Shoqatat Malesia e Madhe nga NY dhe Detroiti, i bëjnë thirrje partive shqiptare në Malësi të dalin bashkë në zgjedhje

F T E S Ë P U B L I K E

Në mes të partive nacionale shqiptare dhe liderëve të Malësise që nga fillimi i pluralizmit politikë të vendit ka munguar bashkëpunimi dhe raportet e mirëfillta të tyre. Marrëdhëniet gjithnjë të tensionuara në të kaluarën dhe mos kordinimi i puneve kanë ndikuar dukshëm dhe në mënyrë vendimtare edhe në rezultatet e zgjedhjeve qofshin parlamentare, qofshin lokale, të cilat kanë qenë çdo herë e më të dobëta. Gjatë gjithë kohës diaspora, në mënyra të ndryshme, ka bërë përpjekje të mëdha që partitë shqiptare dhe degët e tyre në Malësi të bashkëpunojnë dhe të merren vesh së paku për ato çështje me interes të përgjithshëm, por pa sukses. Gjatë këtyre përpjekjeve të pakursyera Diaspora asnjëherë nuk ka paragjykuar, as kushtëzuar e aq më pak ndonjë qellim që të jetë paraprirëse në këtë çeshtje, por me qellim të sinqertë për të ndihmuar në tejkalimin e tyre në interes të përbashkët, të vendlindjes dhe të diasporës. Edhe tani e shohim të nevojshme dhe të arsyeshme që të ju lutemi shoqërisht e vëllazërisht që të bëni ndryshime urgjente në rrugëtimin tuaj deri tani të gabuar politik në Malësi, në interes të vendlindjes sonë, të banorëve të saj, por edhe të Diasporës, e cila është e interesuar shumë për vendlindjen dhe njerëzit e saj. Inkurajon fakti se kohëve të fundit vërehet se përfaqësuesit e partive politike në Malësi më në fund e kanë vërejtur këtë kaos e diskurse politik, si dhe pasojat që sjellin ato. Andaj, Diaspora e vetëdijshme se faktorizimi i shqiptarëve në Mal të Zi mund të bëhet vetëm përmes përfaqësuesve të partive nacionale shqiptare. Po ashtu mendojmë se puna e bashkuar e tyre do të ishte frytdhënëse dhe shqiptarët dhe mjediset ku jetojnë ata nuk do të ndodheshin në pozitën e pavolitshme politike dhe ekonomike në të cilën ndodhen tani. Për këtë mendojmë se partitë nacionale shqiptare në rrethana të këtilla nuk kanë kohë, hapësirë as potencial e aq më pak luksin që të dalin të ndara në zgjedhjet e ardhshme lokale në Malësi.

Mërgata malësore askurrë nuk do ta humb durimin, as nuk do ta ndërpres angazhimin kur është fjala për Malësinë dhe interesat vitale të saj. Dëshirojmë që gjithnjë të vazhdojmë të mbetemi në dispozicion të bashkëvendësve, kombëtarisht të mirëfilltë dhe brenda mundësive tona të vazhdojmë të japim ndihmesën tonë, si pjesëtarë të atij vendi. Duke pasur qëllime të sinqerta dhe ndiejna për vendlindjen, Diaspora dëshiron të shohë të bashkuara subjektet politike shqiptare, duke mos favorizuar asnjë parti ose individ. Andaj sërish u bëjmë thirrje partive politike shqiptare që në zgjedhjet e ardhshme lokale të dalin me një listë të përbashkët, duke lënë në plan të dytë interesat personale dhe duke pasur parasysh interesat e përgjithshme kombëtare. Mendojmë se me daljen me një listë të përbashkët të partive nacionale shqiptare dhe eventualisht të shoqërisë civile do ta detyroni edhe Diasporën që të angazhohet plotësisht për të motivuar elektoratin shqiptar, i cili fatkeqësisht e ka humbur besimin te partitë e veta nacionale. Nëse arrini ta bëni këtë, Diaspora do të angazhohet maksimalisht, duke respektuar udhëzimet tuaja. Mendojmë se duke koordinuar punët së bashku, është rruga më e sigurt dhe më e mirë që Malësisë t’i garantohet e ardhmja e saj e suksesshme. Sidoqoftë, një komunë që nuk administrohet nga faktori shqiptar dhe nga malësorët për Diasporën nuk është e mirëseardhur në trevën tonë me shumice shqiptare. Gjithashtu ne jemi ne dijeni se pushteti, me mekanizmat dhe satelitët e vet, po e ndryshon strukturën e popullsisë, me qëllim që Malësia te administrohet ndryshe dhe më në fund të tjetërsohet. Me këtë rast vlen të ceket se Diaspora vazhdimisht është distancuar edhe nga bashkëvendësit ithtarë të partisë dhe koalicionit ne pushtet (PDS) dhe partive tjera joshqiptare që veprojnë ne Malësi e që nuk ia duan të mirën asaj.

Mbesim me shpresë se do t’i merrni parasysh kërkesën e vëllezërve dhe motrave tuaja nga mërgimi dhe në këto zgjedhje, qe i konsiderojmë jetike për Malësinë, te dilni te gjithë së bashku. Po përsërisim se Diaspora është e gatshme që të japë kontributin e saj dhe të jetë aktive dhe konstruktive në këtë proces.

Me nderime vëllazërore

Shoqata “Malësia e Madhe”- New York Shoqata “Malësia e Madhe” – Detroit
Kryetari Kryetari
Ejllo Berishaj Tony Vulaj