FDI nuk merr pjesë në Zgjedhet lokale

Deklaratë për Zgjedhjet Lokale të nëntorit 2017

Të nderuar qytetarë të Malësisë,
Përgjatë dy muajve të fundit, si kryetar i Forumit Demokratik për Integrim, u riktheva që të jap kontributin tim maksimal për të qenë aktor në zgjedhjet lokale të nëntorit. Subjektet politike “shqiptare”, të ndara dhe të copëtuara, pa platforma politike dhe pa programe të zhvillimit ekonomik, pa asnjë vizion për Malësinë, u afroheshin këtyre zgjedhjeve përsëri të ndara nga njëra-tjetra. 

Ne si FDI, hartuam një raport, në bazë të të cilit kërkonim: 
Subjektet politike të dalin bashkë në zgjedhje. Të arrihej bashkimi aq shumë i munguar, për të bërë të mundur që në një periudhë 6 muaj deri në 1 vit, ky proces të mbaronte në mënyrë që të gjitha këto subjekte të shkrihen në një të vetëm. Nëse në Malësi do funskiononte ky plan, atëherë do të hynte në zbatim pika tjetër e kërkesës, e cila ishte: Që brenda 3 vitesh, të gjithë shqiptarët në Mal të Zi, të dalin vetëm me një subjekt të vetëm. Bashkimi e bën fuqinë. Asnjë argument kundër këtyre kërkesave tona nuk ishte serioz nga anae subjekteve politike. 

Fatkeqësisht, kërkesat tona ishin të papranueshme për tre subjektet politike që veprojnë në territorin e Malësisë: për Lidhjen Demokratike Shqiptare, Alternativën Shqiptare dhe Unionin Demokratik Shqiptar. 
Politika është kompromis. Nganjëherë, kompromisi mund të jetë i dhimbshëm. Por, ai duhet bërë vetëm atëherë kur nuk cënohen vlerat dhe parimet themelore të subjektit. E dinim që kërkesat tona mund të hasin në pengesa, por me gjithë këmbënguljen tonë, të paktën arritëm që për herë të parë shqiptarët të bien dakord që në zgjedhje mos të shkojnë si deri tani. Edhe ktë herë, nuk arritëm që të shkojmë bashkë, por arritëm që të kemi një koalicion paszgjedhor. Pra, të gjithë bashkë të formojmë shumicën në kunvendin komunal, ose të shkojmë të gjithë bashkë në opozitë. 

Asnjë subjekt politik deri në fund nuk i qëndroi idesë së bashkimit, përveç FDI-së. Ne, kishim Diasporën që përbën ¾ e vendit tonë, të cilët kishin dalë me deklaratë që përkrahnin vetëm idenë e bashkimit të faktorit politik. Nga ana tjetër, edhe raportet që merrnim në Malësi prej të gjithë qytetarëve, përveç udhëheqësve politik, ishin të tilla që kërkonin bashkimin në një listë të vetme. FDI u bëri të ditur kompromisin e fundit subjekteve politike i cili ishte: “Ne nuk kërkojmë asnjë vend në listën zgjedhore, vetëm për vetëm që të bashkoheni bashkë”. As kjo nuk u pranua nga partitë politike. 

Si përfundim, që ta shpjegojmë marrëveshjen sa më thjeshtë, arritëm: 
1. Që të dalim në zgjedhje me lista zgjedhore të hartuara nga secili subjekt, por me synim maksimalizimin e votës shqiptare;
2. Të bëjmë thirrje për mbështetje nga të gjithë faktorët politik, intelektual, OJQ etj;
3. Pas zgjedhjeve, të gjithë kandidatët e subjekteve shqiptare duhet të bashkohen bashkë dhe të hartojnë një platformë qeverisëse.

