët pasi kishte deklaruar më parë se do t’i shënonin shumë gola Skënderbeut në Shqipëri.
Kështu dy vjet nga protagonizmi në grupet e Europa League, korçarët e bëjnë këtë sërish duke u konfirmuar si skuadra më e mirë shqiptare në dekadën e fundit. Ky sukses fuqizon Ujqërit edhe nga ana financiare pasi çeku i UEFA-s do të kalojë 3.3 milionë Eurot, të destinuar të shtohen për çdo fitore ose barazim potencial në të ardhmen.