LDSH edhe zyrtarisht parti politike?

Siç mëson jozyrtarisht portali Malesia.org, Lista e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve e cila në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar garoi si grupim qytetarë, tashmë është e regjistruar si parti politike.

Formimi i LDSH-së vjen nga degët e revoltuara të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi (LDMZ); të Malësisë, Plavë e Gucisë dhe Rozhajës të cilat që nga vitit 2012 e kanë kundërshtuar Kryesinë e LDMZ-së në krye me Mehmet Bardhin, të cilin e kanë akuzuar se ka uzurpuar vendin e Kryetarit të partisë, vulën si dhe për mosrespektimin e Statutit.

Në krahasim me numrin e popullsisë, shqiptarët në Mal të Zi vazhdojnë me trendin e numrit të tepërt të subjekteve politike.

Megjithatë Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LDMZ) e cila është partia e parë shqiptare në Mal të Zi, tashmë pothuajse është në prag të zhbërjes. Vite më parë, LDMZ e vetme kishte shumicën absolute në Kuvendin e Ulqinit, ndërsa sot ka vetëm një vend dhe kjo përmes koalicionit. Ndërsa herën e fundit që ky subjekt kishte fituar 1 mandat në Parlamentin republikan, ishte viti 2009.

Jozyrtarisht mësojmë se lider i Lidhjes Demokratike Shqiptare do të jetë ish Kryetari i degës së Malësisë i LDMZ-së, Nikollë Camaj. /MALESIA.ORG/