Zgjedhjet lokale në Malësi – Vota shqiptare vetëm për tri listat shqiptare

Ashtu si as në zgjedhjet e kaluara lokale e ato parlamentare, as kësaj herë subjektet politike shqiptare nuk i bashkuan forcat e veta në një listë të vetme. Nuk i bashkuan, sepse ndryshe nga ajo që thonë, dëshmojnë se interesin e Malësisë e kanë në plan të dytë.
Sikur ideali për të cilin betohen të ishte parësor dhe i sinqertë,
me lehtësim do ta tejkalonin çdo çështje dhe çdo mospajtim.

Në vend të marrëveshjes për të dalur me një listë të përbashkët, këto subjekte nënshkruan një marrëveshje, efekti i së cilës do të hyjë në punë pas zgjedhjeve. Marrëveshje e cila do t’i obligojë që vetëm së basku të angazhohen për formimin e shumicës në Asamblenë e Komunës së Tuzit.
Patjetër, ky është një hap pozitiv dhe vendim që duhet për ta përshëndetur. Por cila është garancia se kjo marrëveshje do të respektohet nga ata që e shkruan dhe nënshkruan!?
Vetëm disa ditë pasi që filloi fushata parazgjedhore, nisën edhe përplasjet e para në mes aktorëve të nënshkrimit, çka prodhon dyshime në qëllimet dhe vendosmërinë e subjekteve të nënshkruara.

Përfaqësuesit tonë politik pas vetes kanë lënë marrëveshje e nënshkrime të shumta që ata i kanë shkruar, nënshkruar dhe i kanë shkelur. Janë akuzuar e gjykuar për uzurpime të mandateve të deputetëve dhe çështje tjera të lidhura me kalkulime e numra. Kjo lojë politike prodhoi mosbesim tek njëri-tjetri, e natyrisht më shumë tek votuesit.

Është e dhimbshme që në një zonë historikisht shqiptare, të dominojnë e të udhëheqin partitë joshqiptare, e kjo është më e dhimbshme kur dihet se për këtë kanë kontribuar partitë shqiptare.
Kemi subjekte që pothuajse nga themelimi e gjer më tani janë në shërbim të drejtpërdrejtë të DPS-së dhe politikës së saj të disfavorshme ndaj popullsisë shqiptare. Justifikime mund të kenë vetëm për vitet e 90-ta, ku ekzistonin vetëm dy zgjidhje.

Jo më larg se vitin e kaluar, dy deputetët shqiptar me votëbesimin e dhënë shpëtuan nga rrëzimi Qeverinë e DPS-së, ndërsa sot me sjellje hipokrite, të njëjtit, ftojnë në luftë” kundër DPS-së. Ata të cilët në të njëjtën qeveri dhe sot mbajnë funksione e poste qeveritare, kërkojnë votën në rrolin e kundërshtarit të DPS-së.
Sot në shekullin XXI, kërkojnë vota me pretekst se po krijohen ligje të cilat ta lejojnë identifikimin e kombësisë, apo hapjen e kanaleve për ujë të pijshëm. Me sjelljet e tyre cinike, nënçmojnë votuesit, por edhe veten.

Por, megjithatë votuesi shqiptar në zgjedhjet lokale në Malësi të 26 nëntorit, ka vetëm si zgjidhje tri listat shqiptare. Ato tri lista duhet t’i ndajnë votat shqiptare në bazë të meritës ose mosmeritës që mbajnë me vete, dhe nisur nga kjo, LDSH-ja duhet të jete zgjidhja e parë.

Robert Gj. Ivezaj, politolog