Miratohet Propozim-ligji: “Pakicat” do të lejohen të shfaqin simbolet kombëtare ?

Qeveria e Malit të Zi në mbledhjen e të enjtes ka miratuar Propozimin e Ligjit për  zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare. Me këtë Ligj përcaktohet e drejta për zgjedhje, përdorim dhe shfaqje publike të lirë të simboleve kombëtare, të përfaqësuesve/eve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale në shtetin e Malit të Zi.

“Vjetrimi i Ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare, i cili daton nga viti 2000, sjellja e Kushtetutës së re të Malit të Zi, si dhe mangësia e tij në pjesën e zgjedhjes së simboleve kombëtare ka kushtëzuar hartimin e ligjit të ri”, thuhet në kumtesën e Ministrisë për të drejtat e njeriut dhe të pakicave.

Nga Ministria po ashtu pohojnë se me këtë Ligj përfaqësuesve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale, gjegjësisht popujve si kolektivitete, i është mundësuar zgjedhja dhe përdorimi i simboleve kombëtare, si publikisht ashtu edhe privatisht.