Sot në mesnatë skadon afati ligjor i dorëzimit të listave zgjedhore për zgjedhjet lokale në Malësi, të cilat do të zhvillohen më 26 nëntor.
Për zgjedhjet lokale të Komunës së Tuzit, Komunë në kuadër të Kryeqytetit, do të garojnë 3 subjekte politike shqiptare të ndara në 3 lista: Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Alternativa Shqiptare (ASH) dhe Lidhja Demokratike Shqiptare (LDSH).
Në zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit, me listat e veta do të marrin pjesë edhe Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialiste Popullore, Partia Social Demokratike, Social Demokratët, Mali i Zi Demokratik, dhe Partia Boshnjake.
Siç mësojmë Bartës të listave të subjekteve politike shqiptare do të jenë; nga radhët e UDSH-së Fadil Kajoshaj, pasuar nga Enis Gjokaj. Nga radhët e ASH-së bartës i listës do të jetë Nik Gjeloshaj, pasuar nga Lindon Gjelaj. Nga radhët e LDSH-së bartës i listës do të jetë Ivan Ivanaj, pasuar nga Vasel Berishaj.
Ndërsa bartës të listave nga subjektet politike malazeze/serbe/boshnjake, do të jenë, nga radhët e DPS-së, Halil Dukoviq, nga radhët e Partisë Socialiste Popullore bartës i Listës do jetë Kolë Lulgjuraj, nga radhët e Partisë Social Demokratike bartës i listës do të jetë, Nermin Purishiq, nga radhët e Social-demokratëve, bartës i listës do të jetë Samir Axhoviq, nga radhët e Malit të Zi Demokratik, bartës i listës do të jetë Shtjefën Camaj, kurse nga radhët e Partisë Boshnjake, bartës i listës do të jetë Nexhad Dresheviq.
Këto janë zgjedhjet lokale që mbahen për të katërtën herë në Malësi. Tre herët e fundit kishin statusin e Komunës Urbane të Tuzit, dhe kuvendi numëronte 22 këshilltarë, ndërsa tani kandidatët do të garojnë në statusin e Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit dhe ky kuvend do të numërojnë 32 këshilltarë.
Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, Shpalli zgjedhjet për këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit, për më 26 nëntor 2017, pasi më herët, në seancë të posaçme, Kuvendi i Komunës Urbane të Tuzit ka shkurtuar mandatin e vet me iniciativë të Partive në pushtet dhe iniciativë të Alternativës Shqiptare.
Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për këto zgjedhje në Malësi është 11 mijë e 599.
Tuzi pritet të fitojë statusin e komunës së pavarur nga 1 shtatori i vitit të ardhshëm, pas hyrjes në fuqi të Ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi. /MALESIA.ORG/