Manifestimi tradicional popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2017’’ dhe Fetsivali mbarëkombëtar “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon”

 Më 1 Gusht 2017 , për të 20-in vit me radhë, u mbajt tubimi tradicional popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2017’’ në Plavë e Guci, e së bashku me të edhe Festivali mbarëkombëtar “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon”.

Në këtë tubim të organizuar me frymim 100 % shqiptarë, në prezencën e afër pesë mijë pjesëmarrëseve, morën pjesë Shoqëri Kulturore Artistike si dhe figura të rëndësishme politike e kulturore, nga të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët.

Këtij manfestimi tradicional, për të dytën herë, në Krahinën e Plavë-Gucisë, në zemrën e Alpeve të Shqipërisë, iu bashkëngjit edhe organizimi i Festivalit folklorik mbarëkombëtar “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon”, që filloi më 30 korrik dhe përfundoi me 1 gusht 2017.

 Manifestimin e nderuan me pjesëmarrje ish Ambasadori Amerikan dhe miku i madh i shqiptarëve, i cili u gjet pranë popullit shqiptar gjithëherë, e sidomos në luftën e Kosovës, William Wallker, pastaj Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ish-komandanti i UÇK-së, Bahtjar Hoti, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Genci Nimanbegu, Lideri i LDSH-Lista guxim, z.Nikollë Camaj, etj.

Në fjalën përshëndetëse ish-ambasadori Wallker tha se është kënaqësi e veçantë për të përsonalisht që është pjesë e këtij takimit madhështor për shqiptarët. Wallker shtoi se ka vizituar gjithë komunitetin shqiptar. Sipas tij në fillim ka filluar t’i njohë shqiptarët nga Kosova, mbasandaj nga Maqedonia dhe Shqipëria e përfundimisht tha se po i njofton dhe viziton sot edhe shqiptarët nga Mali i Zi. Wallker, me këtë rast tha se sa i përket atij, ne nuk jemi shqiptar nga Kosova, nga Maqedonia, Shqiperia apo Mali i Zi, apo kudo tjetër, por për të, të gjithë jemi vetem shqiptarë.

Të Pranishmit i përshendetën edhe Genci Nimanbegu dhe Nikollë Camaj.

 Ndërkaq duke filluar nga data 30 korrik 2017, në Plavë – Guci me defilimin e vet të filluar nga Komuna e Plavës dhe ajo e Gucisë, nën shoqërimin e Flamurit tonë kombëtar, të këngëve dhe valleve shqipe, filloi festivali i dytë mbarëkombëtar “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon”, e organizuar nga Shoqata “Alpet Shqiptare”.

Hapjen e këtij festivalit e bëri Drejtori dhe organizatori i këtij  Festivalit, z.Tahir Gjonbalaj, i cili u dëshiroi të gjithë të pranishmëve argetim të këndshëm. Gjonbalaj theksoi se në këtë manifestim, të cilin e organizojnë tash 20 vite me radhë, janë duke kontribuar që të qendrojnë aty, në trevat e veta, duke vepruar, punuar dhe jetuar shqip dhe vetem shqip. Në këtë festival morën pjesë ansamble nga të gjitha trojet shqiptare, duke ia filluar nga Kosova, Shqipëria, Maqedoni dhe Mali i Zi, të cilët shfaqen për publikun këngë dhe valle shqipe.

Në këtë festival të karakterit garues, pjesëmarrësit u vlerësuan nga juria në përbërje: Azgan Haklaj President i Unionit Artistik të Kombit shqiptar, Minella Kureta Kryetare e unionit, profesoreshë, Hasnije Kukaj Gjonbalaj, Deli Metalia, koreograf dhe aktivistja Mirjeta Gjonbalaj.

 Në ditën e parë të festivalit morën pjesë: Shoqëria Kulturore Artsitike “Dedë Gjon Luli”, nga Traboini – Hot, Shoqëria Kulturore Artsitike “Ardhmeria ” nga Gjakova, Shoqëria Kulturore Artsitike “Jonuz Ramadani” nga Vitia. Në ditën e dytë u paraqiten: Ansambli folklorik Petralba Klos, Anadrini Rahovec Shote Galica Drenas, Grupi  Prishtina nga Prishtina, Grupi polifonik Çipini nga Vlora. Ndërsa në ditën e tretë qenë: Shoqëria Kulturore Artsitike “Shkupi” nga Shkupi, Shoqëria Kulturore Artsitike “Koha” nga Dinosha, Shoqëria Kulturore Artsitike “Rapsha” nga Drumja , Shoqëria Kulturore Artsitike “Devolli”nga Devolli dhe Shoqëria Kulturore Artsitike “Maja e Karanfilit” nga Plavë-Gucia.

 Në këtë manifestim present ishte edhe këngëtari i mirnjohur nga Malësia Lindon Camaj.

Vendi për veshjen autentike më të mire, si edhe për rapsodët më të mire, i takoi Shoqërisë Kulturore Artsitike “Rapsha” dhe rapsodëve të sajë Nua Gjonaj dhe Driton Junçaj, ndërsa Çmimi i publikut i takoi Shoqërisë Kulturore Artsitike “Dedë Gjon Luli”, nga Traboini –Hot.

 Vendin e parë e fitoi “Grupi polifonik Çipini” nga Vlora;

 vendin e dytë “Sh.K.A Shotë Galica” nga Drenasi, kurse vendin e tretë “Grupi Prishtina” nga Prishtina.

 Pa dyshim ky ishte nje manifestim mirë i organizuar dhe tregues i vertet se organizatoret e ketij manifestimi, edhe pse te mbetur ne pakicë, por ruajne me nostalgji dhe perkujdes te vaçantë gjuhën, kombin dhe flamurin shqiptar, në këtë trevë historikisht shqiptare.

Albert Camaj