Malësia kurrë nuk ka pasur një shkollë të muzikës e baletit. Themelimi i një institucioni të tillë shihet si shumë urgjent. Ka vite që çështja e themelimit të kësaj shkollë ka mbetur pezull sepse institucionet ende nuk kanë realizuar këtë dëshirë të shumë brezave tonë të mëparshëm. Të rinjtë nuk kanë ku ta shprehin talentin e tyre. Sipas ekspertëve të kësaj fushë , ndërtimi i saj do të ishte dashtë të përfundonte moti. Por, më mirë vonë se kurrë, thotë populli ynë. Nëse këtë ëndërr nuk e realizuam ne, e as brezat para nesh, le ta realizojnë fëmijët tanë. Ëndrra të bëhesh artist (muzikant a balerin) të ndanë nga çdo lojë fëmijënore.
Fatmirësisht para disa ditësh Ministria e Arsimit solli vendimin për hapjen e shkollës së muzikës dhe baleitit në Tuz. Këtë lajm të gëzueshëm dhe të rëndësishëm për Malësinë e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë në Ministrinë e Arsimit të Malit të Zi, Marash Dukaj. “Për hirë të kapaciteve infrastrukturore dhe kadrovike, shkolla fillimisht do të funksionojë si paralele e shpërndarë e Shkollës Artistike për Muzikë dhe Balet “Vasa Paviq” të Podgoricës. Këtë model fillimisht e kishte praktikuar edhe Ulqini, kur hapi shkollën e muzikës, ku për një kohë funksionojë si pjesë e shkollës së Tivarit, e më vonë u pavarësua. Procesi mësimor do të realizohet fillimisht në lokalet e shkollës fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz”, ka thënë Dukaj. Ai këtë projekt e kishte paralajmëruar më parë, duke e konsideruar të rëndësishëm për mbarë Malësinë, pasi që, sipas tij, kërkesat ishin të shumta nga prindërit dhe nxënësit e këtyre trevave.
Duke iu referuar kësaj deklarate premtuese për një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja të nacionalitetit shqiptar erdhi koha që institucionet tona shtetërore ta kuptojnë rëndësinë e kësaj fushë për kombin tonë, i cili aspiron zhvillim krahas popujve tjerë të Europës dhe Botës. Të besojmë në këto institucione dhe në ata që trokasin në dyert e tyre se pa zhvillimin e shkollave artistike, pa ndërtimin e sallave koncertale, pa ndërtimin e shtëpisë operistike, të mos mendojnë se dikush na çmon aq sa duhet, si popull e si shtet!
Themelimi i kësaj shkollë do të jetë një hap i guximshëm, sa edhe i mirëpritur për qytetarët e Malësisë me rrethinë e më gjerë në kërkim të shtigjeve të reja të shprehjes skeniko-muzikore. Ajo pritet të jetë një çerdhe entuzistësh, të drejtuar nga pedagogë profesionistë, të përkushtuar në artin e bukur të muzikës dhe kërcimit , të cilët do të japin çdo gjë nga vetja vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e caktuar , të zhvillimit dhe të krijimit të artit të mirëfilltë të muzikës dhe baletit në Malësi, si dhe ta përhapin atë në masat e gjera.
Konsideroj që Shkolla e muzikës dhe baletit në Tuz do të jetë bazë shumë e mirë për seclin muzikant dhe për secilin kërcimtar të çfarëdo stili qoftë. Ata të cilët e duan artin, besojnë se i bën njerëzit më të njerëzishëm, elegantë e delikatë, por edhe
madhështorë. Shkolla të tilla janë një vlerë e shtuar për nxënësit e rinj, sepse më pas , ata si artistë bëhen ambasadorët tanë më të mirë në botë.
Emersoni ka thënë: “E bukura nuk ka nevojë për shpjegime”. Një qytet pa muzikë, ka më pak vlera njerëzore, është më pak i vlefshëm dhe i përgjysmuar. Sepse muzika është fantastike. Është magjike. Është njerëzore. Është universale.
Për të drejtuar me sukses një shkollë të tillë, dhe për të prodhuar emra të shquar të muzikës dhe baletit shqiptar, sigurisht nuk do të jetë lehtë. Por nuk është as e pamundur.