Gruda është një ndër fiset e rëndësishme të Malësisë së Madhe, e cila gjatë historisë i ka dhuruar kombit shqiptar jo vetëm atdhetarë, por edhe atdhetare të shumta, ku sidomos veçohet Tringë Smajlja. Tringë Smajlja, e njohur ndryshe edhe si Tringa e Grudës apo, jashtë Shqipërisë, si Janica Martinaj, lindi në vitin 1870 në fshatin Këshevë. Ishte bija e bajraktarit të Grudës, Smajl Martinit dhe Borës, që ishte nga dera e Gjonajve të Hotit. Tringa u rrit në kohë të vështira, në kohë kur fqinjët kishin filluar të vepronin në dëm të tokave shqiptare. Mirëpo, nga ana tjetër, u rrit në shtëpi të bajraktarit të Grudës, ku pati mundësi të dëgjoj për trimëritë e malësorëve kundër armiqve dhe për atdhedashuri, sidomos në ditët e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngase i ati i saj, Smajli, sa bashku me Baca Kurtin, i printe Grudës në luftimet për mbrojtjën e Malësis së Madhe nga sulmet malazeze gjatë vitit 1880. Gjatë luftimeve kundër armiqëve sllavë kjo familje do të humbas 3 anëtarë, ngase në luftime do të vriten 2 bijtë e Smajlit, Zefi e Gjoni, si dhe i nipi, Martin Nika, i biri i Nik Martinit. Megjithatë, Smajl Martinit do të vazhdoj edhe më tutj të drejtoi Grudën deri në vitin 1883, kur në pabesi do të arrestohet nga Perandoria Osmane dhe do të dënohet me internim në Diari Bakir (Diyarbakir-fjalë arabë që do të thotë tokat e Bakirit). Vitin tjetër, Tringa do të paraqes kërkesë para autoriteteve osmane që të ia kthejnë të atin nga internimi, por nuk do të fitoj përgjigje pozitive, ashtu që Smajl Martini do të vdes në internim.
Pas këtyre ngjarjeve, Dedë Nika, i biri i Nik Martinit, edhe pse i ri në moshë, do të marrë drejtimin e Grudës dhe në vendin e bajraktarit të Grudës do të zëvëndësoj xhaxhain, Smajl Martinin. Nga kjo kohë e tutje, për çështjet e rëndësishme të Grudës do të vendos bajraktari i ri i Grudës, i cili përkrah kishte Tringën. Tringa, pas gjitha këtyre ngjarjeve vendos mos të martohet dhe shpallet tobeli (burrneshë), me ç’rast në shoqëri pranohet si mashkull. Paul Ziberici, në veprën e vet ,,Shqipëria dhe shqiptarët”, do të shprehet se: ,, dy janë arsyet që vajzat shqiptare vendosin për të mbetur virgjiresha: 1) për të ruajtuar pronën e prindërve dhe 2) sepse nuk duan të martohen me personin që i kanë fejuar”.
Tringa, së bashku me Dedë Nikën, do të organizojnë kuvendet për Grudën dhe do të shqyrtojnë problemet e ndryshme me të cilat do të ballafaqohet ky fis në ato kohë. Viti, në të cilin Tringa bëhet e njohur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, është viti 1911, që ka të bëj me kryengritjen e Malësisë së Madhe. Më 24 mars 1911 shpërthen kryengritja shqiptare, në të cilën, si edhe bajraqet e tjera të Malësisë së Madhe, do të jetë shumë aktive edhe Gruda, ashtu që edhe Tringa do të veçohet, qoftë si luftëtare, qoftë si vëzhguese e shtigjeve apo edhe si furnizuese e luftëtarëve me municone dhe ushqime. Duhet pasur parasysh se bijat e Malësisë së Madhe morën pjesë në kryengritje në mënyra të ndryshme, ku përveç Tringës, dallohen edhe Nore Kolja, Tereze Mirashja, Becë Lacja etj. Këtë na e konfirmon edhe atdhetari Risto Siliqi, i cili shkruan se:,, Deri në fillim të kryengritjës së v. 1911, në Podgoricë mund të vëreheshin mjaft gra dhe vajza malësore,të cilat me fillimin e kryengritjës ,,u zhdukën”, sepse u bashkangjitën vëllezërve dhe burrave të vet në vijën e frontit”.
