In memoriam – Mësuesit, Gjon Tomës Berishaj

Në pamundësi që të jem pjesë e ceremonisë mortore të përcjelljes së Gjon Tomës Berishaj dhe me këtë rast t’i them disa fjalë (dëshirë kjo e atij kur ishte gjallë), besoj se në këtë mënyrë dhe në këtë formë, përkujtimi për Mësuesin do të mbetet i shënuar dhe do të ruhet. Gjoni ishte i njerëzishëm, bujar, punëtor, energjik dhe vizionar. Mirëpo, mbi të gjitha ishte modest. Andaj, edhe duke bërë përpjekje që në këta rreshta të përshkruhet vetëm ajo që e veçonte Gjonin nga koha, rolin, personalitetin, energjinë krijuese, përkushtimin ndaj profesionit dhe punës, vizionin e tij për ndërtimin e së ardhmes, idealizmin e tij në përkrahjen e ndryshimeve etj., kam frikë se e tëra do të shkojë përtej kornizave të modesties së tij.

Është e zakonshme që shkrimet përkujtimore të ngarkohen me elozhe, lavdata dhe teprime, mirëpo – sa për të respektuar dëshirën e tij që përmbajtja e asaj që do të ishte fjala ime lamtumirëse për atë, por edhepse për këtë nuk shoh asnjë nevojë, ata që e lexojnë këtë shkrim dhe e kanë njohur Gjonin do të binden se përpjekja ime e rrumbullakimit të një jete gadi njëshekullore, poashtu ka qenë modeste.

U lind më 1923, në Priftën, në një familje të vogël malësore për nga numri (babai, nëna dhe gjyshja), por të njohur për nga mirëqenia dhe respektimi i traditave malësore. Në moshën 3 vjeçare e goditi fatëkeqësia e rëndë e humbjes së nënës dhe mbeti në përkujdesje të gjyshes Borë dhe babait Tomë. Dashuria dhe përkushtimi, sidomos i gjyshes për Gjonin, e kursei nga pasojat e humbjes së madhe, nga frustrimet dhe vuajtjet e zakonshme të jetimëve. Më vonë u rrit edhe pranë njerkës, shumë vëllezërve dhe shumë motrave. Edhepse fëmijë i një nëne tjetër, ai u përkrah dhe u respektua nga të gjithë familjarët, duke gëzuar madje në atë kohë edhe privilegjin e shkollimit të rregullt.

Në kohën kur Gjon Tomë Deda Berishaj, pas shkollimit të rregullt në Kosovë, u pajis me diplomën e mësuesit, Malësia i numronte në gishta personat që ishin të kualifikuar të dalin para nxënësve. U mishëruar me profesionin e shenjtë të mësuesit, dhe asnjëherë nuk bëri përpjekje t’i bishtnojë atij, ose të sfidohet me pozita e privilegje që zakonisht i përcillnin ato. Gjenerata të tëra sigurisht më me besnikëri do ta portretizonin mësuesin Gjon, mirëpo për ata që e njihnin nga afër në fshatin të cilit i kthehej kohëpaskohe, figura e tij mbahet mend si model i injektimit të kurreshtjes për libër.

Është ndër të parët dhe ndër të rrallët që me shembullin e vetë të shkëputjes nga rrasat” e Priftnit, dëshmoi se jeta është e mundur edhe jashtë ambientit baritor dhe bujqësor të fshatit. Duke e zëvendësuar shatin dhe drapnin me lapsin, Gjoni shtoi kërshërinë e shumë kryefamiljarëve nga ky vendbanim që fëmijët e vetë t’i orientojnë drejt një së ardhme që lidhet me shkollimin e rregullt dhe Kosovën. Edhepse jo gjuhëtar me profesion, ai asnjëherë, në asnjë situatë nuk ka hequr dorë nga insistimi i pastrimit të gjuhës nga barbarizmat dhe përdorimi i një gjuhe të mirëfilltë shqipe. Ky insistim madje e bënte shumë të veçantë, ndonjëherë edhe i shihej për të madhe, mirëpo Gjoni i mbeti besnik të folmes së drejtë dhe të pastër të gjuhës shqipe.

Mësuesit Gjon i flinte në shpirt shkrimi, krijimtaria, sigurimi i qendrueshmërisë së përmbajtjeve që ai i njihte ose si akter i tyre, ose nga rrëfimet e të tjerëve. La pas veti disa libra, modest për nga tematika që ai shtjelloi, por të rëndësishme, sidomos për shënimin e disa fakteve dhe lidhjeve që e pastrojnë mjegullën e dendësuar nga gojëdhënat, improvizimet dhe projektimet kote – sidomos në sqarimin e lidhjeve të brezave në pemët familjare të vëllazërisë së tij.

Kujtimin për Mësuesin do ta ruajn gjenerata të tëra të nxënësve të tij, familjarë, dashamirë dhe të afërm. I qoftë i lehtë dheu i Malësisë dhe qoft i përjetshëm kujtimi për Gjon Tomën Berishaj.

Anton Kolë Berishaj