Pseudo intelektualët

Shkruan Qani Osmani

Në çdo shoqëri vlen të përmendet fakti se përveç intelektualëve të mirë dhe të vërtet ekzistojnë edhe intelektualët e këqij. Këto intelektual të tillë (të këqij) operojnë me një interes vetjak, me një injorancë karshi shoqërisë dhe shpesh ata janë të manipuluar. Këto intelektual janë të korruptuar dhe urrejnë dialogun dhe nuk tolerojnë kundërshtinë. Për të tillët pasuria materiale ka domethënje të veçant dhe është e vlerësuar nga ato më shumë se ajo shpirtërore.

Intelektualët pseudo shfaqin një prirje të anarkisë kronike dhe shfaqin frikë nga njerizit në pozita të larta politike që janë të veshur me pushtet ngase ata në të shpeshtën e rasteve janë puthadorët e tyre. Arma kryesore e pseudo intelektualëve janë gënjeshtrat dhe intrigat. Ata janë në gjendje të shesin njohuritë e tyre dhe ato njohuri i vejnë në shërbim të qëllimeve të ndryshme politike, kulturore e shkencore në mënyrë të pa argumentuara. Cilësinë e opinionit të tyre publik ata e zhvillojnë në bazë të shpirt ngushtësisë dhe servilizmit.

Pseudo intelektualët apo intelektualët e rremë janë shumë të kujdesshëm për të mos thënë gjëra për momente të caktuara, apo janë të prirë për ti mbuluar të vërtetat edhe kur ata janë të vetëdishëm se ato të vërteta janë ndryshe. Para se gjithash ata kanë frikë nga hakmarrja e pushtetarëve dhe medieve, ku në të shpeshtën e rasteve ata janë zëdhënës të tyre. Kjo pandershmëri intelektuale, është veçanërisht e dëmshme për zhvillimin e demokracis dhe fjalën e lirë etj.

Kjo dukuri pa mëdyshje shpie në një lloj mosbesimi ndaj elitave të mirfillta intelektuale. Si pasojë e kësaj kemi një shkëputje të madhe midis masave dhe elitave intelektuale të cilët i njohin gjërat dhe janë të gatshëm të sakrifikohen për të vërtetën. Shembull kemi profesor, arsimtarë, mjek e juristë të cilive asnjëherë nuk ua kemi dëgjuar zërin sepse atyre nuk iu është dhënë hapsirë mediale.

Megjithatë, të mos harojmë se ekzistojnë shumë njerëz të cilët kanë njohuri e ide të shkëlqyera, dhe nuk mashtrohen lehtë nga manipulantët dhe falsifikatorët, por për fat të keq numri i pseudo intelektualëve çdo ditë është i imponueshëm. Ky plim “gënjeshtarësh serik” të paskrupullt dhe pa fije turpi çdo natë shfaqet nëpër ekranet e televizive, çdo mëngjes nëpër emisione të radiove, paturpësisht zënë kolonat e shtypit etj.

Ky fenomen shumë negativ gjenë shprehjen e tij më të mirë në lëvizjet politike. Ku problemi është se shumë nga këto njerëz që janë pa vlera dhe pa asnjë bagazh të nevojshëm intelektual përfitojnë nga situatat e krijuara politike duke marr përsipër “zgjidhjen” e fateve të shoqërisë dhe kombit, panvarësisht se një pjesë e mirë e tyre nisen nga qëllime tërësisht vetjake dhe në thelb të filozofisë së tyre qëndron përfitimi personal.

Ka një thënje të disa fillozofëve të mëdhenj, që kanë mbijetuar ndër vite sa edhe vet njerëzimi, ku thuhet se “Armiku më i madh i diturisë nuk është padija, por iluzioni se je i ditur”. Pra, psudo-intelektualët kanë qenë dhe janë një problem i madh i shoqërisë, të cilët, për shkak të një superioteti të brendshëm iluzionar, i shohim sot të grefosur, nën petkun e kostumit politik, e që mundohen të drejtojnë fusha ku nuk janë aspak kompetentë, duke na udhëhequr drejt së ashtuquajtuarës “fuqizim të injorancës”. Ky realitet i trishtë që daton me Sokratin dhe Shekspirin, është vërtetuar dhe finalizuar viteve të fundit. Ku pjesa më rrezikshme e gjithë kësaj është se të vetëquajturit intelektual brohorisin fortë kotësinë e tyre.

Është fakt se strukturat dhe udhëheqjet e ndryshme politike shpeshherë me veprimet e tyre kamuflojnë të vërtetën reale në të cilën kalon një shoqëri në një kohë të caktuar. Në këtë kontekst intelektualët e vërtet bëhen viktimë e mjedisit ngase ata nuk mund të pajtohen me heshtjen si kompromis. Atëherë kur një realitet i egër vret përbërësit bazë të identitetit intelektual, kur qasja e vërtet intelektuale poshtërohet përballë injorancës dhe diletantizmit, kur roli dhe mendimi i tyre tashmë është braktisur intelektualit të vërtet si mbetet tjetër pos mbylljes në vetëvete apo detyrimit për të migruar.

Në një shoqëri të caktuar, zhgënjimi do të jetë përherë i pranishëm kur nuk përfillen intelektualët e vërtet. Kur fjala dhe dhe roli i tyre primar braktiset nga shoqëria. Një shoqëri e cila injoron vlerat intelektuale të njerëzve të saj. Si e tillë është e pavlerë dhe e destinuar të rropatet me pasoja të gjata duke mos gjetur shtegdalje. Rezultatet e kësaj janë jashtëzakonisht shqetësuese për të diskredituar shpirtin dhe intelektin dhe talljet e tyre publike.

S’ka dyshim, fushatat e orkestruara kundër intelektualëve, menjanimi dhe distancimi i tyre nga proceset shoqërore dhe politike shpesh bëhen me qëllime të caktuara. Shpesh nxitet nga inercia dhe përfitimi. Kjo bëhet vetëm për të demaskuar hipokrizinë dhe padrejtësinë e shoqërisë të shkaktuara nga politika e papërgjegjëshme, cinikët dhe pseudo-intelektualët.