Këmbanat e kishës filluan të binin që herët në mëngjez. E Hëna e datës 23 Tetor 2017 do të mbahet mend për shume vite e do të kujtohet gjithmonë nga brezat që do të vijnë si një ditë e dhimbshme.
Shumë shpejt lajmi i hidhur pushtoi komunitetin shqiptar të Michiganit. Dhimbja dhe dëshpërimi u përhapën shpejt dhe lotët e njerëzve filluan të rrithnin pa pushim. E pabesueshme , por e vërtetë, njeriu që për më shumë se dy dekada ishte kujdesur për mijera e mijera pacientë ,që u kishte kthyer atyre shëndetin, u kishte shpëtuar jetën, papritur vetë biri i këtij komuniteti Dr. Zef Prela Lucaj ndërron jetë në moshë të re 52 vjecare.
Si pjesëtar i këtij komuniteti, si drejtor i ALBTVUSA-s, por edhe si pacient i Dr.Zef Lucaj ndjej obligimin që në nder të tij të shkruaj këto rreshta.
Dr.Zef Lucaj e kam njojtur para 18 viteve. Takimet e para i kam patur në disa aktivitete që komuniteti shqiptar i Michiganit zhvillonte në ate kohë. Më vone si unë ashtu edhe familja ime u bëmë edhe pacjentë të klinikës së tij.
Dr.Zef Lucaj ka lindur në fshatin Delaj të Trieshit Malësia e Madhe më 5 Mars të vitit 1965. Në vitin 1973 gjyshi i tij Kol Paloka Lucaj me familje, së bashku me një pjesë të fisit Lucaj, lenë Malësinë dhe emigrojnë në Michigan të Sheteve të Bashkuara të Amerikës ku jetojnë edhe sot.
I ndjeri Zef kur erdhi në Michigan ishte 8 vjec. Pasi kaloi vështirësitë e para të emigracionit si; gjuhën, kulturën etj, falë edhe mbështetjes të vazhdueshme të familjes, por edhe vetë intelektit të zhvilluar të tij, dëshirës për të studiuar, kreu me rezultate të shkëlqyera të gjitha nivelet e shkollës dhe në vitin 1996 mbaroi një nga universitetet më prestigjoze të mjekësisë në Michigan “Wayne State University Medical School M.D.,PH.D.”
Komuniteti shqiptar i Amerikës dhe vecanërisht Malesia në emigracion krenohet me fisin e Lucajve pasi krahës ruajtjes të traditave më të mira shqiptare, janë integruar shumë shpejt në jetën demokratike amerikane duke u shquar për shkollim, dituri dhe investim intelektual ku krahës profesioneve të ndryshme të fituara nga Lucajt në Universitetet Amerikane, në fisin e Lucajve në brezin e të ndjerit Zef dhe në vazhdim,spikat profesioni i mjekut.
Nga ky fis që rrënjët i ka nga Delajt e Trieshit të Malësisë së Madhe, të Trieshit që ka lindur dhe rritur intelektual, personalitete të shquara si në vëndlindje ashtu dhe në emigracion ka dalë edhe plejada e 7 doktorëve, Dr.Robert Lucaj MD -Nuclear Medicinë, Dr.John Lucaj MD-Director of Cafrdiology Research, Dr.Kola Dushaj MD-Internal Medicinë, Dr.Simon Lucaj MD- Psychiatry, Dr Bernette Lucaj MD-Psychiatry, Dr.Elizabeth Lucaj MD-Psychiatri dhe shumë e shumë Lucaj të rinjë që janë duke studiuar në rrugën për t’u bërë doktorë. Ky është një sukses i madh për vetë ata,për familjet e tyre një nder dhe nevojë për Malësinë,por edhe një vlerë për mbarë komunitetin shqiptar dhe shoqërinë në përgjithësi.