Tringa e Grudës do të jetë prezentë në dy ngjarjet më të rëndësishme të kryengritjes, që janë ngritja e flamurit në Deçiq dhe Memorandumi i Greçës. Lidhur me prezencën e Tringës në Deçiq më 6 prill na e konfirmon Nore Kolja në kujtimet e saj të shkruara nga Sander Gera, e cila shprehej se at ditë u plagos dhe Tringën e kishte afër, e cila ia lidhi plagën dhe se së bashku dolën tek vendi i ngritjës së flamurit, ku malësoret po këndonin edhe këngë maje krahu. Ndërsa, për 23 qershor, është më se e ditur se e vetmja femër me të drejtë të shprehurit në kuvend ishte Tringë Smajlja dhe emri i saj ndodhet i shënuar edhe në pllakat që janë vendosur në Greçë në kujtim të asaj dite. Emiri i saj do të bëhët interesant edhe për gazetat e huaja, ashtu që mbi dhjetë gazeta të huaja do të shkruajnë për të gjatë v.1911. Gazeta, e cila do të shkruaj e para, është prestigjozja amerikane ,,The New York Times, e cila me 21 maj do ta krahasoj me heroinën franceze të shek. XIV, Zhana D’Ark, duke e quajtur Zhana D’Ark shqiptare. Shembullin e saj do ta ndjekin edhe gazetat tjera amerikane si ,,The Salt Lake Tribune” , ,,The Omaha Sunday Bee”, ,,The Pioche Record”, ,,The Meridian Times” etj, pastaj ,,The Sun” e Australisë, ,,The Colonist” e Zelandës së Re, ndërsa gazeta franceze ,,Le Petit Journal” në një faqe të tërë ia kushton një ilustrim.
Pas përfundimit të kësaj kryengritje do të vendoset një qetësi e brishtë, e cila do të ndërpritet gjatë vitit 1912 dhe ngjarjeve që pasuan. Tringën do ta pikëlloj shumë vendimi i Konferencës së Londrës, e cila konferencë, përveç tjerash, do të vendos që Gruda së bashku me një pjesë të Hotit t’i jepet Malit të Zi. Në këtë rast nuk u morën parasysh ankesat e shqiptarëve dhe angazhimi i tyre për liri, ashtu që këto vise mbetën jashtë shtetit. Një lloj shprese do t’u kthehet malësorëve gjatë v.1916, kur kapituloi Mali i Zi dhe në këto vise u vendos Austro-Hungaria, ngase ky shtet do të bëj disa lëshime për shqiptarët, sidomos kur ka të bëj me arsmin, ngase lejoi hapjen e shkollave shqipe. Edhe pse e pashkolluar, Tringa ia dinte vlerën shkollës, ashtu që do të jap kontributin e vet, madje duke shitur edhe pronat e saj, për hapjen e shkollave në Grudë. Në vitin 1917 do të sëmundet rëndë dhe në vjeshtën e atij viti do të ndërroi jetë dhe kështu, jo vetëm Gruda, por e tërë Malësia e Madhe mbeti pa trimëreshën e vet, e cila me nderime do të varroset në varrezat familjare në vetë fshatin e lindjes, Këshevë.
Pas përfundimit të Luftës së parë botërore, Malësia do të ripushtohet nga sllavët dhe me atë rast do të dëmtojnë edhe varrin e Tringës, i cili do të riparohet nga anëtarët e familjes gjatë v.2009. Mirëpo, koha nuk e dëmtoi imazhin dhe emrin e saj, ngase emri i Tringës jeton edhe sot, pasi që nuk ka malësor që së paku nuk ka dëgjuar për të dhe, shteti shqiptar dhe i Kosovës janë munduar të ruajnë emrin e saj duke e përjetësuar në mënyra të ndryshme, ashtu që në Shqipëri e kemi shkollën 9 vjeçare në Grudë të Re, që mban emrin e saj, ndërsa në Kosovë një rrugë i është dedikuar asaj në Prishtinë dhe, nga viti 2014 do të jetë prezentë edhe në pullat postare të Kosovës. Do të ishte mirë, që një shekull mbas emri i saj të përjetësohet në ndonjë institucion apo edhe me ndonjë bust edhe në viset malësore mbrenda kufirit malazias.
Mark Junçaj, prof. i Historisë