Mali i Zi, sipas Markoviqit, e ka kryer punën e vet sa i përket demarkacionit – Haradinaj përsëriti se nuk e pranon versionin aktual

Kryeministri i Malit të Zi për demarkacionin: Për këtë çështje më nuk do të bisedohet, qoftë edhe për një centimetër

Në lidhje me demarkacionin, për Kosovën vjen një porosi nga Mali i Zi. Kryeministri i këtij shteti, Dushko Markoviq, e ka porositur homologun e tij kosovar, Ramush Haradinajn, që të jetë më i përgjegjshëm në raport me këtë proces.

Deklarata e fundit e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi e bërë në Uashington se demarkacioni i kufirit me Malin e zi për SHB-atë është çështje e mbyllur, këtu në Podgoricë vlerësohet si një hap drejt zgjidhjes përfundimtare të çështjes se kufirit ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri i malit e zi, Dushko Markoviq, ka një porosi për qeverinë e Kosovës.

“Dua të porosis qeverinë e Kosovës, kryeministrin e ri që të jenë të përgjegjshëm ndaj kësaj çështje, sidomos të përgjegjshëm ndaj malit të Zi si shtet mik. Vend i cili ka mbështetur Kosovën dhe i ka mirëkuptuar rrethanat atje, por që për këtë çështje nuk mund të ketë negociata, pa marrë parasysh vendimeve që ata kanë marrë”.

Mali i Zi, sipas Markoviqit, e ka kryer punën e vet sa i përket demarkacionit.

“Çështja e ratifikimit të marrëveshjes është në kompetencë te institucioneve të Kosovës, shpresoj që rreth saj të sillen me përgjegjësi. I kuptoj rrethanat në Kosovë por Podgorica ka bërë të gjithën që është pjesë e saj dhe se për këtë çështje më nuk do të bisedohet, qoftë edhe për një centimetër”, ka thënë Markoviq në një intervistë për Radiotelevizionin e Malit të Zi.

Kosova dhe Mali i zi ende nuk e kanë përcaktuar vijën kufitare edhe pse marrëveshja mes dy shteteve është arritur tashmë. 

Qeveria e Kosovës injoron rekomandimet e ndërkombëtarëve për Demarkacionin

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur dje qëndrimin e tij se nuk do ta votojë versionin aktual të Demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht rekomandimeve të diplomatëve ndërkombëtarë që kjo çështje të procedohet sa më shpejt.

“Vota ime personale për këtë version është jo dhe mbetet jo”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai gjithashtu tha se kufiri me Malin e Zi është në Kullë dhe në Çakorr, në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar në Vjenë vite më parë.

“Kufiri është në Çakorr e në Kullë dhe aty do të mbetet. Duhet një Komision i ri t’i kryejë procedurat që i takojnë ta vërtetojë. Ne mund të jemi më vonë me Demarkacionin, pra mund të vonohemi për shkak se Kosova s’i ka versionet e tashme. Kjo temë mund të çalojë, por është në proces, është operacionale që ende në afat të tillë kohor pritet të vijë përgjigjja për liberalizimin”, ka thënë ai.

Në anën tjetër ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka porositur drejtuesit e institucioneve kosovare që sa më shpejt ta përmbyllin Demarkacionin me Malin e Zi, si dhe ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kjo pasi që, sipas tij, sa më shumë vonohet ratifikimi i Marrëveshjes së Kufirit, aq do të vonohet edhe liberalizimi i vizave me BE-në.