Duke qenë se kërkesat e FDI-së për bashkim, nuk u pranuan nga asnjë subjekt, deklarojmë publikisht që:
A) Nuk do marrim pjesë në zgjedhje me listë të veçantë, për vetë faktin që nuk duam të copëtojmë edhe më shumë votën e elektoratit shqiptar. Ky vendim vjen si pasojë e faktit se tashmë do të kemi dy ose tre lista nga subjektet e tjera të mbetura në marrëveshjen e nënshkruar;
B) Për ne, interesi i përgjithshëm i Malësisë është mbi çdo interes personal. Detyra për të punuar për Malësinë është detyrë mbi detyrat;
C) Ne bëjmë thirrje votuesve të votojnë subjektet shqiptare. Në asnjë mënyrë partinë në pushtet DPS. Jeni të lirë të jepni votën cilit do subjekti nga radhët e shqiptarëve, sepse për FDI-në janë të gjithë njësoj. Në respekt të Marrëveshjes së nënshkruar, negociatat paszgjedhore, pavarësisht se me cilin subjekt, do të duhet të jenë në frymën të cilën Malësia e kërkon prej dekadash, e kjo do të thotë që të lihen anash interesat personale që kanë qenë i vetmi preokupim i përfaqësuesëve politik “shqiptar” deri me tani, e tu kthehen interesave të qytetarëve shqiptar që ua kanë dhënë votën dhe i kanë vendosur në ato poste të cilat ata i kanë keqpërdorur në dëm të votuesëve shqiptarë. Pra, kjo ka prodhuar mosbesim të plotë tek një shumicë e madhe e votuesëve shqiptarë, të cilët të dëshpëruar nga përfaqësuesit “e vetë”, kanë votuar partinë në pushtet. 

Tani do bëjmë një parantezë të të gjithë situatës politike: 
Qytetarë të nderuar.
Malësia është në një gjëndje kritike të rëndë. Është në një betejë për ekzistencën e saj. Ajo është lënë pas dore nga të gjithë përfaqësuesit politik, të kujtdo krahu qofshin. Asnjë pushtues në historinë 2000 vjeçare, as Perandoria Romake, as Bizanti, as Perandoria Osmane, as pushtimet sllave, nuk ia ndryshuan Malësisë emrin. Sot, përfaqësuesit tanë politik nga radhët e Unionit Demokratik dhe Alternativës Shqiptare, së bashku me DPS-në, kanë arritur që të bëjnë eksperiment me Malësinë, por që pavarësisht kundërshtimeve të bëra nga Lidhja Demokratike Shqiptare (edhe ky si subjekt e legjitimoi ndryshimin e emrit sepse qëndroi në atë institucion ku emri u ndryshua), njëherë e quajtën Komuna Urbane e Tuzit, kurse tani do e quajnë Komunë nën Komunën e Kryeqytetit Podgoricë. Pra, atë çfarë Malësia i rezistoi historisë, nuk mundi ti rezistonte “bijve të birësuar” të saj. I quaj “bij të birësuar”, sepse bijtë e vërtetë të Malësisë nuk do e pranonin KURRË këtë gjë.

Dhe një e vërtetë e hidhur, por që e rrumbullakon përmbylljen e kësaj marrëveshje: Janë tre subjekte politike, të cilat po e mbajnë peng Malësinë dhe zgjidhjen e problemit të saj vetëm për shkak të interesave të tyre të ngushta personale. Sot na udhëheqin njerëz që kanë bërë 10-15 vjet fakultet dhe ende nuk e kanë mbaruar atë dhe që në mënyra të ndryshme na kanë prodhuar gjuhtarë, sociologë, muzikantë, barinj, specialist të mashtrimeve, prof.dr. manipulatorë, muzikantë amator etj. Të gjithë këta nuk kanë haberr nga ABC-ja e politikës. Ky është një fakt i pamohueshëm. Por, Ne kemi besim se së shpejti kësaj katrahure do ti vijë fundi!

Me nderime dhe respekt
Msc. Anton Lulgjuraj
Kryetar i Forumit Demokratik për Integrim