Simbolet kombëtare do të përdorën lirshëm?

Ligji i ri për simbolet kombëtare do të eliminojë zbrazëtirat dhe keqinterpretimet e krijuara nga ligji i mëparshëm si dhe do të avancojë edhe më tepër lirinë e përdorimit të tyre, tha për Zërin e Amerikës drejtori i përgjithshëm në Ministrinë për të drejtat e njeriut dhe popujt pakicë Leon Gjokaj. Ligji i ri do të mundësojë që simbolet kombëtare të përdoren edhe në komunat ku pjesëmarrja e pakicave është në 5% e sipër.

Kjo do të thotë që përveç Ulqinit dhe Tuzit ku shqiptarët përbëjnë shumicën, simbolet kombëtare do të përdorën për festa shtetërore dhe kombëtare edhe në Tivar, Plavë e Guci dhe Rozhajë. Gjokaj sqaroi se flamuri kombëtar mund të përdoret lirshëm edhe nëpër festat familjare, kurse në komunat e sipërmendura përdorimi do të jetë edhe i obligueshëm krahas atij shtetëror.

Të përkujtojmë, në anën tjetër Ligji për rëndin dhe qetësinë publike i cili ende është në fuqi, sanksionon përdorimin e flamujve, siç quhet aty “i flamujve të huaj”. Në fakt, për shfaqjen e flamurit shqiptar ka pasur raste kur janë dhënë edhe gjoba të majme. /MALESIA.ORG/