Maqedonasit u tremben tifozëve shqiptarë, “zhvendosin” stadiumin nga Shkupi në Strumicë

Frika se mbështetja e tifozerisë shqiptare do të mbizotëronte gjatë ndeshjes Maqedoni-Shqipëri, ka bërë që Federata Maqedonase të organizojë duelin në stadiumin e vogël të qytetit të Strumicës. UEFA ka konfirmuar zhvillimin e ndeshjen më 5 shtator në stadiumin e Strumicës.

Qëllimi i zhvillimit të ndeshjes në këtë stadium të vogël është për të ulur sa më shumë mbështetjen e Shqipërisë nga tifozët kuqezi. Grupimet e tifozëve shqiptarë në Maqedoni ndjekin rregullisht ndeshjet e përfaqësueses kuqezi dhe nëse ndeshja do të luhej në Shkup, parashikohej që impianti të mbushej vetëm me flamujt shqiptarë.

Është zgjedhur pikërisht Strumica, një stadium që ka filluar të rindërtohet një vit më parë. Strumica gjendet larg Shkupit dhe zonave që kanë popullatë shqiptare dhe stadiumi ka një kapacitet prej vetëm 6500 vendesh. Sipas rregullave, federatave udhëtuese u sigurohet 5% e kapacitetit të stadiumit, që do të thotë se në këtë impiant, do të jenë të pranishëm vetëm 300-400 mbështetës të Shqipërisë.