Osmani: Partitë politike dhe fraksionet

Nga Qani Osmani

  Fraksionet janë rezultat i veprimit praktik të partive politike dhe pasojë e interesave të caktuara të individëve dhe grupacioneve që formohen rreth tyre. Qysh në fillim duhet të përmendet se është tepër vështirë që me përpikshmëri të zbulohen shkaqet, motivet dhe faktorët që ndikojnë që të vijë deri te paraqitja e fraksioneve brenda një partie politike. Shpeshherë bartësit e tendencave frasioniste qëllimet e vërteta (që mund të jenë edhe të karakterit personal), i fshehin me mjeshtri nga shkaku se ashtu më lehtë mund të gjejnë mbështetje të fuqishme nga bashkëmendimtarët tjerë të partisë.

     Termi “fraksion” e ka prejardhjen nga fjala latine “frangere” që do të thotë copëtoj. Në kontekstin e partive politike duhet kuptuar “grup të anëtarëve të ndonjë partie politike që ndahet nga ajo (ose është ndarë) për shkak të dallimeve në qëndrime, por të mos ketë formuar parti të veçantë politike”. Duke u bazuar në përkufizimet e shumë socilogëve me termin fraksion nënkuptojmë edhe “grupe të strukturuara të anëtarëve të partisë, të cilët tentojn të udhëheqin me partinë”.

     Nga vetë definimi i fraksioneve partiake mund të nënvizojmë se bëhet fjalë për grupe që veprojnë brenda partive politike. Ata veprojnë si të tilla me vetëdije. Thuajse nuk ekziston në botë parti politike, ku nuk veprojnë fraksionet në mënyrë të hapur ose të mbyllur, të lejuar ose të ndaluar, ose së paku ku nuk vërehen tendenca të cilat çojnë drejt fraksionizmit. Hulumtuesit e partive politike fraksionet i kanë emëruar me emra të ndryshëm, por çdoherë bëhet fjalë për të njejtën dukuri. Kështu autorët italian flasin për rryma (correnti), ata gjerman për tendenca (Richtung ose Fligel), ndërsa autorët amerikan për fraksione (fractions).

     Fraksioni si dukuri e vetë ekzistimit ka të bëjë me tendencat e grupeve që të marrin pozitë udhëheqëse në parti dhe në qoftë se kjo nuk është e mundshme, atëherë së paku të krijojnë pozicione që të kenë ndikim në udhëheqjen me partinë. Fraksionet dhe lufta politike midis tyre herë ka formë të hapur e herë të fshehur, herë ka intezitet më të ulët e herë më të shprehur, por në raste të caktuara ajo e arrin kulmin e acarueshmërisë që zakonisht rezulton me formimin e partisë së re nga ana e grupit i cili supozon se është mjaftë i fuqishëm. Një gjë e tillë mund të jetë progresive ose reaksionare varësisht nga kushtet dhe rrethanat konkrete. Por edhe nga qëllimet e fundit të grupit që formon parti të re.

     Partitë politike nuk kanë qëndrim të njëjtë ose identik ndaj ekzistimit dhe veprimit të fraksioneve partiake. Qëndrimet e tyre mund të ndahen në tre grupe. Në grupin e parë bëjnë pjesë ato parti politike që kanë qëndrim të skajshëm negativ dhe me çdo kushtë tentojnë që të pamundësojnë ndarjet e brendshme. Në grupin e dytë bëjnë pjesë partitë politike që nuk e shohin me sy të mirë organizimin e grupeve brenda partive, megjithatë, përsëri lejojnë dhe tolerojnë njëfarë lloj ndarjeje partiake. Dhe në grupin e tretë bëjnë pjesë ato parti politike që e lejojnë dhe e përkrahin ose stimulojnë ekzistimin dhe veprimin e fraksioneve.

     Në paraqitjen, mobilizimin dhe aktivizimin e fraksioneve partiake në mënyrë stimuluese ndikojnë më shumë faktorë dhe rrethana. Vlenë të veçohen krizat që i përjeton partia në kushte kur ajo nuk është në gjendje t’i respektojë premtimet dhe platformën politike, edhe pse ajo participon në qeveri opo në pushtet vendor, kur idetë partiake gjenden në krizë për shkak të mosmarrjes së besimit nga zgjedhësit ose mosvlerësimeve të drejta për pjesëmarrje ose mospjesëmarje në qeveri apo pushtet vendor.