Doktor Zef Luca studimet universitare i mbaroi me rezultate të shkëlqyera,po kështu shkëlqeu edhe në punën e tij si doctor në Spitalin Hanry Ford në Macomb Michigan në fushën e Neurologjisë. Shumë shpejtë ai do të ishte në 10 doktorët më të sukseshëm të këtij spitali. Unë kam patur rastin të dëgjoj me veshët e mi fjalët dhe opinionet e shkëlqyera që kishin kolegët për Dr.Zefin. Cilitdo t’i drejtoheshe ,e t’i përmëndje emrin e Dr.Lucës në spital ,fytyra do t’i buzëqeshte, ndalonin dhe mbasi bënin pyetjen rutinë -cfarë e ke doktorin?, të gjithë të ndihmonin sikur të ishte vetë doctor Zefi. Të gjithve na bie rasti të kemi halle dhe kur ato i ke peshojnë, por kur i kalon ato harrohen,por Dr.Zef Lucaj kurrë nuk harrohet,kurrë. Këto ndihma e mirësi të përfituara nga prezenca e Dr.Lucës në këtë spital i kemi provuar të gjithë ne shqiptarët ,pasi si unë edhe shumë shqiptarë të tjerë në komunitetin e Michiganit kemi patur rastin të jemi pacientë të Dr.Lucaj jo vetëm në spitale, por edhe në klinikën e tij.
Dr.Zef Lucaj ishte me plot kuptimin e fjalës doctor, profesionist i nivelit të lartë, kishtë një komunikim të ëmbël ,e jetonte botën e brëndshme dhe dhimbjen e pacientit, ishte i prirur të bënte maksimumin e më të miren për pacientët, ishte i durueshëm, i qetë, të jepte këshilla, kurajo dhe shpresë. Me sjelljen e tij të bënte të harroje dhimbjen. Në komunitetin shqiptar Dr.Zef Lucaj do të shquhej për shërbimin e tij dhe do të mbahet mënd nga të gjithë si doctor i shqiptareve.
Edukimi familjar, traditat shqiptare, studimet dhe kontaktet me boten e zhvilluar e kishin formuar Ate Doktor të vertetë. Ishte i respektuar, i sjellshëm, i kujdesshëm, ishte i dashur dhe shumë human, gojë ëmbël dhe i pa përtuar për të gjithë pacientëtë e në vecanti për bashkëatdhetarët e tij. E përjetonte emigrimin, gjente kohë të fliste për hallet dhe problemet shqiptare si këtu dhe në vëndlindje. Autoriteti prestigjoz dhe fama e madhe që fitoi si doctor, nuk e shkëputën nga realiteti i ambjentit ku doctor Luca jetoj. Për qindra e qindra shqiptarë hallexhinj që nuk flisnin anglisht, që nuk kishin inshurencë e mundësi ekonomike Klinika e Dr.Zef Prela Lucaj ka qënë bujare si “ Shtepia e Malesorit “.
Krijimi i emrit të mirë te Dr.Zef Lucaj nuk ishte vetëm në planin profesional, pasi Zefi në radhë të parë ishte një njeri i mirë, ishte një fëmijë, një djalë i përkryer, një bashkëshort dhe baba i devotshëm, model, besonte tek Zoti dhe familjarisht shkonte cdo javë në Kishë. Ishte shok dhe mik i mirë. Merrte pjesë në aktivitetet e komunitetit, ishte shumë human, donacionet e tij nuk kane menguar asnjëherë në Michigan dhe në vendlindje.
Dr.Zef Luca u nda nga jeta në moshë të re, duke lënë në pikëllim të thellë familjen e tij të mbrekullueshme, bashkeshorten Vicky bijë në Shkrelaj, djemtë Nicholas 18 vjec dhe Anthony 14 jec ,vajzën Angelina 9 vjec, prindërit Prela dhe Terez ,Vëllain Rrok dhe mbarë vllazërinë Lucaj.
Ndarrja nga jeta e Dr.Zef Lucaj është një dhimbje e humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, për fisin Lucaj ,por edhe për mbarë komunitetin shqiptar të Michiganit të cilët e donin dhe e respektonin aq shumë.
Doktori në komunitetin Shqiptar ishte dhe është një shëmbull i mirë, një model që duhet ndjekur nga breast e rinj nga përmbajtja, por asnjëherë nga fati.
Vdekja e parakoshme e Dr.Zef Lucaj për ne shqiptarët e Michiganit do të ndihet gjatë e cila për nga nevoja i përngjan vdekjes të doctor Luk Gjokaj në Malesi.
Të gjjithë shqiptarëve do na mungojë Doktori , ndërsa ” Thesarit të Malësisë” ju shkëput një gur i artë me emrin Zef Lucaj.
Zoti e forcoftë dhe e ndihmoftë familjen e tij.
Shpirti i të ndjerit Zef u preftë në Parris.
Gani Vila
Drejtori ALBTVUSA-s
Michigan 23 Tetor 2017