   Rrethanë tjetër stimuluese që të formohen fraksione partiake janë edhe “zgjedhjet brendapartiake”, prej organeve më të ulta deri te ato qendrore dhe zgjedhjet elektorale, qofshin vendore ose të përgjithshme, sidomos gjatë periudhës kur bëhet evidentimi dhe propozimi i kandidatëve të mundshëm për funksione të ndryshme me ç’rast gërshetohen dhe bien ndesh interesa të ndryshme individuale dhe grupore.

     Lufta ndërmjet fraksioneve të po të njëjtës parti në raste të veçanta për partitë politike është më e rrezikshme se lufta ndërmjet vetë partive politike, nga shkaku se kulmimi i kundërthënjeve frasioniste, ashtu siç u theksua edhe më parë, çon drejtë dobësimit, përçarjeve dhe në raste, ekstreme shkatërrimin e partisë politike. Se çfarë përmasash mund të marrin tendencat dhe ambiciet frasioniste, shumëçka ofron përvoja e disa partive politike në Mal të Zi.

     Kur janë në pyetje “partitë politike shqiptare” në Mal të Zi, duhet të kemi parasysh dy momente. Si moment i parë, në dokumentet dhe aktet partiake nuk është i lejuar formimi dhe veprimi i fraksioneve, dhe si moment dytë, së paku aq sa kemi pasur mindësi të futemi në intimën e tyre, nuk mund të bëhet fjalë për fraksione në kuptimin e plotë të fjalës, por vetëm për tentativa fraksioniste, ase për fraksione në formën e tyre embrionale, domethënë fraksione të parrumbullakuara.

      Emërues i përbashkët i të gjitha tentativave fraksioniste brenda partive politike shqiptare në Mal të Zi është ai se fraksionet nuk e arrijnë pjekurinë e tyre. Ato në pamundësi që ta krijojnë hapësirën e duhër manovruese brenda partisë që i takojnë, së paku deri tash e kanë zgjedhur rrugën e rezistencës më të vogël, që nënkupton formimin e grupeve të pakënaqura me politikën e partisë të cilat rrugëdaljen e vetme e shohin në diferencimin nga partitë ekzistuese dhe formimin e partive të reja si subjekte të mëvetësishme. Është interesante se ato si subjekte në vete edhe pse deklarativisht shprehin një armiqësi të skajshme, përsëri lënë shtigje për bashkëpunim dhe bashkëveprim në raste të “jashtëzakonshme” me partitë nga të cilat janë vetëdistancuar.

     Lëvizje fraksioniste mjaft të fuqishme që kulmuan me ndarje dhe përçarje në këto njëzeteshtatë vjet të pluralizmit partiak përjetoi Lidhja Demokratike në Mal të Zi e cila në fillim i kishte të gjitha karakteristikat e një lëvizjeje kombëtare dhe në vitet e para të veprimit politik e tronditi opinionin e brendshëm por edhe më gjërë. LD në MZ-i në momentet më kritike të veprimit të saj politik, kur ende nuk ishin të profiluara qartë kahet e angazhimit politik të shqiptarëve të organizuara brenda kësaj partie, kur ishte në modë ndarja në “kombëtarë” dhe “trathtarë”, nuk pati fuqi mobilizuese, e aq më pak sens politik të krijojë kushte për krijimin dhe funsionimin legal të fraksioneve brenda kësaj partie, që me siguri për momentin e dhënë do të kishte qenë shumë e dobishme sesa ndarja që ndodhi kur rryma e fortë pas shum akuzave dhe peripetive e formoi partinë me emrin Unioni Demokratik Shqiptar në Mal të Zi. Në këtë kontekst duhet thënë se fërkime të ashpra që rezultuan me përçarje me pasoja shumë të rënda për të gjitha grupacionet ndodhen më vonë edhe brenda UDSH-së që më vonë rrezultuan me formimin e partisë të emëruar si Forca e Re Demokratike dhe së fundi formimi i partisë më të re Partisë Demokratike në Mal të Zi.

    Në fund vlen edhe një herë në mënyrë më taksative të theksohet fakti se deri te krijimi i fraksioneve partiake zakonisht vjen atëherë kur partia politike nuk është në gjendje ose nuk ka gatishmëri të bëjë balancimin e mendimeve, qëndrimeve dhe interesave të kundërta dhe orientimin e atyre drejt qëllimeve më të larta të arsyeshme dhe të kapshme për pjesën dërmuese të anëtarësisë. Në raste të tilla duhet të vijnë në shprehje standardet demokratike brenda partisë, të vihen në lëvizje mekanizmat partiakë, të respektohen procedurat dhe të ngrihet niveli i mirëkuptimit dhe tolerancës. Në rrethana të tilla, rol mjaft të rëndësishëm mund të luajë lideri i partisë me autoritetin dhe kompetencat statutare që i ka në disponim.